Sot, në hapësirat e hotel Holiday Inn, u mbajt konferencë mbi dhunën në familje me temë “Dhuna në familje – shkaqet, pasojat dhe parandalimi i saj”. Pjesëmarrës në konferencë ishin përfaqësues të instucioneve shtetërore dhe sektorit civil, përfaqësues të mediave dhe personalitete të tjerë nga jeta publike, ndërkaq organizator i konferencës ishte Asociacioni për Afirmimin e Gruas (AAG).

Mbi temën e kësaj konference folën panelistë të profileve të ndryshme. Në fillim fjalën e pati Mr. Ajgyl Sulejman – juriste dhe kryetare e Asociacionit për Afirmimin e Gruas, e cila foli mbi arsyen e organizimit të një konference të këtillë duke i cekur statistikat e shumta që dëshmojnë për praninë e formave të ndryshme të dhunës në shoqërinë tonë. Më tej, ajo shtoi se me aktivitete të këtilla, Asociacioni për Afirmimin e Gruas synon ta ngrisë vetëdijen mbi këtë dukuri shkatërruese shoqërore, gjë që është e një rëndësije tejet të madhe për sa i përket parandalimit të kësaj forme të dhunës.
Doc. Dr. Afrim Osmani (jurist) e elaboroi në detaje aspektin ligjor të çështjes së dhunës në familje duke dhënë një qasje të hollësishme mbi rrugët ligjore për sanksionimin e ushtruesve të këtij lloji të dhunës dhe mbrojtjes së viktimave të së njejtës.
Mr. Sabaudin Jashari (teolog) foli mbi këtë temë në aspektin fetar duke e vënë theksin në faktin se krijimi i një lidhjeje bashkëshortore mbi themelet e dashurisë është një nga parakushtet bazë për krijimin e një familjeje pa dhunë të çfarëdo lloji.
Në fund, znj. Frosina Ivanovska (përfaqësuese e Qendrës për Kriza “Nadezh”) paraqiti statistika dhe të dhëna konkrete mbi rastet e dhunës në familje në vendin tonë, dhe foli edhe mbi përkrahjen që ofron Q.K.”Nadezh” për viktimat e kësaj forme të dhunës.
Konferenca u përmbyll me përfundimin se dhuna në familje si dukuri shfaqet në shoqërinë tonë në forma dhe intensitete të ndryshme, gjë që e patjetërson nevojën që të gjitha institucionet kompetente, si ato shtetërore ashtu edhe ato të sektorit civil, t’i shrfytëzojnë të gjitha mekanizmat e mundshëm për parandalimin e kësaj dhune dhe për mbrojtjen e viktimave të saj.
Konferenca në fjalë është pjesë e fushatës në nivel republikan “Nga paqa në shtëpi, drejt paqes në shoqëri” që oganizohet nga Asociacioni për Afirmimin e Gruas me rastin e 25 nëntorit, ditës ndërkombëtare kundër dhunës në familje.

AAG organizoi konferencë mbi dhunën në familje

AAG organizoi konferencë mbi dhunën në familje

 
Aktivitetet e kësaj fushate do të vazhdojnë deri më 30 nëntor dhe do të shtrihen në disa qytete të vendit.
Departamenti për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun
Asociacioni për Afirmimin e Gruas