Të nderuar lexues të paanshëm, do të bëjmë çmos që këtë vështrim gazete të radhës të mos e personalizojmë dhe, nëse ju mendoni se do ta rikompozojmë retrospektivën tonë dhe të ca shokëve të gjeneratës, atëherë do të kërkojmë ndjesë. Në këtë shkrim nuk do ta përkundim djepin e së kaluarës sonë adoleshente e as atë çapkëne. Ishte fundi i vitit shkollor 1967-68, më saktë më 20 gusht, kur edhe iu nënshtruam një provimi nga një program mësimor (drejtimi natyror-matematikor) në gjimnazin e atëhershëm prestigjioz të Tetovës. Fatkeqësisht, unë dhe katër shokët e klasës III-2 (tre, prej të cilëve aktualisht janë doktorë shkencash) nuk kaluam dot në provim dhe si rrjedhojë humbëm vitin. Në ato mote, neve “ngelaqëve” nuk na “shqetësoi” fakti se e përsëritëm vitin, aq sa na rëndoi fjala poshtëruese e “mësimdhënësit”, i cili na tha, përveç të tjerash: “…, ju jeni toptan malokë analfabetë dhe tapë, andaj nuk meritoni vlerësimin tim”!? Imazhi i ish-“mësimdhënësit” sot e kësaj dite na sillet vërdallë, sot e kësaj dite na dalin përpara tiparet karakteristike të tij… Sot ne, nëse na jepet e drejta, do të konstatojmë se ai ishte thjeshtë një “tip” që shquhej a njihej me atë urrejtjen patologjike, me atë mllefin e tij provincial…, një njeri që kurrën e kurrës nuk evoluoi fjalorin, komunikimin, qytetarinë e lëre më “burrërinë civile”. Ne, edhe sot e kësaj dite, nuk e dimë se nga erdhi dhe ku vajti…, nuk e dimë se ku prehet…, ndjesë pastë!
Kur jemi te nocioni tapë, Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe na jep këtë shpjegim: Lëndë shumë e lehtë që nxirret nga lëkura e disa drurëve (sidomos nga një lloj lisi) dhe që përdoret për shtupa, për shollë këpucësh për rrjetat e peshkimit…; dru tape, shtupë mbyllëse zakonisht për shishe, ngjeshi tapën në brez, zë të çarat me tapë, taka prej tape, mjet shpëtimi nga mbytja etj. Këtë nocion do ta përdorim në vijim të paragrafëve edhe në kuptim figurativ: I dehur keq, i pirë sa nuk e mbajnë këmbët..; u bë tapë…, i trashë nga mendja…; i vuri tapën gojës, është si tapa në shpinë të detit…; S’është i zoti të zërë një vend e të qëndrojë; e të tjera shpjegime gjuhësore.
Ata që s’e kanë këtë burim informacioni dhe këtë përfytyrim pamor ndaj kësaj lënde shumë të lehtë, gjegjësisht ndaj tapës, me të drejtë do të parashtrojnë pyetjen se ç’i duhet këtij “opinionisti” që për kryefjalë të shkrimit të zgjedhë “tapën, aq më tepër kur dihet se kjo lëndë nuk ka kushedi çfarë vlere”…, ç’i duhet këtij artikullshkruesi të “sajojë fjalinë”: a mundet “tapa të pjellë tapë”…, një shkrim që për një pjesë të lexuesve do të përfundojë pa e lexuar deri në fund. Thjeshtë, një shkrim që mbetet pa portret, një shkrim i padefinuar dhe i padeshifrueshëm!… A mos vallë autori para se ta qëndisë këtë vështrim është bërë vetë “tapë”…, a mos vallë ky njeri “bën rrobaqepësi për gomaricat” a të ”samarxhiut”? A mos vallë këto janë insinuata të kurdisura a edhe thashetheme të radhës të këtij autori. Të gjithë ata që do të parashtrojnë kësi pyetjesh, unë do t’u përgjigjem në aspekt a në kuptim figurativ. Nëse do të ishte e vërtetë se “mësimdhënësi ynë tapë, dikur moti polli tapa” (përfshirë edhe shokët e mi, aktualisht doktorë shkencash), atëherë ne sot gjithandej do të ballafaqoheshim me tapa!?
