Categories
Lajme FRI

A je një prind model?

nga Fatma KARAJ
Një ndër përgjegjësitë që ka njeriu është edhe edukimi i fëmijëve. Fëmijët janë stolia e kësaj bote për prindin, por në të njëjtën kohë janë edhe amanet e përgjegjësi. Allahu na ka dhënë në natyrën tonë që të kujdesemi dhe të sakrifikojmë për fëmijët. Siç kujdesemi për mirëqenien e tyre fizike dhe materiale, duhet të kujdesemi edhe për edukimin e tyre. Ka prindër që rëndësinë e edukimit e kanë kuptuar njëlloj si rëndësinë e mirëqenies. Por ka edhe prindër që e kanë lënë pas dore këtë çështje dhe nuk i kushtojnë vëmendjen e duhur. Këta prindër i anashkalojnë fëmijët për shkak se “nuk kanë kohë”. Nëse prindi e lë fëmijën ta edukojë koha apo rruga, atëherë ky prind ka një përgjegjësi shumë të madhe në rast se rezultati do të jetë negativ.
Nga ky këndvështrim, mund të themi që etërit janë më larg nga fëmijët e tyre në krahasim me nënat. Më parë etërit kujdeseshin më tepër për edukimin e fëmijëve, u bëheshin krahë nënave në këtë çështje dhe kujdesin për fëmijët. Por kohët e fundit, një pjesë e tyre kanë hequr dorë nga edukimi, duke ia lënë të gjithë peshën nënave. Thënë ndryshe, nënat edukojnë, kurse etërit sigurojnë aspektin ekonomik, kjo është “marrëveshja”. E kur fëmijët adoleshentë ndjekin rrugë të gabuar, etërit fajësojnë nënat: “Po ti çfarë ke bërë?! Ku ke qenë?! A nuk më shikon se po lodhem për të siguruar jetesën?!” Nëna në këto raste nuk është e vetmja fajtore. Edukimi i fëmijëve është përgjegjësi e të dy palëve. A mund të lundrojë një varkë vetëm me njërën lopatë?
Të dashur prindër! Nuk mjafton vetëm të punojmë e të sigurojmë të ardhurat, por duhet edhe t’i përkushtoheni fëmijëve tanë. Secili prej nesh duhet ta konsiderojë fëmijën si një dhuratë të çmueshme prej Allahut. Një dhuratë, të cilën disa njerëz nuk e kanë dhe do të ishin të gatshëm të jepnin gjithçka veç të kishin një fëmijë.
E ç’vlerë ka të sigurosh anën materiale, nëse neglizhon familjen?!
A mund të ketë njerëz më të zënë dhe më të angazhuar se profeti Ibrahim (a.s.)? Në Kuran përshkruhet interesi dhe përkushtimi i tij ndaj të birit, Ismailit (a.s.).
“Kur fëmija u rrit aq sa ta ndihmonte në punë, Ibrahimi i tha: “O djali im, kam parë në ëndërr të flijoj. Çfarë mendon ti?” (Saffat, 102)
Ai ndante me të birin shqetësimet dhe problematikat më të mëdha dhe e afronte atë me dashuri, duke i bërë marrëdhëniet mes tyre të harmonizuara. Midis tyre mbretëronte mirëkuptimi. Pyetja “Çfarë mendon ti?”, do të thotë se marrëdhëniet atë e bir, ishin aq të ngushta, saqë lejonin të diskutoheshin edhe çështje kaq madhore dhe me pasoja të rënda.
Edhe kur Allahu e urdhëroi Ibrahimin (a.s.) të ndërtojë Faltoren e Shenjtë, ai u konsultua me djalin e tij Ismailin, të cilit i tha: “Allahu më ka urdhëruar të ndërtoj një xhami.” Ismaili (a.s.) ia ktheu: “Atëherë, bindju Allahut, o ati im!” Ibrahimi (a.s) i tha: “A do të më ndihmosh?” Ismaili ia ktheu: “Po, do të ndihmoj”.Dhe kështu, të dy iu përveshën punës.
