Categories
Fetva Ramazani

A është syfyri kriter thelbësor për agjërimin?

Pyetje:”Paqja e Zotit qoftë me ju! Dua të di nëse syfyri është kriter thelbësor për tu konsideruar agjërimi i saktë!”
Shejh Jusuf Kardavi
Përgjigje:”Syfyri nuk është kriter për agjërimin e Ramazanit, por është thjesht synet. Nëpërmjet ngrënies së syfyrit synohet të forcohet trupi me qëllim që ta përballojë më kollaj agjërimin, pasi kështu reduktohen orët e urisë dhe etjes. Le të shohim më në detaje çfarë mendon shejh Jusuf Kardavi për këtë çështje:
Fjala syfyr, përdoret për ushqimin që hahet para agimit, ushqim me të cilin synohet përballimi me më pak vuajtje i agjërimit, sidomos gjatë verës kur dita është e gjatë. Prandaj, Profeti a.s i këshillonte myslimanët me fjalët:”Hani syfyr pasi syfyri ka bereqet!” (Buhari dhe Muslim)
Syfyri bën edhe dallimin mes agjërimit të myslimanëve dhe të jomyslimanëve. Thotë Profeti a.s:”Ajo që e dallon agjërimin tonë nga agjërimi i ithtarëve të Librit është ngrënia e syfyrit.” (Muslim)
Syfyri duhet të përbëhet nga diçka që hahet, qoftë dhe hurma arabe, ose tek e fundit disa gllënjka ujë. Transmeton Ebu Seid El-hudrij se Profeti a.s ka thënë:”Syfyri është i gjithi bereqet, prandaj mos hiqni dorë prej tij qoftë dhe me një gllënjkë ujë. Vetë Zoti dhe engjëjt e tij luten për ata që hanë syfyr.” (Ahmed)
Nga bereqeti i syfyrit, është se përveç energjive fizike, ai e pajis  besimtarin edhe me energji shpirtërore. Kjo, nga vetë fakti që besimtari e shoqëron syfyrin me dhikër, istigfar, lutje etj… Koha e syfyrit është kohë kur zbret mëshira e Zotit.
Vonimi i syfyrit është traditë profetike, pasi kështu reduktohet periudha e privimit nga ushqimi. Thotë Zejd ibnu Thabit:”Hanim syfyr me Profetin a.s, mandej ngriheshim për tu falur.” Enes e pyeti:”Sa ishte kohëzgjatja nga syfyri tek namazi?” Ai u përgjigj:”Sa leximi i pesëdhjetë ajeteve.” (Buhari dhe Muslim)
“Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës), pastaj plotësojeni agjërimin derisa të bjerë mbrëmja.” (Bekare, 187)
Sipas këtij ajete, lejohet të ushqyerit deri në agim. Nëse dikush ka dyshime mbi lindjen e agimit, atij i lejohet të ushqehet derisa të sigurohet. Ky mendim është i Abdullah ibnu Abasit, i cili thotë:”Ha përderisa ke dyshim, derisa të sigurohesh.”
Ebu Daudi transmeton se imam Ahmedi hante derisa të sigurohej për lindjen e agimit.
Transmetohet nga Ebu Hurejre se:”Nëse dikush prej jush dëgjon ezanin, ndërkohë që në dorë ka pjatën, mos e lërë derisa të përfundojë.” (Hakim)
Transmeton Aisheja, se Bilali e thërriste ezanin natën. I dërguari i Zotit a.s pati thënë:”Hani e pini derisa të thërrasë ezanin Ibnu Ummi Mektum, pasi ai nuk thërret ezan derisa të shfaqet agimi.” (Buhari)
Thotë Ibnu Kethiri:”Transmetohet se një pjesë e mirë e dijetarëve të hershëm, tregoheshin tolerantë me syfyrin në kohën e agimit.”
E njëjta gjë thuhet për Ebu Bekrin, Umerin, Aliun, Ibnu Mesudin, Hudhejfen, Ebu Hurejre, Ibnu Abasin, Zejd ibnu Thabit dhe disa nga brezi i tabi’inëve…” (Tefsiri Ibnu Kethirit)
Që këtu, kuptojmë se koha e imsakut, nuk është e llogaritur me minuta e sekonda, siç bëhet sot. Sakaq, ajo që bëjnë shumë myslimanë sot, të cilët frenohen nga të ushqyerit akoma pa hyrë koha e sabahut, bie ndesh me traditën e Profetit a.s dhe të sahabëve.
Thotë Hafidh Ibnu Haxher:”Ndër risitë e kësaj kohe, është dhe thirrja e ezanit të sabahut, një çerek ore para kohës së tij, si dhe fikja e dritave, gjë e cila sinjalizon kohën e imsakut, ku është haram ngrënia dhe pirja për agjëruesit…” (Fet’hul Bari, 5/102)
Syfyri për agjëruesit
Ngrënia e syfyrit nuk është kusht për agjëruesin, por thjesht sunet. Transmetohet se i dërguari i Allahut a.s e ka praktikuar dhe ka urdhëruar të praktikohet. Ai thotë:” Hani syfyr pasi syfyri ka bereqet!”!” (Buhari dhe Muslim)
Prandaj themi që ngrënia e syfyrit është synet, ashtu siç është synet vonimi i tij, pasi kështu agjërimi bëhet më i lehtë, pasi redukton orët e etjes dhe urisë. Aq më tepër që kjo fe është shpallur për t’ua lehtësuar njerëzve ritualet dhe jetën, e ndër to dhe ngrënia e syfyrit dhe vonimi i tij.
Është prej synetit që agjëruesi të ngrihet në kohën e syfyrit dhe të hajë sado pak, qoftë dhe një kokërr hurmë, apo një gllënjkë ujë. Ngritja për syfyr ka dhe dobi shpirtërore, pasi është pjesa kur Zoti u shfaqet robërve të tij, i përgjigjet lutjeve, i fal ata që kërkojnë falje dhe pranon veprat e tyre që i kanë bërë me sinqeritet. Diferenca mes atij që e kalon këtë kohë duke lexuar Kuran e duke kujtuar Zotin dhe atij që e kalon në gjumë, padyshim që është e madhe.
Megjithatë, Zoti e di më mirë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version