Punësimi i maqedonasve në shifra dyfish më të larta se të shqiptarëve ka ndikuar në stagnimin e rritjes së përfaqësimit të drejtë në administratën shtetërore dhe publike. Rritja prej rreth 2.5-3 për qind për çdo vit, nga periudha 2007-2010, ka rënë në 0.3 për qind më shumë në vitin 2011 dhe 0.6 për qind dallim në vitin 2012. Në Qeveri ndërkaq përsërisin se punësimi i shqiptarëve nga Sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit mbetet prioritet.
Gjatë dy viteve të fundit, 2011 dhe 2012, rritja e përfaqësimit të shqiptarëve në administratën shtetërore ka shënuar një stagnim të theksuar për dallim nga vitet paraprake. Është Raporti i fundit i Avokatit të Popullit, ai që tregon se në të gjitha organet qeveritare, ministritë, shumica dërmuese e drejtorive dhe ndërmarrjeve publike, institucionet shëndetësore, arsimore, gjyqësore, pushteti lokal dhe institucione të tjera, rritja graduale e përqindjes së shqiptarëve në administratë ka stagnuar që nga viti 2010, kur edhe shënuar avancimi më i madh i shqiptarëve prej rreth 3 për qind.
Duke filluar nga viti 2007, kur përqindja e shqiptarëve ka qenë në 10.78 për qind, gjatë dy viteve të ardhshme (2008 dhe 2009) ka pasur mesatarisht nga 2 për qind rritje për çdo vit. Ngritja më e madhe e përqindjes së shqiptarëve ka ndodhur në vitin 2010 me rreth 2.9 për qind më tepër se në vitin paraprak, kur përfaqësimi i shqiptarëve në administratë ka qenë 14.05 dhe është rritur në 16.92 për qind. Mirëpo, ky trend është ngadalësuar dukshëm në vitin 2011, kur është shënuar një rritje prej vetëm 0.3 për qind dhe ka arritur në 17.2 për qind dhe në vitin 2012 – kur kjo përqindje ka arritur në 17.8 për qind apo 0.6 për qind më shumë. Nga Qeveria thonë se përfaqësimi i drejtë si një nga obligimet kryesore të Marrëveshjes së Ohrit, mbetet prioritet. Zbatimi i kësaj shtylle dhe obligimeve tjera të Marrëveshjes së Ohrit, thotë zëdhënësi Muhamet Hoxha, është prioritet prej vitit 2008, kur pjesë e Qeverisë bëhet Bashkimi Demokratik për Integrim dhe prej atëherë zbatimi i këtij dokumenti paqësorë është njëra nga pesë pikat me prioritet në programin e Qeverisë.
“Duke u nisur nga kjo, Qeveria e Maqedonisë çdo vit miraton edhe Programën për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, Programë kjo që përgatitet nga Sekretariati për implementimin e MO-së e që ka për qëllim punësimin e nëpunësve të ri shtetërorë që nuk janë shumicë – shqiptarëve dhe bashkësive tjera më të vogla etnike. Prej vitit 2008 e këndej, dinamika e realizimit të këtij programi është e njëjtë dhe në çdo vit, qindra administrator shqiptarë dhe të bashkësive tjera më të vogla etnike bëhen pjesë e sistemit”, tha Hoxha.
Ngritja e ulët e shqiptarëve në administratë, edhe përkundër pretendimeve të Qeverisë për punësimin e qindra shqiptarëve për çdo vit, nga ekspertët disa herë është sqaruar me fenomenin e punësimit të maqedonasve paralelisht me shqiptarët, madje edhe në numër më të madh se këta të fundit. Këto konstatime i dëshmon edhe Raporti i fundit i Avokatit të Popullit, ku shihet qartë se që nga viti 2007 deri në vitin 2012, në institucionet për të cilat janë mbledhur të dhënat, janë punësuar 12.722 shqiptarë, ndërsa në të njëjtën periudhë janë punësuar 31.172 maqedonas. Vetëm gjatë dy viteve të fundit (2011 dhe 2012), numri i shqiptarëve është rritur për 5185, prej të cilëve 1553 vetëm vitin e fundit, ndërsa në të njëjtën periudhë numri – maqedonasve është rritur për 17.334. Dallimi më i madh është mes vitit 2010 dhe 2011 kur janë evidentuar rreth 14.118 të punësuar maqedonas më shumë, ndërsa numri i administratorëve shqiptarë në po të njëjtën periudhë është rritur për vetëm 3632 shqiptarë. Këto punësime kanë ndikuar drejtpërdrejtë në uljen e trendit të zvogëlimit të përqindjes së maqedonasve në administratën shtetërore dhe publike që nga rreth minus 3 për qind dallim për çdo vit, në periudhën 2007-2011, në vetëm minus 1.1 për qind nga viti 2011 në vitin 2012.
EDITOR
11 years ago
previous article
Ramazani në ishujt Komoros
you might also like
22 NËNTORI – DITA E ALFABETIT TË GJUHËS SHQIPE
11 hours ago
100 DITË DERI NË RAMAZAN!
11 hours ago