Pyetja: Ngjarja e Israsë dhe Miraxhit i ka ndodhur të Dërguarit të Allahut vetëm me shpirt, apo i ka ndodhur me shpirt dhe trup së bashku?
Përgjigja nga dijetari Atije Sakri:
Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut janë mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjarët e tij, shokët e tij dhe cilindo që e ndjek atë, kurse më tej:
Israja dhe Miraxhi i ka ndodhur profetit Muhamed a.s. me shpirt edhe trup dhe pikërisht këtu qëndron mrekullia e saj. Masa dërrmuese e fakihëve (dijetarëve të jursiprudencës islame), hadithologëve dhe skolastikëve kanë dalë në këtë përfundim. Argumentet mbi këtë janë të shumta.
Dijetari i nderuar, Atije Sakri, ish-president i komisionit të fetvave në Ez’her, thotë:
Dijetarët kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me çështjen e Israsë dhe Miraxhit, nëse kjo ngjarje i ka ndodhur shpirtit të Profetit a.s. dhe trupit të tij, apo i ka ndodhur vetëm shpirtit të tij?
E sakta është, se Israja dhe Miraxhi i ka ndodhur Profetit a.s. me shpirt dhe trup (shpirtërisht dhe fizikisht) së bashku; ky është edhe opinioni i shumicës dërrmuese të dijetarëve të hadithit, fikhut dhe skolastikës; dhe kjo për arsyet që vijojnë:
1. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Pa të meta është Lartmadhëria e Atij [Allahut] që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës (përmes udhëtimit të Israsë) prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes në Kudsin e Palestinës), rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’i treguar atij disa nga argumentet Tona….” [Isra: 1]; artikulimi rob gjuhësisht nuk jepet vetëm për shpirtin, por ai jepet për njeriun në tërësi, për shpirtin dhe trupin e tij, gjë e cila ka ardhur në një sërë vendesh në Kuranin fisnik, si për shembull në fjalën e Allahut të Lartësuar: “A e ke parë atë që e ndalon robin kur ai falet?!” [Alak: 9-10] dhe fjalën e Tij: “Dhe se kur u ngrit robi i Allahut ta adhurojë Atë…” [Xhin: 19].
2. Israja vetëm me shpirt nuk përbën ndonjë çështje të jashtëzakonshme e të mrekullueshme, por është një gjë normale, që i ndodh njerëzve në kohën e gjumit, ku shpirtit i takon të bëjë udhëtime të largëta në rruzullin tokësor, të cilat ai i kryen në një periudhë kohore, që nuk mund të llogaritet me kohën normale të lëvizjeve të trupit. Allahu i Lartësuar nuk kishte sesi ta bënte diçka të tillë të rëndomtë, për të nderuar Profetin e Tij dhe ta cekte në tekstin kuranor që bën fjalë për këtë udhëtim, duke sjellë në krye të këtij teksti “Subhane-i Lavdishëm”, fjalë kjo që përmban në vetvete nocionet e madhështisë dhe lavdisë, të cilat Allahu i Lartësuar gjithmonë i shoqëron me çështje që janë madhështore.
3. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Pamjen të cilën ta bëmë të mundur ta shohësh (në Isra dhe Miraxh), s’e bëmë veçse sprovë për njerëzit” [Isra: 60], pra e bëmë test dhe provim për ta, se sa do ta besojnë dhe një test i tillë mund të ketë kuptim, vetëm atëherë kur udhëtimi është realizuar me trup dhe shpirt së bashku, pasi një ngjitje nate vetëm shpirtërore nuk mund të shërbejë si test dhe në vetvete nuk është ndonjë gjë e çuditshme dhe mrekullueshme. Prandaj dhe idhujtarët, kur dëgjuan mbi ndodhinë e Israsë dhe Miraxhit, përgënjeshtruan faktin, që një udhëtim i tillë të ndërmerret në një natë të vetme, për shkak se ata mund ta kaptonin një distancë të tillë minimumi në disa ditë, madje duke qenë të hipur në deve.
4. Israja me shpirt dhe trup ishte një mrekulli, që e mundësoi Allahu i Lartësuar, pra ishte produkti i Allahut dhe nuk ishte produkti i profetit tonë të nderuar Muhamedit a.s. Mendja nuk e përjashton faktin, që kjo të jetë brenda aftësisë së Allahut, pasi Ai ka mundësi për gjë dhe nuk ka asnjë pengesë që të pranohet ky informacion i dokumentuar mbi ngjarjen e Israsë, me shpirt dhe trup së bashku.
