Asociacioni për Afirmimin e Gruas (AAG) e përmbylli sot fushatën “Nga paqa në shtëpi, drejt paqes në shoqëri”. Fushata në fjalë është organizuar me rastin e 25 nëntorit, ditës ndërkombëtare kundër dhunës në familje.

Në kuadër të kësaj fushate, Asociacioni për Afirmimin e Gruas organizoi  ligjërata dhe tribuna në disa qytete të vendit, duke përfshirë këtu Shkupin, Tetovën, Kumanovën, Kërçovën dhe Strugën. Ligjërues në këto aktivitete ishin intelektualë të profileve të ndryshme, si psikologë, teologë dhe juristë.
Aktiviteti qëndror i kësaj fushate ishte konferenca e mbajtur më 25.11.2013 në Shkup, me temë “Dhuna në familje – shkaqet, pasojat dhe parandalimi i saj”, në të cilën debatuan Mr. Ajgyl Sulejman – juriste dhe kryetare e AAG-së, Doc. Dr. Afrim Osmani – jurist, Mr. Sabaudin Jashari – teolog dhe Znj. Frosina Ivanovska – përfaqësuese e Qendrës së Krizave “NADEZH”.
Për më tepër, në kuadër të kësaj fushate Asociacioni për Afirmimin e Gruas botoi fletushka me materiale informative-vetëdijësuese mbi dhunën në familje, format, parandalimin, dhe mënyrat për mbrojtjen e viktimave të saj.
Pjesë e fushatës ishin edhe vendosja e bilbordeve në disa lokacione të qytetit të Shkupit dhe Kërçovës dhe paraqitjet në emisione televizive në disa kanale vendore.
Qëllimi i fushatës “Nga paqa në shtëpi, drejt paqes në shoqëri” ishte ngritja e vetëdijes së përgjithshme mbi dhunën në familje si një dukuri shkatërruese shoqërore dhe vetëdijësimi mbi mënyrat për parandalimin e saj dhe rrugët ligjore dhe institucionale për mbrojtjen e viktimave të këtij lloji të dhunës.
Fushata në fjalë organizohet nga Asociacioni për Afirmimin e Gruas për të dytin vit me radhë.
IMG_1825
 
DSCN1367
 
11
Albumin e plotë të aktiviteteve të fushatës mund ta gjeni këtu: https://www.facebook.com/media/set/?set=a.783238535024740.1073741844.412042868810977&type=1
Departamenti për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun
Asociacioni për Afirmimin e Gruas