Këtë fundjavë, organizata zvicerane Samowar zhvilloi vizita në tre qendra islame në zvicër:në Xhaminë e Wetzikonit në Kantonin e Cyrihut ku u pritën nga imami i kësaj xhamie Bashkim Aliu dhe përfaqësues tjerë të xhamisë, në Xhaminë e Volketsvilit, që njëherit është një nga qendrat më të mëdha Islame në Zvicër, ku u pritën nga imami Ali ibn Mesud dhe disa përfaqësues tjerë të xhamisë, si dhe në xhaminë e Wilit në Kantonin e St.Gallenit, ku u pritën nga imami Bekim Alimi dhe disa përfaqësues tjerë të kësaj xhamie.
Kjo vizitë erdhi në vazhdën e aktiviteteve të kësaj organizate për njohtimin e zviceranëve me përfaqësuesit e komuniteteve fetare dhe etnike në Zvicër, e që njëherit ka edhe bashkëpunim të ngushtë me Xhaminë e Wilit dhe të Wetzikonit.
Gjatë kësaj vizite, zviceranët patën rastin të dëgjojnë për historikun e këtyre xhamive, aktivitetet e ndryshme të këtyre xhamive, si dhe mënyrën e kryerjes së adhurimeve në Islam. Me këtë rast, nuk munguan as pyetjet e tyre për çështje të ndryshme të cilat shihen me skepticizëm nga ana e perëndimorëve në përgjithësi, siç është rasti me mos lejimin e martesës së femrave muslimane me jomusliman, mos daljen e femrave imam në xhami etj. Këtyre dhe pyetjeve tjera të kësaj natyre iu përgjigj Bashkim Aliu në një debat të gjërë që u zhvillua mes përfaqësuesve të kësaj organizate dhe vizitorëve në Qendrën Islame të Volketsvilit.
Është me rëndësi të përmendet se pjesmarrësit në këtë ekskurzion ishin përfaqësues të institucioneve të rëndësishme në Zvicër dhe profesorë.
Në fund, pjesmarrësit dolën mjaftë të kënaqur me mikpritjen që ua ofruan përfaqësuesit e xhamive.