Perëndimi po planifikon të formojë një Jugosllavi të re duke përjashtuar Slloveninë dhe Kroacinë, e duke i zëvendësuar ato me Shqipërinë dhe Kosovën. E gjithë kjo me qëllim që Perëndimi ta përjashtojë Rusinë nga ndikimi i saj në Ballkan.
Kështu shkruajnë disa media serbe duke bërë të ditur iniciativën për formimin e Gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor (G6) e cila nënkupton bashkëpunim institucional ndërmjet Bosnjë e Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë, Kosovës, Shqipërisë dhe Serbisë në kontekst të integrimeve evropiane.
Kjo ide tani për tani ka tërhequr vëmendjen e Sllovenisë dhe Kroacisë, edhe pse këto shtete janë tashmë anëtare të Bashkimit Evropian (BE).
Ideja për formimin e sërishëm të Jugosllavisë në ndonjë format të ri për shumëkënd është e papranueshme por aktualizimi i kësaj teme e parashtron pyetjen nëse në heshtje po përgatitet diçka e tillë në këtë drejtim.
Sipas medieve serbe perëndimi ka në plan formimin e mini-Jugosllavisë që ta përjashtojë Rusinë nga rajoni, megjithëse raportohet se është Mali i Zi ai që ka ngritur këtë nismë.
Sipas këtyre medieve qysh para tre vitesh është përmendur bashkimi i Ballkanit, që do të fillonte së pari me integrimin ekonomik.
Rreth idesë për formimin e G-6 të Ballkanit perëndimor, ende është herët të thuhet nëse një aleancë e tillë mund të jetë funksionale në kushte kur të gjitha vendet janë të ngarkuara me çështje të hapura, vlerësojnë analistët politik.
Jugosllavia e re, e pamundshme
Politikani Ismet Ramadani thotë se kjo hidhet si ide për të inkurajuar bashkëpunimin midis shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe një Jugosllavi e re si ajo e dikurshmja nuk mund të krijohet.
Sipas tij, këtë model përveç Serbisë nuk e pranon askush tjetër.
“Serbisë ndoshta do ti konvenonte ta rikthejë përsëri ndikimin në këtë pjesë të Ballkanit. Shqiptarët s’duhet ta mohojnë bashkëpunimin mirëpo duhet të jenë të vendosur se vetëm në uadër të BE-së shqiptarët fitojnë më shumë sa i përket bashkëpunimit ndërshqiptar në aspekt politik, ekonomik, kulturor…Shqiptarët janë më të hapur në Ballkan për bashkëpunim, por jo ky bashkëpunim të lidhet me organe, administratë, sepse shtohet burokracia më tepër. Duhet bashkëpunim por jo me administratë, organe dhe institucione të cilat detyrojnë shtetet e pavarura të lidhen në kuadër të ndonjë federate apo konfederate”, thekson Ramadani.
Profesoresha universitare Biljana Vankovska thotë se ky është njëri nga propozimet për ndonjë lidhje të ngushtë të kësaj pjese të Ballkanit.
“Por, shikuar realisht, të gjitha shtetet janë të ngarkuara me çështje të hapura aktualisht, ndërsa posaçërisht nga e kaluara. Është rëndë të mendohet bashkëpunim i ngushtë midis BeH, Serbisë dhe Kosovës kur shërbimet e sigurisë ende përfshijnë njerëz të cilët kanë qenë pjesëmarrës aktiv në konfliktet ushtarake, si dhe për të tillë që ka dyshime për krime lufte, pikërisht ndaj popullatës nga vendet fqinje ose në shtetin e njëjtë”, thotë Vankovska.
Sipas saj, nisma malazeze më tepër është një hap të cilin Mali i Zi duhet ta prezantojë si bartëse e një fryme të re në rajon edhe atë në sytë e Brukselit, e jo si vizion të menduar mirë e cila do ketë gjasa për realizim.
Analisti politik nga Kosova Adriatik Kelmendi thotë se çdo iniciativë për bashkëpunim midis vendeve në rajon është hap i mirë për përmirësimin e situatës në Ballkan.
Për polici të përbashkët mendoj se ka gjasa, por vështirë është e realizueshme ajo për Parlamentin. Si do të formohej, si do të funksiononte, çka do të arrihej dhe a është në konflikt me diçka që veç më funksionon”, thotë Kelmendi.
Sipas tij, të gjitha vendet e rajonit janë aspirante për në BE dhe puna e përbashkët në disa sfera mund ta përshpejtojë integrimin.
“Ky ndoshta është propozim që duhet patjetër të përpilohet mirë, por unë megjithatë mendoj se më mirë është që të bashkëpunohet se sa të mos bashkëpunohet”, shton Kelmendi. (Bekim Buçi) /zhurnal/
EDITOR
11 years ago
previous article
'Fluent', kurse edhe për filloristët
you might also like
FRI REALIZOI TAKIMIN E PARË ME BURSISTËT
6 days ago
17 NËNTORI, DITA NDËRKOMBËTARE E STUDENTËVE
6 days ago