Categories
Fetva

A duhet thënë bismilah kur japim injeksione jomuslimanëve?

PYETJA: Unë jam mjek dhe kur jap injeksione, bëj bismilah. Mirëpo, ka raste që injeksione u japim edhe jo muslimanëve. Në këtë rast, a bën të bëj bismilah, ngase jam në dyshim?
Bashkim Aliu
PËRGJIGJA: Esselamu alejkum. Së pari, puna që e bëni ju mjekët është një punë fisnike dhe e ndershme, është mjaftë e dobishme për njerëzit dhe për ju në të njejtën kohë, ngase tregoni humanitet dhe u ndihmoni njerëzve. Ju duhet ta keni nijetin e pastër dhe fisnik për këtë punë, me qëllim që të fitoni shpërblim te Allahu. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:”Veprat vlerësohen sipas nijetit-qëllimit, dhe çdo njërit i takon ajo që e ka patur për qëllim-nijet…”. Hadithi është sahih-autentik. Kur të nisesh në mëngjes në punë, le të jetë nijeti yt për hirë të Allahut, dhe llogarit në shpërblimin e Allahut, dhe lute Allahun që të të shpërblejë për humanitetin që e tregon ndaj njerëzve. Me këtë, do të keshë dy përfitime:edhe përfitim material, pra rrogën që e mer, edhe përfitim moral dhe fetar, ngase nijeti i shëndoshë fetarisht, të sjell shpërblimin e Allahut xh.sh.
Poashtu, duhet të jeni të kujdesshëm mos e keqpërdorni profesionin, ngase keqpërdorimi juaj është më i rëndë, gjegjësisht nuk është si keqpërdorimi në ndonjë profesion tjetër, edhe pse të gjitha keqpërdorimet ndalohen me fe. Keqpërdorimi juaj lidhet me shëndetin e njerëzve, dhe kjo në asnjë mënyrë nuk guxon të ndodh. Këtu aludoj në largimin tuaj kategorik nga ryshfeti, apo nga lidhja e intervenimit mjekësor më serioz, me ryshfetin.
Ndërkaq, sa i përket pyetjes suaj, nuk ka nevojë të keni dyshime për këtë gjë. Ju bëni bismilah dhe luteni Allahun t’ju ndihmojë që në mënyrë më perfekte ta kryeni punën tuaj si profesionistë, ku bën pjesë edhe dhënia e injeksioneve, pa marrë parasyshë a bëhet fjalë për musliman apo jo musliman. Ti bën bismilah për punën që e bën, pa marrë parasyshë se kujt i ofrohet shërbimi. Përmendja e emrit të Allahut në fillim të punëve lidhet me punët, e jo me personat për të cilët bëhet ajo punë.
Ju bëni bsmilah që Allahu t’ju ndihmoje ta kryeni me sukses intervenimin mjekësor te i sëmuri, e shërbimi ndaj të sëmurit nuk lidhet me përkatësi fetare apo nacionale apo ndonji përkatësi tjetër. Por, çdo punë e mirë dhe e ndershme, që është për të mirën e njeriut, ka shpërblim nëse bëhet me nijet të pastër, bile edhe nëse u ofrohet si shërbim jo muslimanëve, ngase edhe ata janë njerëz. Ndihma ndaj njeriut nuk ka kufij fetar, nacional apo kufij tjerë, por çdo një që ka nevojë, duhet të ndihmohet. Të gjithë njerëzit janë krijesa të Allahut, dhe kur të kenë nevojë, duhet të ndihmohen, pa marrë parasyshë cilës fe i takojnë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka treguar se një femër është futur në Xhenet për shkak humanitetit që ka treguar ndaj një qeni të etshëm, e lene më ndaj njeriut. Përkatësia fetare e ka vendin e vet në kontekste tjera, ndërkaq, kur është në pyetje mjekësia apo ndihma që u ofrohet të sëmurve, kjo nuk lidhet me përkatësinë fetare të njeriut, por çdo një që ka nevojë, ndihmohet, në veçanti kur është në pyetje shëndeti.
Për atë, bën bismilah edhe nëse pacienti është jo musliman, ngase edhe atij duhet t’i ndihmohet kur është i sëmurë, dhe edhe ndaj tij duhet të synojmë ndërhyrje të sukseshme mjekësore.
Bile, me këtë veprim, ndoshta mund të arrishë edhe shpërblim shumë më të madh, nëse i sëmuri ndikohet nga sjellja jote, e dëgjon bismilahin dhe e përqafon Islamin. Pra, kjo është edhe një formë daveti-thirrje, që bëhet përmes mjekësisë.
Përndryshe, fetarisht kërohet prej muslimanit që punët e veta t’i filloje me bismilah. Ka shumë hadithe në këtë drejtim, dhe nëse shiqohet suneti pejgamberik, do të shihet se jepen instruksione për përmendjen e Allahut, gjegjësisht bërjen bismilah, në shumë punë, si:haja dhe pija, marrëdhëniet intime me bashkëshorten, hyrjen në shtëpi, hypjen në mjete udhëtimi, therrjen e kafshëve, etj.
Allahu e di më së miri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version