Në Amerikë festohet edhe dita e babait, ashtu siç festohet dita e nënës tek ne. Një kompani, e cila merrej me prodhimin e kartolinave, një vit u dërgoi kartolina boshe të burgosurve, pak para festës së nënës. Pothuajse të gjithë të burgosurit blenë kartolina dhe ua dërguan nënave të tyre. Kur u afrua dita e festës së babait, kompania dërgoi një sasi të madhe kartolinash në burgje, por asnjë kartolinë e vetme nuk u ble nga të burgosurit. Pas kësaj u krye një studim rreth këtij fenomeni dhe u zbulua se të gjithë të burgosurit fajësonin etërit për gjendjen ku kishin përfunduar.
Këto janë fjalë të rënda, por duhet të kuptojmë që fëmijët kanë nevojë edhe për figurën e babait. Fëmijët kanë nevojë për dashurinë dhe mbështetjen e tyre. Ne duhet të përkujdesemi me edukimin e fëmijëve tanë për të mbjellë në zemrat e tyre vlerat e larta morale. Profeti Muhamed (a.s.) porosit: “Të merresh me edukimin e fëmijës, është më mirë se të japësh sadaka”. Atëherë çdo ditë që kalon duke edukuar fëmijën tënd, të shkruhet sikur ke dhënë sadaka.
Diku tjetër, i Dërguari i Allahut (a.s.) shprehet në këtë mënyrë: “Kushdo që mbjell një pemë, me të cilën ushqehen njerëzit dhe zogjtë, do te shpërblehet Ditën e Kiametit.” Nëse kjo ndodh me mbjelljen dhe kultivimin e një peme, ç’mund të themi për edukimin dhe kultivimin e vlerave te fëmija? Kështu, besimtari po edukon dhe rrit një fëmijë, i cili do të adhurojë Krijuesin e tij.
Një faqe e plotë në Kuran, përmban këshillat e vyera që Lukmani (a.s.) i bën të birit. Por, nëse Lukmani (a.s.) nuk do të ishte model i mirë, këto këshilla nuk do të kishin vlerë, pasi nuk do të dëgjoheshin nga i biri. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “(Kujtoje) kur Lukmani i tha të birit, duke e këshilluar: “O djali im, mos i shoqëro Allahut asgjë (në adhurim)! Pa dyshim idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe.” Ne e kemi urdhëruar njeriun që t’i nderojë prindërit e vet. Nëna e ka mbartur atë, duke duruar mundim pas mundimi, e ndarja e tij (nga gjiri) është brenda dy vitesh. Ne i thamë atij: “Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu! Tek Unë do të ktheheni të gjithë.” Nëse ata orvaten, që të më shoqërosh Mua (në adhurim) diçka, për të cilën ti nuk ke dijeni, mos i dëgjo, por sillu mirë me ta në këtë jetë dhe ndiq rrugën e atij që drejtohet tek Unë me devotshmëri; pastaj, tek Unë do të ktheheni dhe Unë do t’ju lajmëroj për atë që keni bërë. “O djali im, edhe veprën e rëndë sa kokrra e sinapit që ndodhet në shkëmb, në qiej apo në tokë, Allahu do ta nxjerrë në shesh. Me të vërtetë, Allahu njeh mirë çdo imtësi dhe i di të gjitha fshehtësitë. O djali im, kryeje namazin, urdhëroje të mirën, pengoje të keqen dhe bëhu i durueshëm për çfarëdo që të godet! Me të vërtetë, ky është thelbi i patundur i të gjitha punëve! Mos i trajto njerëzit me nënçmim dhe mos ec në tokë me mendjemadhësi, se Allahu nuk i do mendjemëdhenjtë e mburracakët! Ec me kujdes e i përmbajtur dhe fol me zë të ulët; se zëri më i vrazhdë është zëri i gomarit! (Lukman, 31/13-19)
Duket qartë që Lukmani (a.s.) kishte caktuar një listë prioritetesh në edukimin e të birit. Në këtë listë kryesonte dashuria dhe njohja e Allahut. E pra, tek fëmija duhet të krijohet një respekt, një dashuri në aktin e njohjes me Allahun dhe jo një refuzim. Ajetet e mësipërme na mësojnë se kjo duhet bërë si teorikisht, ashtu dhe praktikisht.