Kjo mund të thuhet në këtë kontekst, duke i bashkangjitur faktin se ai që është shprehur, se ky udhëtim i Muhamedit a.s. ka qenë vetëm me shpirt, është bazuar në thënien e Allahut të Lartësuar: “…E atë pamjen tënde që ta treguam (natën e Miraxhit) dhe pemën e mallkuar (të përmendur në Kur’an), nuk i bëmë për tjetër vetëm se sprovë për njerëz….” [Isra: 60]. Ata thonë se artikulimi arab “Ru’je-Pamje” që vjen këtu, është derivat i foljes “Rae” ëndërruese, jo asaj vështruese, pasi kundrinori derivues i “Rae”-së vështruese është “Ru’jetun”. Por kundërpërgjigja mbi sa në fjalë është, se edhe “Ru’je” e edhe “Ru’jetun” janë dy kundrinorë të “Rae”-së vështruese, sikurse kemi në arabisht rastin me artikulin “Afrim-Kurbe dhe Kurbetun”.
El Mutenebiu, i cili është prej krerëve të poezisë, ka thënë:
“Ru’je-Vështrimi” yt është më i ëmbël se,
Ç’është për qepallat mbyllja e kapakëve të syve.
Edhe pse Ibn Maliku (dijetari i madh i gjuhës arabe) dhe të tjerë veç tij e kanë nxjerr gabim El Mutenebiun në këtë përpilim poetik, duhet ditur se fjala e tyre nuk është argument legjitim, ashtu siç nuk është argument legjitim edhe fjala e El Mutenebiut.
Ibn Abasi, në komentimin e kësaj thënie kuranore, siç transmeton në adresë të tij El Buhariu, ka thënë: “Kjo pamje është pamje e syrit”.
Po kështu kush është shprehur se Israja ka qenë vetëm me shpirt, është bazuar edhe tek fjala e Aishes r.a. ku ajo ka thënë: “Trupi i tij fisnik nuk u përvjer”. Por lidhur me këtë argumentim ka ardhur kundërpërgjigjja se:
1. Ky hadith nuk është autentik, pasi në zinxhirin e tij ka hallkë të shkëputur transmetuesi si dhe gjendet edhe një transmetues i panjohur. Ibn Dehje ka thënë për këtë hadith: “Ky është një hadith i shpikur”.
2. Aishja r.a. përmes këtij kumtimi nuk bën fjalë për çfarë ka parë, por për çfarë ka dëgjuar, pasi ajo asokohe nuk ishte martuar me Profetin a.s., madje sipas disa mendimeve jo unanime midis dijetarëve, ajo në kohën e Israsë dhe Miraxhit ende s’kishte lindur.
3. Aishja r.a. thoshte, se Profeti a.s. nuk e pa Zotin e tij me sy; gjë që e thoshte nisur nga bindja e saj se Israja dhe Mia’raxhi i ngjau Profetit a.s. me shpirt dhe trup së bashku, pasi nëse kjo do ishte në gjumë, pra vetëm me shpirt, atëherë ajo nuk do ta mohonte atë.
Gjithsesi, përderisa hadithi në fjalë i adresuar tek Aishja r.a. nuk është autentik, nuk ka se pse të rrekemi të sjellim komentimin e alternuar që kanë sjellë disa mbi kuptimin e tij se: “Trupi i tij fisnik nuk u përvjer” ka kuptimin “Shpirti nuk e la trupin e tij fisnik”.
E rëndësishme është, se Israja ka ngjarë dhe për ndodhinë e saj na lajmëroi Allahu i Lartësuar në Kuranin fisnik. Kjo është edhe pjesa, të cilën e kemi detyrim ta besojmë, ndërsa fakti që Israja ishte në këtë apo atë mënyre, kjo hyn tek bindja që nuk mund të vuloset në një trajtë kategorike, secili le të zgjedhë atë që do, por duke pasur bindjen, se Allahu është i aftë të bëjë çdo gjë dhe se ëndrra e profetëve është realitet, sipas konsensusit të dijetarëve. Nuk ka përse të hymë në kontradiktë lidhur me këtë pikë. Kush do të marrë informacion shtesë mbi këtë, le të referohet tek libri “El Meuehib el Ledunije-Dhuntitë e Inspirimit Hyjnor”, të El Kastalanit në “El Maksad el Khamis-Qëllimi i Pestë” i dedikuar në subjektin e Israsë dhe Miraxhit, i cili vjen me shpjegimin e Ez Zerkanit (volumi 6, faqja 3 e në vijim).
Allahu është më i dijshmi.
Categories