Categories
Opinione

“Agai i jeniçerëve politikë me strajcë në krahë"

Dikur moti, gjyshërit tanë kishin ndërtuar një mirëqenie të mirëfilltë morale. Sa herë që ata donin “t’i iknin vëmendjes së të tjerëve”, parapëlqenin atë llafosjen me “isharete”… Kjo llafosje e tyre ishte përplot me “esnafllëk” e burrëri, thjesht ishte një bisedë e këndshme, e lezetshme, transparente dhe pa prapavijë keqbërëse. Të gjithë ata që ishin të përjashtuar a që duhej t’i rrinin mënjanë këtij komunikimi nuk mund të ngelnin indiferentë dhe të mos thoshin se “ky shkëmbim i lirë mendimesh ndërmjet tyre” vërtet qe pa hile.
Kur gjyshërit gjendeshin në siklet, i bënin punët me shumë merak, sidomos kur nuk pëlqenin bëmat e njerëzve përreth tyre. Mbaj mend kur në vitet nëntëdhjetë u “(ri) punësova si njëfarë këshilltari” pedagogjik, babai i kishte parashtruar pyetje zonjës së tij, gjegjësisht nënës sime: “Pa më thuaj, moj zonjë, se ç’punë do bëjë ky çapkëni ynë”? Ajo ia kishte kthyer: Po do bëjë këshilltarin. Eh, ky ka nevojë vetë për një këshilltar! Ky “hazërxhevap” i babait sot na duket “denigrues”!? Ku ta di njeriu, ndoshta kishte pasur të drejtë. Po unë pajtohem plotësisht se kishte pasur të drejtë, sepse shumë kohë më parë, me një rast i pata thënë: “Më bëj baba t’i ngjaj gjyshit”!? Ai ma pat kthyer kështu: “… po mirë, unë të bëj, por ama ti nuk bëhesh”!?… Dhe, vërtet, kurrën e kurrës nuk u bëra i tillë, si gjyshi dhe i biri i tij.
Sot parashtrohet pyetja se a mos vallë mëhallës së inteligjencies shqiptare i mungon një intelektual të llojit të Faik bej Konicës. Udhëpërshkruesit mund të thonë se Konica, në mendje a fiqir ishte aristokrat, ndërkaq në ecje ishte elegant, në çdo mexhlis ishte më i privilegjuar, më shumë se kritik, më i vendosur e të tjera. Edhe sot, pas sa e sa dekadash nga ikja e tij fizike nga dynjaja shqiptare, mbetet aristokrati dhe kryeredaktori i fjalës së shkruar shqipe në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës…, aristokrati më i madh i pendës shqiptare, aristokrati i kostumit alla konicane!? A mos vallë, edhe sot e kësaj dite mexhlisit dhe mëhallës së politikës shqiptare i mungon një figurë e kalibrit të ballistit siç ishte Mithat bej Frashëri…, a mos vallë mendimit politik gjegjësisht higjienës së mendjes shqiptare do t’i duhet të presë edhe një shekull për të krijuar një Mithat tjetër.
Disa ditë më parë një intelektual relativisht i ri nga mosha, përndryshe nga një qytet shqiptar që shtrihet në hapësirat e Gadishullit Ilirik, kishte vendosur të hidhet në grevë politike. Motivi kryesor i grevës së tij konsistonte në kërkesën e tij paksa utopike. Ai kërkonte që “agai” (lidershipi) i tij i ardhshëm fillimisht do të duhej të ishte i pashëm, i moralshëm, të ketë taban kombëtar, të jetë “shehërli e namuzli”, komunikativ dhe pasanik, të mos të jetë “nën varësinë e fjalës lavdëruese” të miqve dhe votuesve të tij…, atij nuk i duhet një “aga” (lidership) që do të prodhonte a do krijonte më shumë prokopi, sesa mençuri… Ai ëndërronte me sy hapur një “aga” (lidership), i cili më shumë do t’i dojë dhe do t’i respektojë simpatizantët e vet sesa që do ta preferojë pushtetin…, atë pushtet që ndoshta do ta marrë me vota klandestine gjegjësisht me dhunë…, ai dhe të tjerët si ai parapëlqejnë të ketë një “aga” (lidership) demokrat, kurse jo një të tillë me origjinë diktatori ose edhe provincialisti…, ai do të preferojë një “aga” (lidership) karizmatik e me mendje femër, kurse jo një karrierist që ka devijuar nga fiqiri respektivisht i anashkaluar nga fisi i vet dhe më gjerë… Ai edhe më tej do të preferojë një “aga” (lidership) me origjinë aristokrati dhe jo një “aga” (lidership) që ka