Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë, Edi Rama, ka shtruar mbrëmjen e djeshme një iftar, ku vlerësoi larta bashkëjetesën dhe tolerancën fetare në vendin tonë.
“Midis të gjitha lirive e vlerave të fituara apo rifituara në kohët e reja, liria e besimit dhe vlera e bashkëjetesës në harmoni mes feve, e bëjnë krejt të posaçme Shqipërinë. Vetë liria e Shqipërisë në të tatëpjetën e diktaturës komuniste u shfaq për së pari si liri e besimit me meshën historike të Don Simon Jubanit në varrezat e Rrmajit, në Shkodër. Asokohe Kisha e Madhe ishte ende Pallat Sporti. Kështu të krishterë e myslimanë u bashkuan për të parën meshë pas një gjenerate, mes engjëjve krahëthyer e trupshpuar prej plumbave të ushtarëve të popullit, që në ekstazën e luftës kundër fesë, kishin bërë qitje mbi statujat e mermerta të varreve. Unë e quaj fat që u gjenda në atë grumbullim të paligjshëm, ku më çoi, si edhe të tjerë rruga e lirisë. Qysh më të nesërmen e asaj dite, myslimanë e të krishterë, bashkë, hapën edhe dyert e xhamisë së Shkodrës, të kthyer nga komunistët në depo kooperative. Ishte përkryerja e një momenti të mrekullueshëm kur njerëzit e këtij vendi e kërkuan lirinë për të qenë të ndryshëm dhe të barabartë jo tek dallimet mes feve, por tek liria e besimit që nuk vë cak për besimin e tjetrit”, tha Rama.
Ai shtoi se sonte, këtu, jemi mbledhur mes njerëzish të lirë, të besimeve të ndryshme, prej vendesh të ndryshme me histori të ndryshme. “Por ky është vendi, Shqipëria, ku secili prej nesh, vendas apo i huaj në çdo rast që kremtohet një ditë e shënuar e kalendareve fetare, ndjehet posaçërisht mirë. Sepse në Shqipëri feja mbetet sot e gjithë ditën një fjalë e lidhur me harmoninë, jo me ndasinë; Me lirinë e përkatësisë ndaj një Krijuesi që bashkon edhe ata që nuk besojnë në Zot, me ata që Zotin e kërkojnë përmes rrugëve të Kuranit apo të Biblës; Me vlerën e një bashkëjetese ku mëvetësia e një besimi nuk është mur, por urë me besimet e tjera.”
“Por lejomëni të ndaj me ju me mendimin se kjo trashëgimi unikale kulturore, që në botën e sotme të dasive të thella dhe konflikteve të nxehta fetare përbën një vlerë ende më të jashtëzakonshme, është një trashëgimi e rrezikuar. Kjo trashëgimi kaq e vyer rrezikohet nga të marrurit e saj si e dhënë njëherë e përgjithmonë. Nëse ne nuk e kuptojmë të gjithë sot rrezikun që bart me vete mungesa e masave mbrojtëse të një trashëgimi të tillë, sa të pazakonshme botërisht aq edhe të brishtë për botën ku jetojmë, nesër mund të jetë vonë. Prandaj mendoj se secili ka në dorë të bëjë diçka më shumë për t’ua treguar sa më kuptueshëm më të rinjve, vlerën e kësaj trashëgime dhe për të kultivuar tek më të vegjlit shpirtin e kësaj bashkëjetese në harmoni.”
Rama tha se edhe Qeveria e Shqipërisë ka në dorë të bëjë më shumë dhe “ne do të përpiqemi të bëjmë më shumë, që kjo histori e veçantë shqiptare të bëhet pjesë e ushqimit shpirtëror për gjeneratën e re dhe e qasjes ndaj një Shqipërie të re me një sy të ri. Po sot unë dua t’i përcjell komunitetit mysliman shqiptar urimet më të mira për këtë muaj të shenjtë.”
EDITOR
11 years ago
previous article
Zbardhet udhëzimi, ja 52 hapat që duhen ndjekur për të marrë nënshtetësinë shqiptare
next article
Një njeri i pathyeshëm
you might also like
KUVENDI RAPORTUES XVII
11 months ago
HALIL AVDULLI LIGJËROI NË SHKUP
11 months ago
“SIGURONI KIBLËN E JETËS”
1 year ago