Blasfemia e gazetave daneze dhe franceze me ‘imazhin’ e pa prekur deri më tani, të Pejgamberit të fundit të Myslimanëve, Muhammedin a.s., botës i ka sjellë vetëm telashe.
Kur dikush të ndalë në rrugë dhe t’i shan prindërit, i tilli as nuk mund të konsiderohet i kulturuar as artist e as i qytetëruar. Arti është botë e gjerë, shumë më e gjerë se çfarë disa artistë e kufizojnë në mendjet e tyre, megjithatë si prezantues i botës së brendshme të njeriut ai nuk duhet të çoroditet me interesa individuale, grupore apo politike. Nuk ka ligj që e mbron nënçmimin, blasfeminë. Nuk ka shkencë as civilizim që të mos e ketë konsideruar blasfeminë si akt të ulët të mungesës së ndërgjegjes dhe edukatës elementare. Blasfemia pa dyshim nuk është art veçse mungesë e tij.
Para së gjithash, termi blasfemi është shumë i gjerë për nga kuptimi dhe i vjetër për nga ekzistimi. Mendohet se burimi i tij është biblik dhe nga kjo frymë shumica e interpretimeve që i bëhen këtij termi janë teologjike. Në fjalorin e gjuhës shqipe termit blasfemi i është dhënë sqarimi si një veprim që nënkupton përqeshjen dhe nënçmimin e fesë. Afërsisht njëjtë sqarohet edhe në gjuhët e tjera, duke specifikuar forma të manifestimit të saj.
Blasfemi konsiderohen fjalët, veprat që bien në kundërshtim me parimet thelbësore teologjike, të cilat parime nuk do të prekëshin asnjëherë nga besimtarët e tyre. Thënë me shkurt blasfemia paraqet një veprim të ulët njerëzor i shtyrë nga faktorë të ndryshëm, por që lëndon besimet fetare.
Blasfemi në emër të kujt ?!!!
Blasfemia e kohëve të fundit që nga publikimi i karikaturave për Pejgamberin Muhammed a.s. nga gazetat daneze e e franceze deri te këto të fundit, botës i ka sjellë vetëm telashe. Blasfemia në Evropë ka qenë e shprehur edhe më herët. Nuk janë të pakta edhe reagimet dhe protestat e besimtarëve të krishterë për blasfeminë që individë ekstremistë-ateistë e grupe të ngjashme antifetare që blasfemonin me figurën e Krishtit. Edhe vetë papa, lideri shpirtëror i krishterëve, ka pasur disa herë reagime të ashpra në lidhje me këto veprime të ulëta.
Para së gjithash përkrahësit e blasfemisë (kupto ato i japin emërtime të tjera më të buta veprimeve të tyre ) thonë se kemi të bëjmë me shprehje të lirë të ndjenjave dhe mendimeve, se ato paraqesin qytetërim, ato janë art.
A thua ka diku ligj që mbron ‘atë liri ‘ të shprehjes që cenon dhe nënçmon dikë tjetër! Karikaturat, humorin blasfemues, sajtet blasfemuese ata i arsyetojnë si akte me nivel, porse problemi është te publiku që është i paedukuar, i pacivilizuar, i trashë, fanatik që nuk po arrin të kuptojë këto vepra arti .
Të lëmë pak çështjen e karikaturave blasfemuse dhe të kthehemi te humori ynë . Shumë shpesh në programet vizuale të humorit paraqitet blasfemi, madje ndonjëherë sa ose më e vrazhdë se ajo e karikaturave me Pejgamberin a.s. , sepse në këto pjesë humori ironizohen çështje të besimit në Zotin Një, gjithnjë duke mos e përjashtuar mundësinë që të tillat nuk janë tendencioze, porse sherre pa qëllim nga mungesa e informacionit për çështjet në fjalë. Megjithatë ata duhet të kenë në konsideratë në të ardhmen. Pejgamberi i fundit Muhammedi a.s. ka thënë:
‘Njeriu e thotë një fjalë, me qëllim që t’i bëjë të qeshin njerëzit, e me të rrëmbehen më larg sesa në mes qiellit e tokës! Njeriu rrëshqet me gjuhën e vet më keq sesa me këmbët e veta!’
Duke u kthyer te blasfemia e karikaturave dhe filmit blasfemik, vërehet çartë se ishin tendencioze që qëllimisht të provokonin myslimanët, të frustronin dhe të revoltonin myslimanët, derisa ata të reagonin vrullshëm në mënyrë që kështu të kemi dosje nga skenat e protestave që ishte normale të bëheshin pas një akti të tillë.
