Tek çështja e leximit të Kuranit ekziston një rregull: Nëse librin e Allahut e lexojmë si të ishte roman, ai nuk ofron më shumë se sa një i tillë. Nëse e lexojmë sepse është libër i Zotit, atëherë ai jep shumëçka.
Po ti referohemi porosive të Jusuf el-Kardavit në lidhje me atë se çka duhet të dijë ligjëruesi fetar (Edukimi kulturorë i thirrësit, Furkan, Shkup 2002), del se një pjesë e teologëve është larg rregullave dhe kushteve të ligjërimit. Sipas tij, janë tri cilësi që duhet ti posedojë ligjëruesi: Të ketë fuqi ndikimi si promotor i jetës shoqërore (kjo energji, sipas Kardaviut fitohet me lexim të vazhdueshëm), të jetë shembull moral për masën dhe të ketë kulturë të përgjithshme (të njeh shkencat islame, të njeh historinë, gjuhën dhe letërsinë, të ketë njohuri mbi shkencat filozofike dhe natyrore, të njoh gjuhë të huaja si dhe të jetë në hap me kohën).
Sikur një pjesë e ligjëruesve të lexonte këtë vepër dhe të tjera si ajo, do të ishin ndjerë keq kur dalin para xhematit apo kamerave televizive. Andaj, identifikimi i fesë islame me interpretimet e cekëta që aty këtu i bëhen tek ne është i padrejtë. Ka dallime substanciale mes Islamit dhe refreneve të shtjerra e të përsëritura me dekada nëpër xhamitë tona, dhe jo vetëm aty.
Islami, është fe hyjnore dhe e ruajtur. Thellësisht e garantuar nga Zoti, feja islame “flenë rehat” karshi përpjekjeve për ta vënë në dyshim rolin e saj nëpër kohë. Ajo ka aftësinë për t’iu përshtatur të gjitha rrethanave ndërsa jetësimi dhe interpretimi i principeve të Islamit është i lënë në dorën e njeriut. Kërkesa jonë për qasje të reja nuk guxon të interpretohet si kërkesë për ndryshimin e fesë. Edhe pse islami historik është pjesë e pandashme e jetës së shoqërive myslimane, në mes substancës së Islamit dhe interpretimeve që i bëhen atij ka dallime.
Karakteristikë tjetër e islamit është të qenit promotor i vlerave morale. Edhe nëse Islami nxitë të kemi mjekë, inxhinierë, mësues, politikanë, diplomatë, tregtarë e shumë të tjerë të suksesshëm, mbi gjithë këtë, atij më tepër i intereson morali dhe njerëzishmëria tek këta njerëz; mjekët të jenë dinjitoz, udhëheqësit ti frikohet Zotit, mësuesit ti përkushtohen nxënësit, politikanët të ndihmojnë qytetarin, diplomatët të ruajnë dinjitetin e shtetit, tregtarët të mos mashtrojnë etj. Kur thuhet se Islami nuk duhet të përzihet në punët e shtetit, kjo nuk nënkupton që udhëheqësit e shtetit dhe politikanët nuk duhet të jenë fetarë. Feja ndihmon secilin njeri që e kupton drejt dhe që e praktikon ashtu siç duhet. Ndoshta sikur çdo fe tjetër, edhe Islami pretendon të mbledhë njerëz nën ombrellën e vet, por ama, për dallim nga disa fe tjera, Islami nuk imponon përcaktimin fetarë. Nëse ndodhë të ketë imponime, ato bëhen nga njerëzit që nuk kuptojnë mirë Islamin. Sipas Islamit imponimi është i përbuzur.
Ligjëruesit fetarë duhet të shpjegojnë fenë si duhet, në të kundërtën, feja nuk pëlqehet. Ligjërimet duhet ti përshkoj atmosfera e tolerancës, të mos jenë të rënda, të paqarta e as të frikshme. Në esencë, kultura islame është një pluralizëm i mendimeve dhe interpretimeve të ndryshme mes vete. Diversiteti është ngjyrë e bukur islame që burimin e ka në Kuran. Diferencat që dalin përgjatë interpretimeve janë pasuri e madhe për fenë e Zotit dhe çdo përpjekje për të mënjanuar ato, konsiderohet cenim mbi thesarin e kulturës islame.
