Categories
Fetva Ramazani

Agjërimi për dikë që nuk falet

Pyetje:”Çfarë mendoni për dikë që agjëron Ramazanin por nuk falet? A i pranohet agjërimi një njeriu të tillë?”
Shejh Jusuf Kardavi
Përgjigje:”Një ndër gjërat e çuditshme që vihet re tek myslimanët është se ka njerëz të cilët janë të përpiktë me agjërimin e muajit të Ramazanit, por për fat të keq, nuk i kushtojnë të njëjtën rëndësi namazit.
Ramazani është një muaj i shenjtë, shenjtërinë e të cilit nuk e shkel veçse ndonjë që s’ka haber nga Islami.
Megjithatë, dua të theksoj se namazi gëzon një status më të lartë sesa agjërimi i Ramazanit. Namazi është rituali i parë dhe kolona e islamit. Ajo që e ndan një mysliman nga një jomysliman është namazi. Por për shkak të injorancës dhe dhënies pas kësaj bote, disa njerëz e kanë neglizhuar rëndësinë e namazit dhe rëndësinë që i ka kushtuar islami. Ka njerëz të tillë të cilët nuk janë përulur qoftë dhe një herë në jetën e tyre. Saqë çdo Ramazan, përballemi me pyetje të ngjashme lidhur me agjërimin e atyre që nuk falen.
Ata që mendojnë se ai që nuk falet është qafir, mendim të cilin e mbështesin tek disa hadithe, është e qartë se për ta një njeriu që nuk falet nuk i pranohet as agjërimi. Kjo, sepse ai është qafir për shkak se ka lënë namazin dhe një qafiri nuk i pranohet agjërimi.
Kurse shumica e dijetarëve të parë dhe të mëvonshëm, mendojnë se ai që lë namazin është fasik por jo qafir. Zoti nuk e humb veprën e mirë të një personi. kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë.” (Zelzele, 7-8)
Një njeri i tillë do të penalizohet për namazin që nuk e ka kryer dhe do të shpërblehet për agjërimin. Penalizmi për lënien e një detyre farz, nuk ia heq të drejtën të shpërblehet për një vepër të bërë. Thotë Zoti në Kuran:” Dhe në Ditën e Kiametit, Ne do të vendosim peshore të sakta e askush nuk do të pësojë asnjë padrejtësi. Ne do të sjellim (për gjykim) çdo vepër, qoftë kjo edhe sa pesha e një kokrre sinapi. Ne jemi të mjaftueshëm për llogaritje.” (Enbija, 47)
Kurse po ta kapim nga ana praktike, çfarë fitojmë po ti themi dikujt që agjëron dhe nuk falet se si agjëroka si jo, është njëlloj, agjërimi i tij është i pavlefshëm. Kjo mund ta shtyjë që ashtu siç ka lënë namazin, të braktisë dhe agjërimin, fijen e fundit që e lidhte për feje. Një qëndrim i tillë, mund ta largojë përfundimisht nga feja, për të mos u kthyer kurrë më.
Në raste të tilla, është më mirë tu themi: Zoti ta shpërbleftë për agjërimin, por duhet ta plotësosh fenë tënde me obligime që janë më të rëndësishme, siç është namazi. Ti ke duruar urinë, etjen dhe je privuar për hir të kënaqësisë së Zotit. Atëherë përse nuk e hedh dhe një hap, e të rreshtohesh bashkë me besimtarët e tjerë në namaz, po për hir të kënaqësisë së Zotit?
T’ia ruash këtë lidhje të dobët me fenë, e mban atë të lidhur për islami, qoftë dhe një muaj në vit. E padyshim, kjo është më mirë sesa ta largosh përgjithmonë. Një dele qorre është më e mirë se një e verbër.
Zoti e di më mirë!
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version