Pyetje:”A duhet të agjërojë dikush që është i burgosur dhe nën hetim?”
Myftiu: Shejh Jusuf Kardavi
Përgjigje:”Agjërimi është distancim nga instinktet e përditshme, siç është të ngrënit, të pirët dhe kontaktet seksuale me bashkëshorten. Kjo, për tu ndjerë më afër me Zotin e lartësuar. Myslimani mund ta bëjë nijet agjërimin në çfarëdo situate, edhe nëse është i burgosur, përderisa i përmbush dy elementët kryesore të agjërimit: Distancimin nga ushqimet dhe nijetin.
Por një mysliman në ambientet e burgut, mund ta ketë të vështirë agjërimin nëse nuk i ofrohet ushqimi veçse gjatë ditës, duke mos e lejuar të ushqehet natën, për iftar dhe syfyr. Zoti nuk e detyron njeriun me diçka që nuk e përballon dot dhe Ai nuk e ka vështirësuar fenë.
Një herë, Profeti a.s pa një rrugëtar, të lodhur dhe të rraskapitur. Njerëzit e tij i jepnin të pijë dhe e lagnin, por ai refuzonte të pijë. Kur i pyeti Profeti a.s, i thanë se agjëron. Profeti a.s tha:”Nuk është vepër e mirë agjërimi në udhëtim.” D.m.th për një udhëtim të tillë kaq të rëndë.
Shohim që Profeti a.s e ndaloi agjërimin në raste të ngjashme. E në këtë kuadër, hyn dhe një i burgosur apo dikush që është kapur rob nga armiqtë dhe nuk i ofrohet ushqim që i mundëson agjërimin në kohën e duhur. Në raste të tilla, myslimanit i lejohet të mos agjërojë pasi këtë e bën me arsye, njëlloj siç ndodh me të sëmurin dhe udhëtarin. Nga ana tjetër, ai duhet ta bëjë nijet që këto ditë ti agjërojë më vonë, kur të dalë nga burgu dhe të jetë i lirë. “Zoti dëshiron për ju lehtësimin dhe jo vështirësimin.” (Bekare, 185)
Zoti e di më mirë