Categories
Opinione

A duhet me mbush diçka?

Te ndërmarrja publike ‘ Postat e Maqedonisë’ në Kumanovë dhe gjetiu gjen shumë të rinj e të vjetër që presin klientët e tyre për t`i mbushur fletëpagesat ose dokumentet e ndryshme. Numri i tyre së paku në Kumanovë është aq i madh, sa krijohet rrëmujë si në treg të gjelbër kur shkon me paguajt diçka.
Hallexhinjtë presin prej qytetarëve që t`i përgjigjen pozitivisht kërkesave të tyre për t`i mbushur fletëpagesat e ndryshme për një shumë modeste hallexhiu parash. Pjesa më e madhe e këtyre të papunëve që janë vet-punësuar në këtë mënyrë janë shqiptar.
Ky fenomen tregon për varfrin e popullatës në këtë shtet dhe orientimin e politikave të dështuara ekonomike të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, sidomos në pjesën shqiptare.
Në disa biseda me disa hallexhinj dëgjova se disa shqiptar nga Kumanova kishin vendosur për të migruar në Negotinë, një vend me maqedonas, pasi që pas hapjes së një fabrike në atë vend, kishte mungesë të taksistëve. Këto hallexhinj po shpresojnë se do t`i zgjidhin problemet e tyre ekonomike në këtë mënyrë. Pas hapjes së asaj fabrike në Negotinë, shumica e taksistëve të palicencuar ishin punësuar në atë fabrikë dhe në atë vend kishin ngelur vetëm taksistët e licencuar të cilët nuk kanë mundësi që të i përgjigjen pozitivisht të gjitha thirrjeve.
Maqedonia e vendosur dhe e ndarë në dy pjesë të theksuara duhet urgjentisht që të bëj një ndryshim revolucionar politik. Edhe pse shumë shkolla rindërtohen ose riparohen prej qeverisë së R.M., madje në disa vende ndërtohen edhe shkolla të reja, në fshatin Sllupçan të Komunës së Likovës që disa javë ka filluar që të riparohet shkolla fillore ‘ Faik Konica’ me kontributin e vet arsimtarëve dhe fshatarëve të këtij fshati. Edhe pse në Maqedoni ekziston një ministri e arsimit e cila duhet të kujdeset për të gjitha objektet e këtij lloji, ajo në mënyrë selektive vepron vetëm në pjesën maqedonase të Maqedonisë, ndërsa në shkollat shqipe duhet që të ekzistojnë iniciativa private të njerëzve vullnetmirë për të bërë diçka.
Fenomeni i mbushjes së fletëpagesave nga të papunët shqiptar dhe derdhjes së miliona eurove në Shkupi-2014, në përmendore provokative e objekte të panevojshme tregon për tiparet e një qeverie diktatoriale si në kohën e Perandorisë Romake.
Shqiptarët duhet patjetër që të ndëshkojnë shumë politika që janë kundër tyre. Mirëpo ky ndëshkim nuk duhet që të ndodh vetëm pasi që të mbështeten për muri, por të jetë ndëshkim i vetëdijshëm e paraprak.
Ato hallexhinj e të papunë nuk kanë faj pse janë detyruar që të dalin tek dyert e ‘ Postave të Maqedonisë’ dhe të presin prej qytetarëve të këtij vendi të i përgjigjen pozitivisht ftesave të tyre. Këto njerëz duhet që të ri-socializohen ose që të punësohen dhe të përfitojnë edhe ato prej beneficioneve të investimeve të jashtme që po ndodhin në Maqedoni. Të gjitha investimet e huaja të jashtme po bëhen në Shtip, në Prilep, në Makedonski Brod, në Negotinë e në vendet tjera ku shqiptar mund të gjesh vetëm sa për ilaç. Ndërsa investimet e brendshme nga buxheti i qeverisë së R.M. që duhet të ndodhin në Kumanovë, Komunë të Likovës, komunat shqiptare të Shkupit, Tetovë, Gostivar, Dibër, Kërçovë, Strugë, po derdhen në ndërtimin e ‘ Shkupi-2014’.
A duhet me mbush diçka, nuk gjen askund në botë, përveç në Maqedoni.

Exit mobile version