Sepse, siç thotë edhe dijetari i shekullit dr.Jusuf Kardavi: ’Nuk është njëlloj të përbuzet një nxënës dhe një mësues, nuk është njëlloj të përbuzet një i ri apo një plak’ , ?!
Këtu nuk ka mendim. Kur dikush të takon dhe ta ofendon babanë!, a mund të jetë ky mendim me të cilin mund të pajtohesh?! Kjo është qartë një ofendim!
Guximi është budallallëk – budallallëku është larg për të qenë art. Kur nuk i qeshet publikut, atëherë duhet t’i hedhim shikim vetvetes një autokontroll gjeneral. Kështu ata po kërkojnë ta çmendin ligjet, artin, kulturën sikur të ishin jetimë apo bastardë të secilit.
Përpjekjet për të paraqitur blasfeminë si kulturë, art, e drejtë ligjore, qytetërim janë absurde dhe nënçmim dhe dërrmim i kulturës, artit, ligjit e qytetërimit.
Qartazi që blasfemia nuk është art e liri e mendimit, por e kundërta e saj.
Sa për atë që pretendojnë se blasfemia është liri e mendimit duhet të kenë në konsideratë faktin se OKB-ja ka miratuar një sërë rezolutash që luftojnë blasfeminë. Pra s’do mend se ligji duhet të thotë fjalën tij në situata të tilla ngjashëm si artistët e mirëfilltë dhe të përgatitur duhet të distancohen nga të tilla veprime të ulëta dhe jo t’i justifikojnë.
Kur dikush të ofendon, mendo se si do të reagosh. Si reaguam ne dhe si duhej. dr. Jusuf Kardavi thotë se : ‘Zemërimi në situata të tilla është me vlerë, bile është detyrim-farz’ . Asnjë besimtar nuk duhet të hutohet dhe ta pranojë blasfeminë, pavarësisht se si e kamuflojnë me emra të tjerë kur esenca mbetet e njëjtë. Dijetari Imam Shafiu ka thënë: ‘ Kur dikush dëshiron të zemërojë dikë e ai nuk zemërohet, atëherë ai është gomar’. Dr. Kardavi e vazhdon më tej : ‘Ne myslimanët nuk jemi gomerë, gomerë që dikush e shfrytëzon për bartje, por jemi luanë të fuqishëm, të cilët mbrojnë dhe kur nënçmohen vlerat e tyre të shenjta. Myslimanët duhet ta shfaqin zemërimin e tyre në emër të Zotit të tyre, Pejgamberit dhe Kuranit të tyre. Nuk e pranojmë nënçmimin e fesë sonë, sepse ai i cili përulet me vetë dëshirë nuk është mysliman. … Ndërsa e tërë krenaria i takon All-llahut, të dërguarit të Tij dhe besimtarëve, por hipokritët këtë nuk e dinë, thoshte dijetari Kardavi.
Ndoshta dikush mund të mendojnë se deklarimet e më sipërme janë tensionuese, e realisht ato janë forma më e butë e deklarimit në gjithë këtë situatë të tmerrshme që u gjenden myslimanët dhe parimet e pacenuara të tyre deri më tash.
Por reagimi i natyrshëm mysliman, me etik Islame nuk justifikon veprime të dhunshme e të përgjakshme. Reagimet e tilla që mund të vijnë nga njerëz brenda shoqërisë Islame ose janë nga individ me njohuri të cekta rreth fesë, ose janë nga individ që u shërbejn agjendave anti islame.
Në anën tjetër tortura nuk ka përfunduar ende, karikaturat ende qëndrojnë si ankthe tmerruese dhe dëshmi e ultësisë dhe luftës psikologjike. Këtu dua të potencoj faktin se nuk qenë thjesht vetëm publikime disa ditore të gazetave, por karikaturat dhe filmi edhe më tej gjenden në internet dhe sa herë sërfuesit hulumtojnë diçka për çështjen ose me emrin e Pejgamberit Muhammed a.s. ato ndër të tjera do t’i paraqiten si rezultate të kërkimit në ‘Google’ ose ‘Youtube’ ose edhe uebsite të ngjashme.
Duke e përfunduar me atë që blasfemia nuk është art, as kulturë e qytetërim, pastaj se një mori ligjesh janë që e sanksionojnë atë, mbetet që të dëshmojmë kulturën tonë duke mos e pranuar atë si dukuri normale në shoqërinë dhe botën tonë.
Categories