Categories
Lajme

Akademikët e Shqipërisë: Mos e shani Rexhep Qosjen

Plot 37 akademikë e profesorë shqiptarë kanë nënshkruar një letër të hapur, përmes së cilës dalin kundër akuzave që kreu i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Hivzi Islami, ka bërë ndaj akademikut Rexhep Qosja.
Në një artikull të messhkurtit, Islami e cilësonte profesorin hipokrit, shpifës, intrigant e përçarës i kombit. Akademikë si Muzafer Korkuti (kryetar i Akademisë së Shkencave), Jorgo Bulo, Arben Puto (historian), Rexhep Meidani (ish-president), Luan Omari, por edhe profesorë si Paskal Milo e Pëllumb Xhufi, i kanë cilësuar akuzat joparimore e model të mjerimit intelektual, ndërsa kanë vënë në dukje se Qosja është personalitet poliedrik.
Si pjesë e komunitetit shkencor dhe kulturor shqiptar, ata shprehin keqardhjen për degradimin e lirisë së shprehjes në një agresion të hapur verbal, me insinuata dhe akuza personale, që dalin nga korniza e një debati normal shkencor.
Më herët, në artikuj të ndryshëm, por edhe në një intervistë për “GSH” në dhjetor 2012, profesor Qosja ka vënë në pah faktin që në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës vazhdon të sundojë një klan i mëhallës dhe i një partie.
“Klani, çdo anëtar të pranuar në Akademi e vlerëson me kriterin përkatës: me kriterin e mëhallës dhe të Partisë – të Lidhjes së quajtur Lidhja Demokratike e Kosovës, në të vërtetë ish-Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë në Kosovë!”, theksonte ai.
Debati u hap pak ditë më parë, në një diskutim në parlamentin e Kosovës. Pas kësaj, profesorin e akuzuan se ka zgjedhur Josip Broz Titon anëtar të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, gjë që miq dhe të njohur të Prof. Qosjes e mohojnë kategorikisht. Më poshtë, “GSH” boton letrën e plotë.
Letra
Publiku shqiptar është bërë këto ditë dëshmitar i një sulmi mediatik të Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademik Hivzi Islami, kundër akademikut Rexhep Qosja, çka ka provokuar një debat edhe në rrjetet sociale, duke marrë trajta të ekzagjeruara, të papranueshme për kulturën e komunikimit intelektual.
Si pjesë e komunitetit shkencor dhe kulturor shqiptar, nuk mund të mos shprehim keq-ardhjen tonë për degradimin e lirisë së shprehjes në një agresion të hapur verbal, me insinuata dhe akuza personale, që dalin nga korniza e një debati normal shkencor, me një gjuhë dhe fjalor të papajtueshëm me normat e etikës profesionale dhe të moralit akademik.
Ne gjykojmë se “debate” të tilla zhgënjejnë gjithë shqiptarët dhe zhvleftësojnë në sytë e publikut rolin e komunitetit shkencor në proceset e emancipimit dhe demokratizimit të shoqërisë shqiptare; se ato nuk u shërbejnë proceseve të integrimeve kombëtare, dhe nuk i përgjigjen kërkesës urdhëruese të kohës për bashkimin e gjithë institucioneve dhe forcave të gjalla të kombit për të përballur sfidat e mëdha që qëndrojnë përpara dy shteteve shqiptare dhe gjithë shqiptarëve kudo ku jetojnë, duke na paraqitur keq edhe në sy të botës.
Duke qenë të hapur për një debat normal, që respekton lirinë e mendimit dhe të drejtën e kujtdo për të shprehur opinionin e vet, ne e shohim me shqetësim transferimin e gjuhës së urrejtjes e të përbaltjes nga politika në debatin shkencor intelektual, si dhe të frymës konfliktuale, që na përçan, në vend që të na bashkojë në këtë epokë të re integrimesh.
Akuzat joparimore kundër personaliteteve të jetës sonë kombëtare dhe kulturore, nga çdo anë qoftë, nuk mund të jenë veçse një model i mjerimit intelektual, që nuk e meriton as klasa intelektuale, as publiku.
Prof. Rexhep Qosja është një personalitet poliedrik, protagonist i vijës së parë të intelektualëve që profesionin e tyre si njerëz të dijes e të letrave e përjetojnë si një mision patriotik e qytetar.
Kontributet e tij të shënuara intelektuale dhe për çështjen kombëtare, siç e dëshmon një bibliotekë e tërë veprash shkencore, letrare dhe historike, krijuar prej tij, dëshmojnë se prof. Qosja është përfshirë në proceset e jetës sonë këtë gjysmëshekulli që shkoi, jo vetëm me talentin e një krijuesi e shkencëtari të përmasave kombëtare, jo vetëm me përkushtimin e një atdhetari, jo vetëm me njohjen dhe erudicionin e tij të gjerë e të thellë, por edhe me guximin qytetar dhe me shpirtin kritik e antikonformist për të mos u pajtuar me asgjë që dhunon të vërtetën.
Momenti historik që po kalojmë na shtyn t’i bëjmë thirrje ndërgjegjes intelektuale të kombit, për të reflektuar për përgjegjësitë e saj para popullit tonë dhe përpara historisë. /GazetaShqiptare/

Exit mobile version