Këtë paragraf timin të lartpërmendur, shoku im i klasës NN nuk ma kontestoi, por ama më sugjeroi që të njoh institucionin: MENDIM a GJYKIM NDRYSHE!…, ndërsa pos të tjerash më tha: ty, or miku im, a mos vallë nuk të shohin sytë se ç’na është bërë arsimi ynë i detyrueshëm…, a mos vallë nuk të duket se na është bërë si peshku i egër…, a mos vallë nuk të duket si tapë…, a mos vallë edhe politika nuk na është bërë si ajo bastorja…, a mos vallë nuk na është zvetënuar…, a mos vallë ty, miku im që ende urinon në “oturak”, nuk të panë sytë e nuk të dëgjuan veshët se ç’bëri ai alamet “arkivisti”, kur ditë më parë arkivin e një institucioni e shndërroi në paçavure, në leckë kuzhinash, në leckë kukullash dhe së fundi në “tapë shisheje”…, a mos vallë edhe sot e kësaj dite duhet të të “gjykoj” si njeri me gjymtime shpirtërore dhe fizike…, a mos vallë sot e kësaj dite mbetesh si një miop a edhe “otoskletorik”…, nuk do të dëgjosh se ç’ndodh pranë dhe përreth teje! Ti, miku im i dashur, a nuk sheh se si administrata publike na u shndërrua në “shollë këpucësh”…, a mos vallë komunikimi ynë ndërpartiak nuk na u shndërrua në “rrjet peshkimi, në take prej tape”…, a mos vallë ndejat tona të dikurshme nuk na u shndërruan si “tapa në shpinë të detit a në furgona pa targa”…, a mos vallë një alamet shefi (nga blloku ynë) që është ulur ashtu rehatshëm në kryeminderin e një shërbimi juridik të një institucioni serioz (i cili fillimisht kishte specializuar për jurisprudencë krahasuese dhe mandej me pak “vonesë” ishte pajisur me diplomë për mbarimin e arsimit të mesëm) nuk e ka ngatërruar “zanatin…, shyqyr që nuk përzgjodhi gjinekologjinë dhe urologjinë se për-ndryshe…!?…, ky njeri që nga momenti kur e emëruan “shef”, aq shumë u ngazëllua, saqë filloi t’i heqë anonimitetin e gjenealogjisë të familjes së tij…, a mos vallë ti, miku im i vjetër, nuk e di se ky “alamet shefi”, në çdo fundjavë i “bën vizitë nënëdajës në fshat”, prej nga kthehet me një thes të mbushur me patate, me pak fasule dhe me ca vezë ekologjike. Ky “shefi nga blloku ynë” që ende është nën mbikëqyrjen a kujdestarinë e prindërve, sa herë që kryeshefi i tij do të bëjë pordhë, aq herë këtë haber pordhë do t’ua përcjellë prindërve të tij. Kur kalamajtë e tij i kishin parashtruar pyetjen se pse e bën këtë budallaki, ai ishte përgjigjur: “E bëj që të mos mbetem pa nam e pa nishan”!? Miqtë e tij, që ia dinin defektet psikike, shpesh i thoshin: hajt, miku ynë, fli natë e ditë e mos u duk këtej pari, na lër neve të meditojmë rehat, sepse kështu, siç vepron, na bëre “rezil e maskara”!?
Që unë të mos i mërzis lexuesit e mi të nderuar, do të më duhet t’i them mikut tim mjaft më me atë fjalinë pyetëse: “a mos vallë”!…, sepse këtë trysni që ma bën, a “mos vallë edhe unë duhet të bëhem tapë…, a mos vallë?”… Pa dashur ta teproj me këtë shkrim të padefinuar e të padeshifruar dhe plot llagape” nga më të ndryshmet, le ta përfundoj për respekt të atyre që ndoshta me të drejtë do të thonë: vallë ky njeri nuk ka hallet dhe punët e veta!? Tani do largohem sepse po të vij Edvini, ndoshta do ma kishte “shkulur veshin”!
Categories