trashëguar mbeturina dhe vese arroganti, respektivisht “aga” me sjellje a me qëndrim përbuzës e mospërfillës kundrejt të tjerëve. Ai nuk do të preferojë një “aga” (lidership) me “çorape të arnuara”, jo një “aga jeniçerësh politikë me strajcë në krah”, jo një lidership që do të sundojë të drejtën absolute mbi fjalën dhe mendimin e lirë…, ai do të preferojë një “aga” (lidership) me mendje në kokë, me mendje femër a mendjendritur. Ky “grevist” i lartpërmendur politik nuk do të preferojë një “aga jeniçerësh”, të cilit sa herë që do t’i lëkundet karrigia, aq herë do të prodhojë “nacionalizëm të rrejshëm” apo edhe aq herë do premtojë “dyshtetësi dhe Shqipëri natyrale”!?? (është një proverb gjerman ku thuhet: “Kush ngjitet më shumë seç e meriton, bie shumë më poshtë seç e mendon”!). “Grevistit” të shkrimit tonë nuk i duhet një “aga” (lidership) i cili vazhdimisht do t’i “buzëqeshë të keqes”!? dhe jo të mirës…, atij nuk i duhet një “aga” (lidership), i cili në lloj-lloj mexhlisesh politike, ashtu “pa hiri”, do ta turpërojë veten, fisin dhe do të denigrojë votën e partisë politike që përfaqëson…, që e prish imazhin e fisit të vet…, ai i cili do të duhet të hiqet si çuni i familjes dhe jo të identifikohet me legenin e mëhallës a edhe të bllokut…, ai i cili historinë e prindërve dhe të fisit të tij do ta shpjegojë bythëpraps…, dhe jo të hiqet si “aga që do mbajë veten për të mençur”?
“Grevistit” nuk i duhet një “aga jeniçerësh politikë”, nuk i duhet një “hyzmeqar shkau a komunisti”…, atij nuk i duhet një i tillë që kur t’i teket do t’i bëjë qejfin e prapanicës së tij, prapanicë që ndërron parti e bajrak, “grevistit politik” nuk i duhet “aga” i cili dikur i shkonte pas elitës apo të përzgjedhurve e politikës së atëhershme!…, një politikan që sot e kësaj dite ndihet i “pikëlluar për mungesë qytetarie dhe aristokracie familjare të trashëguar”!? “Grevistit” nuk i duhet që “agai” i tij i ardhshëm të fshehë a të mohojë origjinën e tij nga fshati…, aq më tepër kur e dimë se një gjë të tillë nuk e bëri as edhe Sharl de Goli…, nuk i duhet një “aga jeniçerësh” i cili do t’i shkojë pas “hijes së urrejtjes dhe çallëmit katundaresk të ish-komunistit, ai i cili dikur e kishte për detyrim të numëronte pordhat e pordhaxhiut të mëhallës së tij”!?… “Grevistit dhe grevistëve të tjerë politikë shqiptarë” sot gjithsesi se nuk u duhet një lidership i cili me strajcë në krah do të trokasë dyerve të pasanikëve…, apo edhe kur do të përfundojë a perëndojë koha e “dinastisë politike të tyre” tok me ato strajca do ikin.., si ata biznesmenët bythëçjerrë, që kur filloi lufta në Kosovë dhe më vonë në Maqedoni, me do të tilla të mbushura me dollarë ua mbathën këmbëve drejt Evropës, Shqipërisë, kurse ca të tjerë “anavatan” Turqisë. Ata që futën hundët në këtë vaki sot do të thonë se asnjëherë nuk u mor vesh se të kujt ishin ato strajca, a ishin thesar i fisit apo i popullit…, këtë një Zot e di…, po ndoshta këtë e di edhe “pronari” i strajcës.
Edhe në këtë njëqindvjetor shqiptar (konferenca e ambasadorëve të vitit 1913), “grevistit politik” do t’i duhet një “aga” (lidership) që do t’u nënshtrohet provimeve nga leksionet e atdhedashurisë dhe demokracisë…, një “aga” që detyrimisht do të duhet t’i maturojë këto provime…, nëse këtë nuk do ta bëjë, atëherë do të ketë “ llogari të hapura” me inatet e tij histerike ose edhe homerike.
Mitrush Kuteli, i zhgënjyer fund e krye nga varfëria, dikur kishte “bërtitur”: “Rroftë mileti pa brekë”!? Ndërkaq, ky “grevisti politik” i kësaj shkarravine do të ulërijë: “Rroftë agai i jeniçerëve politikë (të moderuar) me strajcën në krah”!?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version