Një model tjetër i mirë si baba është Profeti Muhamed (a.s.). Marrëdhëniet me të bijën, Fatimen i kishte tepër të ngushta. Sa herë që e bija hynte në dhomën e tij, ngrihej në këmbë dhe e puthte në ballë. Para se të ndërronte jetë, Profeti (a.s.) i tregoi një sekret të bijës në vesh, gjë e cila e bëri të qajë Fatimen (r.a.). Pas kësaj Profeti (a.s.) i tha një sekret tjetër në vesh dhe ajo qeshi. Aisheja e pyeti mënjanë se çfarë i kishte thënë, por Fatimeja ia ktheu: “Nuk mund ta nxjerr sekretin e të Dërguarit të Allahut (a.s.)”. Pasi Profeti (s.a.s) ndërron jetë, Aishja (r.a.) e pyet sërish mbi fjalët që i kishte thënë në vesh dhe Fatimeja i thotë: “Herën e parë kur qava, më tha se do të vdesë atë natë. Herën e dytë më tha se unë do të isha njeriu i parë nga familja e tij, që do i bashkëngjitesha, prandaj qesha.
“(Kujtoje) kur Lukmani i tha të birit, duke e këshilluar: “O djali im, mos i shoqëro Allahut asgjë (në adhurim)! Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe.” (Lukman, 31/13)
Por si mund ta njohë Allahun fëmija, nëse prindërit nuk e njohin Atë siç duhet? Si mund të afrohet ai me Allahun, ndërkohë që nuk i sheh prindërit duke iu drejtuar Allahut?
Edukimi nuk është kurs, ligjëratë apo trajnim. Edukimi është një proces i vazhdueshëm, i cili fillon dhe nuk përfundon. Si shembull mund të marrim rastin kur fëmija shikon nënën apo babanë duke u falur. Kjo është këshilla më e madhe për t’iu drejtuar adhurimit. Ajo është më e vlefshme se njëmijë këshilla që mund të dëgjojë për namazin.
Profeti Muhamed na ka treguar se edukimi i mirë është trashëgimia më e çmuar që u lihet fëmijëve: “Prindërit nuk mund t’i lënë fëmijës asgjë më të mirë dhe më të çmueshme se sa edukimin e mirë”. Fëmijë do të thotë e ardhme. Dhe mos të harrojmë që Islami përfaqësohet nga njerëzit. Po qe se foleja familjare që keni për të ngritur ose që keni ngritur, është në një kuadër që do t’i bënte të kënaqur Allahun (xh. xh.) dhe Profetin (a.s.), mund të thuhet se premton të ardhme. Por po qe se, brezat e përgatitur nga ju u janë lënë amanet rrugëve dhe janë në opozitë me fenë, madje, armiq të xhamisë, xhematit, ata konsiderohen të pafat, kurse ju, përgjegjës. Kjo është, së pari, padrejtësi ndaj fëmijëve, pastaj dhe ndaj shoqërisë. Askush nuk ka të drejtë të bëjë një të keqe të tillë. Përgatitja e brezave të aftë për të menduar në mënyrë besnike ndaj rrënjëve ideore të veta, të thellë, me horizont, të mëshirshëm dhe të respektueshëm ndaj njeriut, është një nga detyrat tona kryesore. Kjo detyrë e rëndësishme fillon me ngritjen e vetëdijshme të folesë familjare dhe vazhdon gjatë gjithë jetës e kushtëzuar nga arsyeja, logjika dhe gjykimi.
Nisur nga kjo, familja duhet trajtuar si një institucion i mbështetur në frymën e fesë, me bosht arsyen dhe vetëdijen dhe i duhet dhënë vazhdimësi duke marrë për bazë pëlqimin e Allahut. Profeti (a.s.) tërheq vëmendjen se ka për t’u krenuar me shtimin dhe shumimin e umetit-bashkësisë së tij. Nga ky këndvështrim, një brez që s’e njeh atë, sado shumë që të jetë, jo vetëm nuk do të ketë ndonjë vlerë para Allahut (xh.sh.), por nuk do të përbëjë vlerë as sipas Profetit (a.s.).
Bota sot është edhe më e ashpër dhe kjo detyrë më e vështirë, por gjithashtu edhe më fisnike. Prandaj edhe detyrimet tona si prindër shtohen.
(Revista Drita Islame)

Exit mobile version