Ligjëruesi fetar duhet të dallojë ligjërimet që i drejtohen zemrës së njeriut dhe kur i flitet arsyes së tij. Njeriu është qenie delikate dhe e ndjeshme ndaj mësimeve të fesë andaj duhet pasur kujdes. Është mëse e moralshme të çmohet individualiteti i secilit njeri që ke përpara. Disa ligjërues fetarë harrojnë rëndësinë e individit në shoqëri dhe të shoqërisë në Islam. Namazi i xhumasë në rrafshin lokal dhe haxhi në rrafshin ndërkombëtar janë dy momentet më të rëndësishme për atë që Islami e quan shoqëri. Xhumaja, dita kur myslimanët e një vendi së bashku falin namazin dhe dëgjojnë mesazhet e ligjëratës është thirrje për obligime të reja. Hytbeja si pjesë përbërëse e namazit të xhumasë është ligjërimi që shtron probleme, që shtjellon ato dhe duhet ti zgjidhë. Në asnjë vend tjetër Kurani nuk urdhëron me “shpejtoni” sikur që bënë për namazin e xhumasë. Nëpërmes hytbes ligjëruesi duhet të promovojë rëndësinë e shoqërisë dhe të jep mesazhet e duhura. Hytbeja nuk bënë të lihet e thatë ashtu që rinia të del e zhgënjyer nga xhamia. Rinia ka nevojë të dëgjojë se po merremi me problemet e saj. Rinia e lënë në margjina nuk guxon të anashkalohet nga ligjëruesi në ditën e xhuma. Hytbeja, simboli i namazit të xhumasë është simbol i përbashkësisë sociale. Nëpërmes saj promovohet vlera e shoqërisë në Islam.
Për fat të keq, disa ligjërues ende nuk kanë kuptuar sa duhet rolin e hytbes. Ata, më shumë i kushtojnë rëndësi citateve në gjuhën arabe se sa përgatitjes së ligjëratës në gjuhën amtare. Ligjërata e ditës së premte duhet të jetë aktuale dhe të mos jetë e fokusuar më shumë në të kaluarën se sa që flet për të tashmen dhe të ardhmen. Ligjëruesi duhet të përcjellë ngjarjet kryesore të javës dhe pastaj të përgatitë ligjëratë në lidhje me to. Ka raste kur ligjëruesit lexojnë hytbet e vjetra me vite dhe kështu irritojnë xhematin me ligjërata vazhdimisht të përsëritura. Dikush mund ti rrijë karshi idesë sonë që nëpër xhamitë e vendit duhet të shpjegohet edhe historia jonë kombëtare. Edhe nëse kultura dhe civilizimi islam përshkohen më së shumti nga tri ngjyra kombesh, arabe, persiane dhe osmane, historia jonë ka shumë emra që i kanë kontribuar mozaikut të kulturës islame. Historia nuk është libër ku shkruhen vetëm emrat dhe ngjarjet e popujve të mëdhenj. Ajo duhet të shpjegohet ashtu që të na bëjë me dije për gabimet e së kaluarës dhe të mos i përsërisim më. Si është e mundur që kaq pak dhe kaq shtrembër njohim historinë tonë? Si është e mundur të jemi kaq të pasigurt në historinë dhe si po lejojmë të njollosen kaq shumë figurat e historisë sonë? Edhe Kurani është përplot me ngjarje historike, por ato ngjarje nuk përmenden veç sa për të rrëfyer histori, por për të mësuar nga përvojat e së kaluarës dhe për të ndërtuar një të ardhme të mirë.
Në ligjërimet fetare edhe haxhi duhet të shpjegohet mirë. Haxhi nuk guxon të jetë vetëm vizitë pa përmbajtje dhe pa ligjërata të nevojshme. Organizatori në haxh duhet të përgatitë seminare, debate, ligjërata e programe të mirëfillta për vizitorët e rastit. Udhëheqësit e haxhinjëve tanë që në fakt paguhen nga buxheti i Bashkësisë Islame të Kosovës nuk duhet të lejojnë që roli i tyre të reduktohet vetëm në shpjegime teknike të thata. Ato shpjegime teknike secili do ti bënte. Udhëheqësit e haxhinjëve duhet të shpjegojnë përmbajtjen e haxhit, filozofinë e të bërit farz e posaçërisht rolin e haxhit. Haxhi është kongresi gjithë-islam dhe ashtu duhet të shpjegohet.
Siç shihet, ligjëruesit fetarë kanë rol të rëndësishëm në shoqëri. Për ta shpjeguar fenë drejtë duhet të lexojnë së paku atë që porositë Kardaviu. Ndërsa për të ec me kohën duhet të lexojnë edhe më shumë. Përndryshe roli i tyre në shoqëri mund të zbehet edhe më tutje.
Ky shkrim është botuar në të përditshmen ZËRI me datë 27. 07. 2013
Categories