Aktiviteti i radhës i organizuar nga Asociacioni për Afirmimin e Gruas (AAG) në kuadër të fushatës “Nga paqa në shtëpi, drejt paqes në shoqëri” ishte tribuna e mbajtur sot, më datë 30.11.2013, në Pallatin e Kulturës në Kumanovë.
Tribuna ishte e ndarë në dy seanca, gjatë të cilave ligjëruan prof. Gjyltene Dërguti, psikologe nga Ferizaj dhe Sumeje Peza Idrizi, teologe.
Prof. Dërguti foli mbi format e ndryshme të dhunës, si ajo fizike, psikike dhe emocionale të cilat si fenomene janë mjaft të pranishme në shoqërinë tonë. Përveç kësaj, ajo paraqiti edhe statistika për dhunën fizike, e cila viteve të fundit ka shënuar rritje, veçanërisht tek femrat, fëmijët dhe personat e moshuar.
Prof. Sumeje Idrizi ligjëroi mbi krijimin e raporteve të mira ndërnjerëzore dhe mbi mënyrën si Islami i trajton dhunën në familje. Ajo përmendi ajete kur’anore dhe thënie profetike të cilat urdhërojnë njerëzit të sillen mirë me bashkëshortet e tyre, me të vegjlit dhe të moshuarit, madje edhe me fqinjtë dhe me shoqërinë në tërësi.
Pas përfundimit të tribunës, Asociacioni për Afirmimin e Gruas shpërndau fletushka që trajtojnë aspekte të ndryshme të dhunës në familje, të cilat janë botuar në kuadër të fushatës me rastin e ditës ndërkombëtare kundër dhunës në familje “Nga paqa në shtëpi, drejt paqes në shoqëri”.
Departamenti për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun
Asociacioni për Afirmimin e Gruas