Vehbeh Mustafa Ibn Ez-Zuhejli është njëri prej dijetarëve më të njohur në jurisprudencën islame dhe bazat e saja në kohën tonë. Njëri prej dijetarëve më të dalluar të Ehli Sunetit në Siri dhe jashtë saj, anëtarë i këshillit për çështje të jurisprudencës islame në Meke, Xhide, Indi, Amerikë dhe Sudan. Dekan i degës së Fikhut dhe shkollave juridike pranë Fakultetit të Sheriatit në Universitetin e Damaskut. Ka marrë çmimin si personaliteti më me ndikim në botën Islame në një ceremoni të organizuar nga Qeveria e Malajzisë për nderë të vitit të ri hixhri në vitin 2008.
Vehbeh Ez-Zuhejli, është i lindur në Dir Atije një prej lagjeve të Damaskut në vitin 1932 ndërsa i ati i tij Mustafa Ez-Zuhejli ishte një bujk dhe tregtar i njohur, ai po ashtu kishte të mësuar përmendësh Kuranin dhe ishte i njohur për të vepruarit sipas mësimeve të Kuranit dhe dashurisë ndaj traditës profetike.
Vehbeh Ez-Zuhejli, është i martuar dhe ka pesë fëmijë. Që të gjithë fëmijët e tij kanë të përfunduar studimet universitare.
Shkollimin fillor, Vehbeh Ez-Zuhejli, e kishte përfunduar në vendlindje pastaj vazhdoj të mesmen në Fakultetin e Sheriatit në Damask për gjashtë vite me radhë. Ishte prej më të dalluarve dhe të parëve të fakultetit. Në vitin 1952 e përfundoj shkollimin e mesëm për të vazhduar studimet në Universitetin e Ez’herit në Egjipt dhe në vitin 1956 përfundon studimet dhe ishte studenti më i dalluar dhe me notën më të lartë në tërë gjeneratën e tij.
Pastaj specializoj në mësimdhënie në Fakultetin e Gjuhës Arabe në Ez’her dhe kështu arriti që ta kthente diplomën e tij në një diplomë ndërkombëtare me leje për mësimdhënie. Gjatë kësaj kohe, ai kishte studiuar po ashtu edhe Drejtësinë dhe arrin që të diplomojë në vitin 1957 nga Universiteti Ajnu Shems por me një sukses të mirë.
Në vitin 1959 nga Instituti i Sheriatit pranë Fakultetit të Drejtësisë arrin që të diplomojë në magjistraturë në Universitetin e Kajros.
Doktorantin e përfundoi në vitin 1963 dhe u shpall si doktor nderi duke iu lëshuar edhe një letër rekomandimi për shkëmbimin e punimit të tij të diplomimit me universitetet e huaja botërore ndërsa subjekti i tezës së doktorantit të tij ishte ‘’ Ndikimi i luftës në jurisprudencën islame ‘’ në të cilën kishte bërë një studim të thukët krahasimi në mes të tetë shkollave juridike islame dhe të ligjit publik ndërkombëtare.
Filloj punën si mësimdhënës në vitin 1963, pastaj si profesor asistent në vitin 1969 dhe në vitin 1975 emërtohet si profesor i rregullt në Universitetin e Damaskut.
Një kontribut të madh e ka dhënë në fushën e mësimdhënies, ligjërimit, ligjërimeve të hapura, dhe shkrimeve, ndërsa për të thuhet se punon nga 16 orë në ditë.
Punoj në shumë sektor dhe fusha të ndryshme ndërsa prej tyre veçojmë: Dekan i degës së Jurisprudencës Islame dhe shkollave juridike në Fakultetin e Sheriati pranë Universitetit të Damaskut, Dekan i Fakultetit të Sheriatit pranë Universitetit të Damaskut për katër vite 1966-1970, Kryetar i Bordit Mbikëqyrës të Sheriatit për institucionet arabe të financave islame, Kryetar i komisionit për studime sheriatike për institucionet dhe financat islame, anëtar i Këshillit Islamik për bankat islame, anëtar i akademisë për jurisprudencë islame -në cilësinë e ekspertit- me seli në Meke, Xhide, Indi, Amerike dhe Sudan, anëtar i Akademisë Mbretërore Hashimite për Hulumtim dhe Qytetërime Islame pranë Fondacionit Al-El-Bejt në Jordani, si dhe në shumë vende të tjera pune.
Ishte mbikëqyrës i shumë tezave të magjistraturës dhe doktorantit në Universitetin e Damaskut, Fakultetin e Imam El-Evzai në Liban, ndërsa numri i përgjithshëm i tyre është mbi 70-të sosh.
Është përpilues i programit studimor të Universitetit të Damaskut në fund të viteve të 60-ta, e po ashtu edhe në Universitetin e Emirateve ishte përpilues i programit studimor për Fakultetin e Sheriatit dhe Drejtësisë, dhe ishte pjesëmarrës në komisionin për hartimin e plan programit studimor për institutet e sheriatit në Siri në vitin 1999.
Po ashtu ka pas shumë emisione në radiot e Sirisë, si dhe shumë seminare në televizionet e Sirisë, Emirateve, Kuvajtit, Arabisë Saudite etj. Gjithashtu ka punuar edhe si profesor në shumë universitete si: Universiteti i Sharikas 2000-2006, Universiteti i Damaskut 1981-1997, Universiteti i Kuvajtit 1997-2000, Universiteti i Jordanisë 1990-1991, Universiteti i Emirateve 1992-1993, po ashtu për kohë të shkurtra brenda vitit ka punuar edhe në Libi, Algjeri, Dubai, Malajzi, Indonezi, Australi, si dhe është autor i mbi 50 veprave ku shumë prej tyre janë voluminoze dhe po ashtu është autorë dhe bashkautorë i shumë punimeve shkencore.
Vehbeh Ibn Mustafa Ez-Zuhejle me plot të drejt llogaritet enciklopedi e gjallë në botën islame e në veçanti në lëmin e jurisprudencës islame.
Përgatiti: Artan Musliu
EDITOR
11 years ago
previous article
Kam harruar ta bëj nijet në syfir, a më pranohet agjërimi?
you might also like
RIFILLON PROJEKTI “EUREKA” NË SHKUP DHE KËRÇOVË
13 hours ago
FRI REALIZOI TAKIMIN E PARË ME BURSISTËT
5 days ago
17 NËNTORI, DITA NDËRKOMBËTARE E STUDENTËVE
5 days ago