PYETJA: Hoxhë i nderuar, ua dërgojmë këtë pyetje e cila na mundon mjaft dhe nuk dimë çka të bëjmë. Neve na vdiq babai, dhe pas vdekjes, u mblodhëm ne vëllezërit dhe motrat që ta ndajmë pasurinë. Por, nëna na tregoi se babai ynë paska punuar në Kroaci, dhe kur paska qenë i ri, paska patur nji djalë edhe me nji kroate. Këtë nuk e ka ditur asnji njeri tjetër pos nënës tonë, pasi babai i paska treguar, dhe i qenka betuar se ka lindur pa qenë i martuar me nënën e fëmijut, por ka qenë thjesht gabim dhe rezultat i një momenti të pa planifikuar. Nuk ka patur kurorë me gruan me të cilën ka bërë marrëdhënie jashtëmartesore, dhe është larguar nga ajo herët. Nëna na tha që të shohim mos i hyjmë ndër hak këtij djali, pasi edhe ai është fëmijë i babait tonë. Për atë, si të veprojmë, a i takon atij pasuri?
Bashkim Aliu
PËRGJIGJA: Së pari, është duhet ta falënderoni Allahun e Madhërishëm që babai juaj qenka penduar, dhe shpresojmë që pendimi të ketë qenë i sinqertë.
Së dyti, ky problem nuk është vetëm i juaji, me keqardhje them se ka edhe raste tjera, dhe këtë e kuptoj nga pyetjet anonime të clat na arrijnë. Allahu na ruajt të gjithëve mos bëjmë gabime, në veçanti kur është në pyetje gjeneza.
Ndërkaq, për sa i përket pyetjes suaj, përgjigja është se fëmiju i cili lindet nga marrëdhënie jashtëmartesore, nuk konsiderohet fëmijë legal i burrit nga kontakti me të cilin, një grua e ka lindur këtë fëmijë. Ky fëmijë konsiderohet fëmijë biologjik i këtij personi, por jo edhe ligjor, në aspektin e sheriatit islam. Për atë, ky fëmijë nuk e merr mbiemrin e babait, por ligjërisht i atribuohet nënës. Në bazë të kësaj, sipas sheriatit islam, ky fëmijë nuk ka të drejtë të trashëgojë nga ky person në cilësi të fëmijut ligjor, pasi nuk ka lindur nga një lidhje legale mes nënës së tij dhe këtij personi i cili është vetëm baba biologjik i tij. Kjo do të thotë se ju nuk jeni të obliguar sipas sheriatit që këtij t’i ndani pasuri. Pasuria ju takon juve që jeni fëmijë legal të këtij personi.
Mirëpo, nga aspekti moral, duhet ta njihni kush është ai person, dhe sipas mundësive të vërtetoheni për fenë e tij, a është musliman, apo ndjek ndonji besim tjetër. Ju duhet të punoni që ai ta din edhe fenë e babait të tij biologjik, nëse ndjek ndonji besim tjetër, dhe ta thirrni ta analizojë mirë fenë Islame, e jo të mbahet larg Islamit, ngase babai i tij biologjik ka qenë musliman.Nëse edhe ai e di rastin, pra nëse i ka treguar nënna e tij se kush është baba biologjik i tij, duhet të veni kontakt që të dihet lidhja e juaj për nga gjaku, edhe pse jo për nga fuqia ligjore e lidhjes së babait tuaj me nënën e tij. Kjo, me qëllim që mos ndodh martesë eventuale me ndonji vajzë që është motër e tij biologjike, edhe pse jo ligjore.
Allahu e di më së miri.
Categories