Në Maqedoni ekziston një Ligj për festat, sipas të cilit ata ndahen në disa grupe. Në këtë kontekst, ato mund të konceptohen si festa shtetërore, në kuptimin që shpallen ditë pushimi,për të gjithë qytetarët e vendit, pastaj në grupin e dytë hyjnë festat fetare dhe në të tretin ato kombëtare.
Kështu, në grupin e parë hyjnë gjithsej nëntë festa , të cilat janë festa që festohen në të gjithë botën, si Viti i Ri, 1 Maji, dy festa të besimit ortodoks, dhe 5 të tjera janë nga historia më e re dhe e vjetër e Maqedonisë.
Në grupin e dytë hyjnë nëntë festat fetare, nga të cilat pesë janë të besimit ortodoks, tri të besimit katolikë dhe 1 e besimit islam. Kurse, në grupin e tretë hyjnë nga një festë kombëtare e komuniteteve jo shumicë, ku bëjnë pjesë edhe shqiptarët.
Shikuar nga ky aspekt, mund të thuhet lirisht që, në listën e 11 festave shtetërore, të cilat konsiderohen si ditë jo pune për të gjithë qytetarët e vendit, asnjë festë nuk i takon kombit të dytë më të madh në Maqedoni, pra shqiptarëve. Nga këto 11 festa, shumica e tyre ndërkaq u përkasin festave kombëtare të popullit maqedonas.
Në grupin e këtyre festave hyjnë festat ndërkombëtare, ato fetare, duke përfshirë edhe një të besimit islam, siç është Ramazan Bajrami, por festat nga historia e popullit maqedonas dominojnë, ndërkohë që nuk është përfshirë as një festë kombëtare e shqiptarëve. Kështu, pjesë e kësaj liste janë festa si: 7 Janari, 25 prilli, 24 Maji, 2 Gushti,8 Shtatori, 11 Tetori ,23 Tetori dhe 8 dhjetori, të cilat në pjesën dërmuese lidhen me historinë kombëtare të maqedonasve.
E vetmja festë kombëtare për shqiptarët, ndërkaq është ajo e 22 nëntorit -Ditës së alfabetit, e cila siç dihet nuk bën pjesë në listën e festave shtetërore, por vetëm kombëtare. Nga një festë kombëtare kanë ndërkaq edhe turqit, romët, vllahët, serbët, evrejët dhe boshnjakët. Në këso situate duket thellësisht i padrejtë dhe përçmues fakti që shqiptarët në Maqedoni, të cilët përbëjnë një numër të konsiderueshëm të banorëve të këtij vendi, në numrin mjaft të madh të festave shtetërore, fetare dhe kombëtare, të përfaqësohen vetëm me një festë kombëtare.
Kryaetari i Shoqatës së Historianëve Shqiptarë në Maqedoni, Skënder Hasani pohon se diskriminimi në këtë aspekt është më se evident. Ai thekson se ka një diskriminim total ndaj historisë shqiptare, si në aspektin kombëtar, ashtu edhe në atë fetar. Asani vlerëson se kemi një egocentrizëm, kur bëhet fjalë për shënimin e datave historike të kombeve në Maqedoni.
“Dihet fort mirë që shqiptarët, sipas Ligjit për festa, kenë vetëm një festë kombëtare nga e kaluara e tyre historike. Ajo është 22 nëntori. Dita e Alfabetit, ndërsa edhe festa fetare kanë vetëm dy, atë të Kurban Bajramit dhe Fitër Bajramit, të cilat shënohen vetëm nga komuniteti mysliman, ndërsa, kur i kemi festat fetare ortodokse, festa është e gjithë shtetit. Kështu, bëhet një diskriminim edhe ndaj komuniteteve fetare, por edhe ndaj atyre etnike”, thotë kryetari i SHHSHM, Skënder Hasani.
Ai shton se përpjekjet për të ndryshuar diçka në këtë shtet, duke përfshirë edhe Ligjin për festat, janë të vazhdueshme, por këto kërkesa gjithmonë bien në vesh të shurdhët, ndërkohë që bën përgjegjëse edhe subjektet politike shqiptare në pozitë dhe në opozitë, që sipas tij nuk marrin seriozisht dhe nuk janë unik për nevojën e përkrahjes së këtyre vërejtjeve, në mënyrë që edhe datat historike të shqiptarëve të trajtohen ashtu si duhet.
“Duhet, pra të ketë një proporcion, sipas përbërjes etnike dhe fetare edhe në shënimin e datave kombëtare dhe fetare. Trendi që ka nisur VMRO-DPMNE që të ndërtojë kisha me paratë e buxhetit, reflektohet edhe në këtë problematikë, sepse për shënimin e datave nga historia dhe feja e maqedonasve, ndahen mjete nga buxheti, ndërsa kur duhet të shënohen data e shqiptarëve , kjo gjë nuk ndodh”, nënvizon Hasni.
Nga ana tjetër, ka mendime se Ligji për festa është antikushtetues dhe diskriminues, ndaj dhe një nismë për verifikimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së tij, mund ta vinte në sprovë jetëgjatësinë e tij.
Kështu,juristi Musa Meta, pohon se sipas mendimit të tij, ai është diskriminues dhe antikushtetues. Në këtë kontekst, ai pranon pretendimet për kundërkushtetutshmërinë e tij, sepse i vë në pozita të pabarabarta qytetarët, qoftë edhe për ditët e punës që ata bëjnë nëpër institucionet shtetërore, apo publike. Kështu, si është ligji, qytetarët shqiptarë dhe të tjerët, brenda një viti realizojnë më shumë ditë pune sesa bashkëqytetarët e tyre maqedonas./PORTALB
EDITOR
12 years ago
previous article
Si mund të mbani baterinë tuaj të laptopit të pa konsumuar
next article
Shpikja e shqiptares i sjell medalje Kosovës (Video)
you might also like
FRI REALIZOI TAKIMIN E PARË ME BURSISTËT
5 days ago
17 NËNTORI, DITA NDËRKOMBËTARE E STUDENTËVE
5 days ago