Që nga 26 shtatori deri më 28 shtator 2013, u mbajt seminari tradicional vjetor  i Asociacionit për Afirmimin e Gruas (AAG). Seminari i sivjetëm u mbajt në qytetin e Strugës, nën moton “Gruaja, shtyllë e zhvillimit”.
Ligjëruesit e seminarit ishin Prof. Sabaudin Jashari nga Shqipëria, si dhe Dr. Sanaa Abed dhe prof. Fatma Muxhahid nga Arabia Saudite.
Temat që u shtjelluan gjatë seminarit kishin të bënin me rolin dhe obligimet e gruas në sfera të ndryshme, si të jetës së saj ashtu edhe të shoqërisë.
Prof. Jashari ligjëroi mbi temën “Nevoja e shoqërisë për zërin e gruas”. Ai e theksoi rolin e veçantë që gratë duhet ta keni në zhvillimet shoqërore..
Dr. Abed ligjëroi mbi temën “Gruaja mes familjes dhe karrierës” duke theksuar se për të qenë e suksesshme në të dyja këto sfera, gruaja duhet me kujdes të vendos balanc midis tyre.
Përveç kësaj teme, Dr. Abed ligjëroi edhe për  sfidat me të cilat ballafaqohen gratë në kohët tona si dhe për cilësitë e një gruaje të sukesshme. Për sa i përket temës së parë, ligjëruesja në mënyrë të detajuar i sqaroi sfidat me të cilat ballafaqohet një grua veprimtare duke i ndarë ato në sfida që burojnë nga vetja, si mospërgatitja e mjaftueshme, jovazhdueshmëria në veprimtari, etj., dhe sfida që vijnë nga jashtë, duke përmendur këtu problemet dhe barrierat e ndryshme shoqërore.
Prof. Fatma Muxhahid foli mbi mekanizmat më efikasë për ngritjen dhe vetëdijësimin e gruas, duke i dhënë rëndësi të veçantë edukimit dhe arsimimit kualitativ, vetëdijësimit të saj mbi realitetin shoqëror, dhe aftësimit në aspekte të ndryshme.
Qëllimi i organizimit të këtij seminari ishte trajtimi i disave nga çështjet më të rëndësishme që e preokupojnë gruan dhe sfidat kryesore që ajo has në ditët tona.
Ky ishte seminari i dytë i këtij lloji i organizuar nga Asociacioni për Afirmimin e Gruas.
Departamenti për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun
Asociacioni për Afirmimin e Gruas