Forcat rebele, që luftojnë regjimin e Bashar al-Assadit në Siri, kanë thënë disa herë se Teherani është i përfshirë drejtpërdrejt në luftime. Por, arma që do ta dëshmonte këtë, ka munguar.
Shfaqja e disa pamjeve filmike, që tregojnë këshilltarë të ushtrisë iraniane dhe luftëtarë që operojnë në Siri, përkrah forcave qeveritare, mund të mbështesë pretendimet e rebelëve për bashkëpunim.
Videoja e re tregon këshilltarë që flasin rrjedhshëm gjuhën iraniane, janë të veshur me veshje ushtarake dhe koordinojnë operacionet ushtarake në betejë.
Videoja, e cila nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur, është publikuar javën e kaluar nga një grup rebel, i cili ka thënë se ka konfiskuar pamjet, pasi ka sulmuar një kamp iranian në qytetin e Alepos. Filmimet thuhet se zgjasin disa orë, por vetëm pjesë të tyre janë shkarkuar në internet.
Pamjet thuhet se janë incizuar nga një kameraman iranian. Ai besohet se ka vdekur në betejën që ka pasuar. Në një moment, kamera bie në tokë, ekrani errësohet dhe dëgjohen plumba.
Qeveria iraniane ka hedhur poshtë akuzat se vendi ka prani ushtarake në Siri. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Marziyeh Afkham, ka thënë se videoja e këshilltarëve ushtarakë të Iranit është e sajuar.
“Ne nuk kemi ndonjë prani zyrtare ushtarake në Siri”, ka thënë Afkham.
Nëse video është autentike, ajo tregon qartë për rolin luftarak të Iranit në Siri dhe minon përpjekjet e fundit të Teheranit për të pozicionuar veten si paqebërës në krizën siriane.
Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, ka mbetur i palëkundur në dëshirën e tij për një zgjidhje diplomatike të kësaj krize. Më 16 shtator, ai ka thënë se Teherani mund të pranojë këdo si sundues të Sirisë, nëse ai zgjidhet nga populli sirian.
Komentet e tij kanë qenë ndryshe nga deklaratat e mëparshme të zyrtarëve iranianë, të cilët janë zotuar se nuk do të lejojnë kurrë rënien e regjimit të Bashar al-Assadit, aleatit kryesor rajonal.
Në video, këshilltarët dhe luftëtarët iranianë e dinë se janë duke u filmuar dhe flasin lirshëm për rolin e tyre në konflikt. Njëri është komandant iranian, i cili thotë se ka qenë në Siri për afro një vit dhe ka luftuar në qytetet Daria dhe Alepo.
Komandanti thotë se luftëtarët sirianë kanë marrëdhënie miqësore me homologët e tyre iranianë, sepse ata kanë marrë trajnime në Iran. “Ata janë të njohur me zakonet tona dhe kjo e bën bashkëpunimin më të lehtë”, thotë ai.
Ai, po ashtu, e karakterizon konfliktin sirian si një “luftë të shenjtë”. “Lufta që bëjmë ne nuk është me popullin sirian, është me jobesimtarët”, thotë ai.
Sipas tij, “Irani, Hezbollahu, dhe muxhahedinët irakianë e afganë janë në anën e Islamit”, ndërsa “Izraeli, Arabia Saudite, Turqia, Katari… të financiar nga Emiratet, plus Shtetet e Bashkuara, Anglia, Franca dhe Evropa janë në anën e jobesimtarëve”.
Komandanti është identifikuar nga disa media si Ismaeil Haidari. Mediat iraniane kanë raportuar vdekjen e tij në Siri në muajin gusht. Fotografitë e publikuara nga mediat iraniane, kanë treguar varrimin e tij që është mbajtur në një qytet verior të Iranit.