Nuk janë të pakta shkollat dhe as rastet kur në një lëndë të caktuar mund të shënohen edhe 20 nota të dobëta në një klasë. Mund të ndodhë që ky të jetë rezultati i një testimi të paralajmëruar, me të cilin një mësimdhënës ka vendosur të befasojë nxënësit e tij, apo edhe si rezultat i disponimit jo të mirë të atij arsimtari, i cili zgjedhë të ndëshkojë nxënësit duke radhitur njëra pas tjetër notat e dobëta në ditar.
Mirëpo, pavarësisht motiveve për të cilat një mësimdhënës mund të vlerësojë me nota të dobëta pjesën dërmuese të nxënësve në një klasë të caktuar, ajo që është shqetësuese në Maqedoni ka të bëjë me mungesën e një sistemi, përmes të cilit do të kontrollohej puna e nxënësve, arsimtarëve dhe shkollës në përgjithësi.
Ditë më parë, në njërin prej gjimnazeve të Shkupit, ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, në lëndën e Matematikës u shënuan mbi 20 njësha. Notat tjera ishin dysha dhe tresha. Rasti u sensibilizua te pedagogu i shkollës, por edhe ky u distancua nga mundësia e alarmimit deri tek institucionet kompetente të Ministrisë së Arsimit. Për të mos cenuar imazhin e shkollës, u vendos që problemi të mos dalë jashtë mureve të saj dhe për këtë arsye, nuk u bë kurrfarë denoncimi në MASH. Situata të këtilla përsëriten në formë të heshtur thuajse në të shkollat fillore dhe të mesme dhe ky nuk është rasti i vetëm në Maqedoni, kur një profesor për arsye të ndryshme, i shënon mbi 20 njësha në një klasë. Që shqetësimi të mbetet me kaq, krahas suksesit të dobët të nxënësve nëpër ato shkolla, nuk mbahen thuajse asnjëherë orët plotësuese, të cilat mësimdhënësit janë të obliguar me Ligj t’i mbajnë në shkollë me nxënësit të cilët kanë nota të dobëta.
Mirëpo, Inspektorati Shtetëror i Arsimit (ISHA) që është kompetent të kontrolloje shkollat për pjesën e respektimit ose jo te ligjeve arsimor, nuk i panë thuajse asnjëherë shkollar për problemet të kësaj natyre. Edhe ata pak inspektorë që posedon ISHA janë angazhuar nëpër kontrollet për tabela dhe emra shkollat. Për atë se nuk respektohet Ligji për orët plotësuese, nuk ka ndodhur të ngrihet asnjëherë shqetësimi nga ISHA-ja dhe MASH-i. Në Byronë për Zhvillimin e Arsimit (BZHA) që është edhe institucioni kompetent i MASH-it për rregullimin e çështjeve profesionale nëpër shkolla, pranojnë se kanë njohuri mbi fenomene të këtilla. Mirëpo, problemi sipas tyre, konsiston në faktin se nuk ka një mekanizëm me të cilin mund të vihej deri në vlerësimin e drejtë të situatës dhe rrjedhimisht deri në nxjerrjen e konkluzioneve se kush është fajtor në situata të këtilla – profesori apo nxënësi.
“Pa u bërë një hulumtim i gjerë dhe pa pasur në shqyrtim një rast konkret, nuk mund të them se kush e ka fajin, pra nëse shumë notat e dobëta në një klasë janë për shkak të mungesës së njohurive të atyre nxënësve, apo për faj të profesorit”, shprehet Ajshe Selmani, zëvendësdrejtoreshë e BZHA-së,. Për momentin, plotëson më tej ajo, nuk ka si të gjendet fajtori pasi nuk kemi të dhëna konkrete. “Tek e fundit, për suksesin e nxënësve ndikojnë shumë faktorë. Nuk mund të jetë vetëm një faktor që çon në suksesin e notave, por janë shumë faktor që ndikojnë. Duhet një analizë më e gjerë dhe hulumtime më të thelluara për të identifikuar shkaktarët e vërtetë të suksesit të nxënësve”, nënvizon Selmani. Ajo pranon se viteve të fund janë rralluar shumë vizitat e këshilltarëve pedagogjik, të cilët kanë për detyrim të kontrollojnë punën e mësimdhënësve dhe cilësinë e punës së tyre.
“U mendua se me organizmin e seminareve do të zbutej sado pak mungesa e vizitave të këshilltarëve të shkollave, mirëpo shihet qartë se është tepër e nevojshme që të intensifikohen vizitat nëpër sholla”, sqaron zëvendësdrejtoresha e BZHA-së.
Me rekomandim të Qeverisë dhe propozim të MASH-it, prej muajit mars BZHA dhe ISHA do të nisin vizitat në të gjitha shkollat e Maqedonisë. Enkas për këtë, institucionet përkatëse janë duke përgatitur Planin Aksionar, me të cilin do të caktohet dinamika e vizitave si dhe ndarja e shkollave sipas një radhe të caktuar, bën të ditur zëvendësdrejtoresha Selmani. Lidhur me orët plotësuese, Selmani tregon se këshilltarët kanë konstatuar se jo të gjithë shkollat i organizojnë ato orë edhe pse janë të obliguar ta bëjnë këtë. Është shumë e vërtetë se shkollat nuk mbajnë orë plotësuese, pohon zëvendsëdrejtoresha. Në disa shkolla, plotëson ajo, orët plotësuese nuk mbahen për mungesë të hapësirave, kurse në disa të tjetra, sepse nuk janë të disponuara shkollat ta bëjnë këtë. Që të shmangin dënimet, shkollat shënojnë në ditar se kanë mbajtur ore plotësuese, por që në fakt nuk i mbajnë ato për arsye të ndryshme.
EDITOR
12 years ago
you might also like
22 NËNTORI – DITA E ALFABETIT TË GJUHËS SHQIPE
9 hours ago
100 DITË DERI NË RAMAZAN!
9 hours ago