Categories
Lajme

A do të përfundojë kriza e Krimesë në një luftë?

Trupat besnike ndaj Rusisë kanë fituar kontroll mbi rajonin dhe parlamenti pro-rus ka votuar për t’iu bashkuar Federatës ruse, që do të hidhet për votim në një referendum.
Pse është bërë Krimea një zonë e nxehtë?
Krimea është qendra e mendimeve pro-ruse, që mund të shpien në separatizëm. Rajoni, një gadishull në bregun ukrainas të Detit të Zi ka 2.3 milionë njerëz, një shumicë që e identifikojnë veten si rusë etnikë dhe që flasin rusisht. Rajoni votoi bindshëm për Viktor Janukoviç në zgjedhjet presidenciale të 2010-ës dhe shumë njerëz atje besojnë se ai është viktimë e krimit të organizuar dhe po nxit separatsitët në parlamentin e Krimesë të votojnë për t’u bashkuar me Federatën ruse një një referendum.
A është Krimea vërtet ukrainase?
Këtu jepet një histori e shkurtër e Republikës së Krimesë
Rusia ka qenë fuqia kryesore dominuese në Krime për më tepër se 200 vjet, që pas aneksimit të rajonit në 1783. Por Krimea iu transferua Ukrainës – e cila ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik – nga Moska, në vitin 1954. Disa rusë etnikë e shohin këtë si një gabim historik. Megjithatë, një minoritet tjetër i rëndësishëm, tatarët myslimanë të Krimesë, vënë në dukje se ata ishin dikur një maxhorancë në Ukrainë dhe u internuan nga lideri sovjetik, Xhozef Stalin në vitin 1944 për bashkëpunim me pushtuesit nazistë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ukrainasit etnikë përbënin 24% të popullsisë në Krime, sipas censusit të vitit 2001, krahasuar me 58% të rusëve dhe 12% të tatarëve. Tatarët janë kthyer që prej rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, duke shkaktuar tensione të vazhdueshme me rusët mbi të drejtat e pronës.
Do të “shkëputet” Krimea?
Rajoni mbetet ligjërisht pjesë e Ukrainës, një status që Rusia e përkrahu kur u zotua të ruajë integritetin territorial të Ukrainës në një memorandum të firmosur në vitin 1994, i firmosur po ashtu edhe nga ShBA, MB dhe Franca. Ai mbetet një republikë autonome brenda Ukrainës, që zgjedh parlamentin e vet. Kievi ka caktuar kryeministrin e Krimesë, pas konsultimit me parlamentin rajonal.
Mirëpo pas krizës, anëtarët e parlamentit krimeas caktuan një lider pro-Moskës, Sergei Aksyonov, pa miratimin e Kievit. Ai i kërkoi ndihmë presidentit Putin për të garantuar paqen dhe e ka siguruar parlamentin e Krimesë se do të bashkohet me Rusinë, në referendumin që do të mbahet në 16 mars.
Ai do t’i bëjë dy pyetje:
1. A jeni në favor të ribashkimit të Krimesë me Rusinë, si një pjesë kushtetuese e Federatës ruse?
2. A jeni në favor të rikthimit të Kushtetutës së Republikës (autonome) të Krimesë të vitit 1992 dhe ruajtjes së statusit të Krimesë si pjesë e Ukrainës?
Sipas kushtetutës së Ukrainës “çështjet e ndryshimit të territorit të Ukrainës zgjidhen ekskluzivisht nga një referendum në të gjithë vendin”. Në këtë mënyrë, Krimea do të thërrasë referendumin lokal.
Cili është pozicioni i Rusisë?
Lideri jozyrtar i Krimesë ka qenë në kontakt të afërt me Moskën dhe mendohet se ka përkrahur ndarjen. Kriza në Krime filloi kur 11 mijë ushtarët besnikë ndaj Rusisë fituan kontroll mbi gadishullin dhe bllokuan bazat ukrainase. Meqë Moska i quan ato forca lokale të vetëmbrojtjes, shumë prej tyre mendohet se janë rusë. Ajo e argumenton përgjegjësinë e saj për sigurinë e rusëve etnikë në rajon.
Rusia ka një bazë detare në Sevastopol, aty ku ndodhet flota e Detit të Zi. Sipas termave të marrëveshjes, çdo lëvizje e trupave ruse jashtë bazës duhet të autorizohet nga qeveria ukrainase.
Ka pasur raporte mbi të dërguarit e Rusisë që kanë shpërndarë pasaporta në gadishull. Ligjet e mbrojtjes së Rusisë lejojnë veprimet ushtarake që “mbrojnë qytetarët rusë”.
A do të përfundojë kriza e Krimesë në një luftë?
Vladimir Putin ka kërkuar aprovimin e parlamentit për vendosjen e trupave jo vetëm në Krime, por në të gjithë Ukraninën. Moska, që i quan autoritetet e reja të Kievit si fashiste, mund të dërgojë trupa për të “mbrojtur” rusët etnikë në Ukrainën lindore.
Kjo mund t’i zemërojnë nacionalistët e Ukrainës perëndimore, që mbajnë poste në qeverinë e re. Mund të ketë edhe zmbrapsje nga ndërkombëtarët. Fuqitë perëndimore e kanë dënuar marrjen e Krimesë. Nuk ka gjasa që NATO të reagojë nga ana ushtarake, por ajo po mbulon republikat baltike, duke paralajmëruar një rritje të aktivitetit ushtarak rusk në enklavën e Kaliningradit.
ShBA dhe BE janë duke vendosur sanksione, por presidenti Putin mund të besojë se ato nuk do të zgjasin, siç ishte rasti i luftës së Gjeorgjisë.
Çfarë ndodhi në Gjeorgji? 
Në vitin 2008, Rusia dërgoi trupa në rajonin e Osetisë së Jugut, duke përçarë forcat gjeorgjiane që ishin përpjekur ta rimerrnin territorin. NATO vendosi të ndërhynte. Por Krimea është më e madhe se Osetia e Jugut, Ukraina më e madhe se Gjeorgjia dhe popullsia e Krimesë më e përçarë sesa Osetia Jugore pro-ruse.
Moska mban qëndrim negativ ndaj atyre që i sheh si uvertura të BE-së dhe NATO-s me Ukrainën. Kjo nuk është thjesht një betejë gjeopolitike për ndikimin e Rusisë. Presidenti Putin po kërkon të mbrojë tokën që ai e quan të lidhur historikisht dhe kulturalisht me Rusinë.
A nuk pati njëherë luftë në Krime?
Krimea ka pasur luftëra shumë herë në histori. Ngjarja për të cilën shumë mund të kenë dëgjuar është Lufta e Krimesë në vitet 1853-1856, e njohur si Rrethimi i Sevastopolit. Lufta ishte rezultat i ambicieve rivale imperialiste, ku Britania dhe Franca, që dyshonin për ambiciet ruse në Ballkan pas rënies së Perandorisë Osmane, dërguan trupa në krime. Rusia humbi.  /Shekulli Online/

Exit mobile version