Konformizmi dhe vullneti i shtrydhur i qytetarëve për ndryshim nga njëra anë, si dhe opozita e pa-konsoliduar dhe komode me rolin e vet nga ana tjetër, janë arsyet të cilat i kanë hetuar analistët vendor sa i përket mos-ndryshimit të mundshëm të forcave politike në Maqedoni nëse së shpejti mbahen zgjedhje të parakohshme.
A mundet edhe Maqedonia ta ndjek shembullin e Shqipërisë dhe Kosovës?
Në Shqipëri qytetarët nuk e votuan më Sali Berishën pas disa viteve në pushtet, ndërkaq në Kosovë, përkatësisht në Prishtinë ndodhi befasia me shpallej e Shpend Ahmetit të lëvizjes Vetëvendosje fitues në zgjedhjet lokale. Çfarë të themi për Maqedoninë?
“Ndryshimi filloi në Shqipëri, ku u ndëshkua qeveria korruptive e Berishës, vazhdoi në Kosovë dhe logjikisht duhet të ndalet në Maqedoni. Megjithatë, shqiptarët e Maqedonisë nuk kane as opozite të konsoliduar e as alternativë të tretë. Andaj këto ndryshime te ne do të arrijnë me një vonesë disavjeçare” thotë për Portalb, gazetari dhe njohësi i rrethanave politike Xhelal Neziri.
“Atë që e manifestuan qytetarët në Kosovë është një vendim politik që duhet përshëndetur sepse ata treguan se transformimi i pushtetit, qoftë ai edhe lokal, sjell zhvillim pozitiv përgjithësi të proceseve demokratike. Ndërsa në Maqedoni, atmosfera politike është tejet e ngulfatur dhe nuk ka ndonjë sinjal se mund të ndodh ndryshimi në kuptimin e përgjithshëm politik” shprehet për Portalb, profesori un universitar Sefer Tahiri.
“Krahasuar me Shqipërinë, Maqedonia nuk ka parë protesta me një angazhim kaq të gjerë të mbarë shoqërisë. Fatkeqësisht, nuk ka asnjë çështje që i bashkon të gjithë qytetarët për një kauzë të vetme. Natyrshëm, meqë ndarjet e shumta e lehtësojnë qeverisjen dhe manipulimin, fragmentimi nxitet rregullisht nga pushteti si mekanizëm kontrolli për ta zvogëluar mobilizimin” shkruan në kolumnën e tij të përjavshme në Portalb, publicist Gjakush Kabashi.
Pse është vështirë të nxitet ndryshimi në Maqedoni?
“Apatia e qytetarëve si pasojë e papunësisë dhe punësimit me libreza partiake, qytetarët që e kanë qejf konformizmin dhe nuk dëshirojnë të përplasen me subjektet politike në pushtet dhe komoditetin që manifeston në raport me pushtetin konkretisht me partinë shqiptare në pushtet. Të gjitha këto janë elemente që ndikojnë ne të kemi këtë raport të forcave politike posaçërisht në skenën shqiptare.” shprehet Tahiri.
Kabashi thotë se është mungesë e vullnetit dhe guximit të shoqërisë.
“Arsye për shoqëri shtërpe dhe qëndrim pasiv ka plot. Ajo që është tmerruese, është që jo vetëm se jemi larg nga cilido shtet i BE-së, por për ne janë të pakapshme edhe zhvillimet në vendet lindore me histori të ngjashme. Ndryshimi mund të ndodhë, me shumë vullnet dhe energji. Krejt çka nevojitet është që qytetarët të kenë guxim, udhëheqësit të jenë vizionarë dhe shoqëria vërtetë të dëshirojë një kthesë rrënjësore.
Sot, në Maqedoni nuk e kemi asnjërën dhe rezultatet janë të dukshme në çdo hap. Kjo mund të duket si pohim i guximshëm – po aq sa edhe pritja për diçka më të mirë, duke vepruar në mënyrë të njëjtë që nuk ka sjellë asnjë rezultat deri tani. Me një fjalë, nëse ka vullnet, gjendet mënyra. Nëse nuk ka, si në rastin tone, është e drejtë të paktën të mos e mashtrojmë veten me shpresë se meritojmë diçka më mire, por që duhet fituar nga ndokush tjetër, meqë ne nuk jemi të gatshëm ta meritojmë atë vetë” shkruan mes tjerash Gjakush Kabashi.
“Rezultatet e zgjedhjeve në Prishtinë dëshmuan se qytetaret janë të lodhur, të rrjepur dhe të zhgënjyer deri në fund nga politikanët e korruptuar dhe hajna që aktrojnë patriotin apo nacionalistin. Përkrahën kuadro me mentalitet të ri, me kualitete të reja dhe të pa-korruptuar. Në Maqedoni ende nuk ka një vigjilencë të tillë qytetare” përfundon Xhelal Neziri. /Portalb
admin
11 years ago
previous article
Studimi global për edukimin, Shanghai kryesuesi
next article
Skuadra e vitit, UEFA hap votimin e tifozëve
you might also like
FRI REALIZOI TAKIMIN E PARË ME BURSISTËT
1 week ago
17 NËNTORI, DITA NDËRKOMBËTARE E STUDENTËVE
1 week ago