PYETJA: A ka mundësi që një musliman të sheh një ëndër që i del e vërtetë, ose që është e mirë, sepse unë këtu në Zvicër kam një kojshi i cili kishte parë një ëndër për djalin e tij, dhe i doli e mirë, pasi djali mori një diplomë universiteti?
Bashkim Aliu
PËRGJIGJA: Esselamu alejkum. Së pari, të gjithë njerëzit, pa marrë parasyshë fenë dhe besimin, janë të përbashkët në disa gjëra. Kështu, të gjithë njerëzit, qofshin muslimanë, krishterë, budistë apo pjestarë të ndonji besimi tjetër, shohin ëndra. Por, ëndrat nuk janë të njejta, gjegjësisht ka ëndra që vijnë prej Allahut, ka ëndra që vijnë prej djajve, por mund të jenë edhe rezultat i rrethanave të caktuara të personit, psh., nëse ka ngrënë diçka të njelmët, sheh uj, ose nëse është i sëmurë, në pjesën më të madhe sheh ëndëra që janë pasojë e sëmundjes, etj.
Normalisht, këtu nuk flasim për ëndrat e pejgamberëve të cilat janë të vërteta, por për ëndrat e njerëzve të zakonshëm. Ëndrat, mund të jenë të vërteta, po mund të jenë edhe mjet i djajve për ta frikësuar njeriun.
Ëndrat e vërteta apo të mira, nuk janë monopol vetëm i njerëzve të mirë apo i muslimanëve, por ka mundësi që edhe jo muslimanët të shohin ëndra të vërteta. Për këtë më së miri na flet Kur’ani. Në Kur’an qëndron se mbreti në kohën e Jusufit a.s. kishte parë ëndër dhe e kishte shqetësuar mjaft. Nuk ishte kënaqur me shpjegimin e fallxhorëve të vet, por, kur ia kishte shpjeguar Jusufi a.s., ai ishte pajtuar. Dhe vërtetë, ëndra i kishte dalë e vërtetë, ashtu si ia kishte interpretuar Jusufi a.s. Poashtu, edhe dy personat të cilët ishin me Jusufin a.s. në burg, kishin parë ëndra të cilat u kishin dalë të vërteta, ashtu siç ua kishte shpjeguar Jusufi a.s.Në Kur’an qëndron:<< Së bashku me të hynë në burg dy të rinj. Njëri prej atyre dyve tha: “Unë ëndërrova veten se po shtrydhi (rrush për) verë”. E tjetri tha “Unë ëndërrova se po bart mbi kokë një bukë nga e cila hanin shpezët”. Na trego komentin e saj, se ne të konsiderojmë nga komentuesit e mirë (të ëndërrave) (36) >>[Jusuf: 36]. Në Kur’an qëndron se Jusufi a.s., i kishte thirrur këta dy persona që mos adhurojnë tjetër kend pos Allahut, gjë që tregon se ata nuk kanë qenë muslimanë, por kanë qenë politeistë. Në Kur’an qëndron:<< O ju dy shokët e mij të burgut, a është më mirë të adhurohen zota të ndryshëm ose Allahu, i vetmi ngadhënjimtar?” (39) Ata që adhuroni përveç Allahut, nuk janë tjetër vetëm se emra që  pagëzuat ju dhe prindërit tuaj. Allahu nuk shpalli ndonjë fakt për ta, vendimi (në çështjen e adhurimit) nuk i takon kujt, pos Allahut, e Ai urdhëroi të mos adhuroni tjetër vetëm Atë. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë (40) >>[Jusuf: 39-40]. Poashtu, edhe mbreti i Egjiptit kur e kishte parë ëndrën, nuk kishte qenë musliman. Nga ana tjetër, edhe Buhariu në Sahihun e tij ka shënuar një kapitull për ëndrat e mosbesimtarëve, njerëzve të devijuar dhe të burgosur. Më pas ka shënuar disa hadithe. Kjo tregon se edhe Buhariu ka mbajtur qëndrim se jomuslimani mund të sheh ëndër të vërtetë, siç ishte rasti me mbretin në kohën e Jusufit a.s. dhe me dy shokët e tij. Poashtu, është transmetuar se edhe gruaja e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., Safija, e cila atëbotë ka qenë hebreje, ka parë një ëndër të mirë, gjegjësisht ka parë në ëndër se një hënë ka rënë në dhomën e saj. Kur ia ka treguar burrit të saj, ai e ka shpjeguar se do të martohet me djalin e Abdulmutalibit, gjegjësisht me Muhamedin s.a.v.s. Kjo vërtetë edhe ndodhi. Pas tre vjetësh,  Safija u martua me Muhamedin s.a.v.s. Safija kur e ka parë këtë ëndër, nuk ka qenë muslimane, dhe shihet se ka qenë ëndër e mirë. Dijetarët kanë përmendur se shumë nga shokët e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. derisa kanë qenë në kohën e xhahilijetit-injorancës, kanë parë ëndra të mira, dhe këto kanë qenë shkak për simpatinë e tyre ndaj Muhamedit s.a.v.s., dhe më pas edhe kalimin e tyre në Islam.
Së këtejmi, dijetarët theksojnë se edhe jomuslimani mund të sheh ëndër të vërtetë apo të mirë.
 
Allahu e di më së miri.