Dushko Apostolski, avokati maqedonas i margjinalizuar nga politika ditore rrëfen se si u themelua partia e parë pluraliste shqiptare Partia për Prosperitet Demokratik (PPD) dhe si ai ishte themeluesi dhe nënkryetari i këtij formacioni politik që u regjistrua si parti qytetare.
Apostolski ka rrëfyer për një portal maqedonas se si ai arriti të jetë në krye të formimit të kësaj partie politike, e cila sot gjithashtu është e margjinalizuar dhe gati e shuar nga skena politike.
Ai thotë se atëherë si avokat i njohur nisi aventurën për themelimin e kësaj partie shqiptare me seli në Tetovë, bashkërisht me Mitat Eminin, Abdurrahman Halitin, Nevzat Halilin, ky i fundit i njohur si kryetari i parë i PPD-së, por edhe emra të tjerë të njohur siç thotë ai ‘nga çarshia e Tetovës dhe Gostivarit’.
“Në fillim ka pasur nisma për themelimin e ndonjë dege partiake të një partie nga Kosova, me arsyetimin se kjo kërkohej nga Prishtina. Por unë kundërshtova këtë ide dhe i sqarova se ligji në Maqedoni lejon që të regjistrohet parti politike qytetare. Ata u dakorduan, unë i përgadita statutin dhe programin partiak”, thekson avokati 80 vjeçar.
Ai gjithashtu thekson se në atë periudhë ka qenë edhe anëtarë i Forumit për të Drejtt e Njeriut, kryetar i së cilit ishte Tomislav Çokrevski ( i njohur si ministër i brendshëm gjatë ngjarjeve të Gostivarit në 9 korrikun e 1997), dhe ku anëtarë ishin edhe Lubomir Frçkovski, Jane Milovski, Sllobodan Çashule dhe Ferid Muhiq.
“Të gjithë këta njerëz kishin njohuri për idenë e PPD-së dhe unë atëherë kisha përkrahjen e tyre. Partia sipas statutit ishte parti qytetare e maqedonasve dhe pjesëve të popullit shqiptar, turq, rom dhe vllehë, që janë etnikë në Maqedoni apo ishin ardhacak”, thekson për portalin mkd, avokati Apostolski, i cili thekson se në fillim kishte arritur që të regjistroj 70 maqedonas.
Ai sqaron më tej se u bë nënkryetar, ndërsa Nevzat Halili kryetar dhe se kryesia e ngushtë përbëhej nga shtatë anëtarë dhe se ai ishte maqedonasi i vetëm.
Sipas tij, PPD kuvendin e parë themelues e mbajti më 29 prill 1990 në fshatin Poroj të Tetovës dhe më pas pasoi edhe një konferencë me gazetarët në Pallatin e Kulturës në Tetovë. Apostolski thekson se partitë atëherë duhej të regjistroheshin edhe në polici dhe se kryeshefi i asaj kohe në Tetove, që ishte maqedonas, kishte refuzuar regjistrimin e PPD-së, por pas një ndërhyrje nga lartë, u pranua regjistrimi zyrtar i saj.
“Unë tani kujtoj problemet që kisha si nga ana maqedonase, ashtu edhe nga ajo shqiptare. Të parët më quanin tradhtar, bashkëpunëtor dhe njeri i paguar nga shqiptarët. Ndërsa, kolegët avokatë shqiptarë me thonin se nuk e dijë se me kë kam lidhur punë. Por, unë si qytetar mendoja se midis shqiptarëve dhe maqedonas nuk duhet të ketë ndarje dhe duhet ketë një mirëkuptim. Në fillim kishte propozime të ndryshme rreth hartimit të statutit partiak, dhe qëndrimi im në këtë parti zgjati vetëm 5 – 6 muaj dhe unë nuk arrita që të mbeten në postin e nënkryetarit të PPD-së”, rrëfen Apostolski.
Ai sqaron edhe arsyet e largimit, duke pasur si shkas një deklaratë të liderit Halili, i cili për një gazetë kosovare kishte deklaruar se përfaqëson partinë e parë shqiptare në Maqedoni, ndërsa arsyeja e dytë ka qenë dështimi i një koalicionimi dhe unifikimi midis PPD-së dhe partisë konservatore maqedonase MAAK. “Pasi ndodhi kjo, unë dhashë dorëheqje nga çdo angazhim i imi politik”, theksoi avokati veteran, i cili shton se sot është më ndryshe dhe një ambient tjetër për të formuar një parti multietnike në Maqedoni.|INA|
EDITOR
11 years ago
previous article
Gjermani, bursa edhe për studentët myslimanë
you might also like
22 NËNTORI – DITA E ALFABETIT TË GJUHËS SHQIPE
23 hours ago
100 DITË DERI NË RAMAZAN!
23 hours ago