Fjorde blu, peizazhe të bukura, shumë para: shkaqe për t’u ankuar në Norvegji gjen pak, edhe pak para zgjedhjeve parlamentare. Por çfarë i nevojitet vendit, që me sa duket i ka të gjitha?
Që nga oborri, përmes pemëve mund të shohësh deri poshtë në fjordin e Trondheimit. Eshtë një pasdite e vonë vere në qytetin e vogël norvegjez Stjördal, rreth 30 km në lindje të Trondheimit. Ngadalë, në shtëpitë e veçuara për një familje në lagjen e re Geving ndizen dritat. Rune Vist mbështetet në kangjellat e ballkonit, pi një gllënjkë birrë dhe hedh vështrimin në fjord.
“Të jetosh këtu është më mirë për familjen”, thotë ai. “Një vend më i bukur për fëmijët. Veç kësaj këtu vendi është më i qetë dhe cilësia e jetesës më e lartë”. 41 vjeçari financier punon në një bankë të madhe në Trondheim. Pasi kanë jetuar 10 vjet në Oslo, Vist dhe e shoqja sapo janë futur në shtëpinë e tyre të re. Një shtëpi e gatshme nga katalogu: me shumë dritë, moderne, sipërfaqe të mëdha xhami, brenda e prerë me bollëk dhe me tavane të larta. 250 metra katrorë e ndarë në tri kate. Shumë vend, por që ka çmimin e vet.
“Ne kemi paguar gjashtë milionë krona për shtëpinë tonë”, tregon ajo. Këto janë rreth 750.000 euro. Çmimet e pasurive të patundshme në një qytet të vogël të Norvegjisë mund të krahasohen pa problem me çmimet e qyteteve të mëdha gjermane. Megjithatë, kudo në Stjördal ndërtohet. “Emigrimi i fuqisë punëtore në Norvegji është shumë i lartë”, thotë Rune Vist. “Ka shumë pak shtëpi. Prandaj aktualisht ia vlen të blesh shtëpi, për t’i dhënë ato me qira”.

Rune VistRune Vist

Por shumica e norvegjezëve preferojnë të investojnë para për të blerë shtëpi për vete. Edhe familje të reja marrin me shumë lehtësi kredi në Norvegji -vetëm pak kapital vetjak duhet të ekzistojë dhe një kontratë pune. Punë në Norvegji kanë thuajse të gjithë. Kuota e papunësisë në të gjithë vendin është pak më e lartë se tre përqind – në Stjördal ajo është madje më e ulët.
Ankesat megjithë bollëkun maksimal
Shtëpi që i financon lehtë, thuajse fare papunësi dhe çdo herë, kur bëhet fjalë për nivelin më të lartë të jetesës në Evropë, shumicën e herëve Norvegjia zë vendet më të larta. A ka probleme populli në Norvegji? Sipas pensionistit të ri, Stig Eikeland po. “Rrugët tona janë të këqia, edhe sistemi hekurudhor”. Veç kësaj, lypësit, shumica nga Evropa lindore, duhet të largohen më në fund nga rruga. “Dhe veç kësaj, një pjesë më e madhe e fondit të naftës duhet të shkojë për sistemet sociale.”
Gropa në rrugë, pak emigrantë ilegalë nga Evropa Lindore, që lypin dhe mendime të ndryshme për faktin, se sa para duhen kursyer për kohë të këqia, në vend që të rrjedhin menjëherë në sistemin social?Probleme të tilla, vendet e tjera do të luteshin t’i kishin. Por këto janë pikërisht temat, të cilat do të vendosin zgjedhjet parlamentare të së hënës (09.09.). Kryeministri aktual Jens Stoltenberg, i partisë Social-Demokrate u duket i pavendosur bashkëatdhetarëve të tij. Pas masakrës së Utoyas, dy vjet më parë ai bëri figurë të mirë, por përsa i përket infrastrukturës dhe politikës sociale ai nuk i plotësoi të gjitha ato që priteshin. Shumë norvegjezë do të preferonin ta shihnin më të fortë sistemin social, duke investuar në të më shumë para nga shfrytëzimi i naftës dhe i gazit para bregdetit të Norvegjisë.

Kryeministri norvegjez, Jens StoltenbergKryeministri norvegjez, Jens Stoltenberg

Shumë para
“Fondi norvegjez shtetëror i naftës është i ndarë në dy pjesë: një pjesë më e vogël investohet në vend dhe përbën sigurimet e pleqërisë dhe ato sociale. Pjesa tjetër, më e madhe përdoret vetëm për investime në botën e jashtme”, shpjegon Vist. Ky fond ka arritur tani shumën 560 miliardë euro. Kohët e fundit, fondi i naftës investoi në Londër, në Zvicër dhe në SHBA. Në Londër me të u ble një pjesë e Regent Street, një rrugë e madhe me dyqane. Në Zvicër u ble qendra e koncernit të Credit Suisse, në Bazel dhe në SHBA disa qendra tregtare apo të ngjashme. (DW)