Categories
Lajme FRI

Akademiku 27- vjeç

Ndonëse vetëm 27 vjeçar, është një ndër studiuesit e rrallë që këtë vit fitoi bursën “MAX WEBER”, nga Instituti Universitar Evropian i financuar nga Bashkimi Evropian për studime post-doktoraturë në Firencë të Italisë. Në një konkurencë prej 1100 kandidatësh nga mbarë globi, tetovari Besir Ceka tashmë ka filluar të jetë ligjërues pranë James Madison University dhe Max Weber Fellow në Institutin Universitar Evropian, që të dyja në Firencë të Italisë ku jep mësim në nivelin master për Bashkimin Evropian.
Besir Ceka, në fillim të vitit arriti që të mer këtë bursë me ç`rast fituesit e kësaj burse janë kuadrot më të kërkuara në shumë universitete në Evropë dhe Amerikë. Kjo bursë konsiderohet si një nga më prestigjiozet dhe kuadrot që do të aftësohen për tregun akademik jo vetëm evropian por edhe më gjërë, shprehet Besir Ceka. “Bursa Max Weber Fellowship jepet nga Instituti Universitar Evropian (European University Institute) dhe financohet nga Bashkimi Evropian. Post-doktoraturën e filloi në shtator të këtij viti dhe do të zgjasë plot 12 muaj. Këtë vit ka pasur mbi 1100 kandidatë nga e gjithë bota, të cilët e kanë përfunduar doktoraturën ose janë në përfundim e sipër, për gjithsej 40 pozita në lëmitë e shkencave politike, sociologjise, historisë, juridikut dhe ekonomisë. Bursa Max Weber konsiderohet si më prestigjiozja në Evropë dhe ka për qëllim kryesor përgatitjendhe aftësimin profesional të kandidatëve për tregun akademik. Në të kaluarën, fituesit e kësaj burse kanë gjetur punë në disa nga shkollat më të famshme të Evropës dhe Amerikës. Bursistat kanë për obligim që të bëjnë hulumtime shkencore në lëmitë e tyre përkatese, si dhe të publikojnë disa punime shkencore ose një libër në fund të programit”, thotë Besir Ceka, për gazetën Koha.
Për shkak të gjendjes jo të mirë sociale, Besiri, tërë shkollimin e tij do ta vijojë përmes bursave dhe falë përkushtimit të tij për mësim, dituri si dhe të arrijë sa më shumë në karrierë. Ai edhe pse një kohë të gjatë do të qëndrojë nëpër Evropë dhe SHBA, megjithatë largësia nuk ka ndikuar që ai të harrojë vendlindjen dhe prejardhjen. Ai thekson se dëshira e tij është që të ndihmojë edhe në universitetet shqiptare dhe tërë Beckgraundin e tij akademik ta vëndojë në funskion të përparimit të gjeneratave të reja. Besiri shkollimin fillor dhe të mesëm i kreu në Tetovë kurse më pas studimet i ka vazhduar në universitetin në Maine të SHBA-ve, ku ka studiuar shkencat ekonomike, shkencat politike dhe gjuhën gjermane ndërsa në maj të vitit 2012 ka mbrojtur temën e magjistraturës. Në fund të verës së ardhëshme tetovari do të kthehet sërish në SHBA si profesor i Politikave Evropiane në Davidson College në Karoline të Veriut në SHBA. Kjo është një ndër shkollat më të shtrenjta në SHBA, ku një vit shkollimi kushton 54 mijë dollarë, ndërsa në vitin 2012 ishte ranguar si shkolla e tretë më rigoroze në SHBA nga gazeta NewsWeek duke qenë para Harvard-it.
Ai jovetëm që kreu shkollimin në SHBA por edhe shumë shpejt do të bëhet pjesë e kuadrit arismor, si në Universitetin e Bernit, në Univerzitetin e Karolinës së Veriut si dhe në James Madison University. Rrugëtimi i tetovarit ishte sa i mundimshëm po aq edhe i suksesshëm. Tërë shkollimin e tij në Tetovë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta ndjek përmes bursave të ndryshme të cilët i hapën dyert që ai në një moshë shumë të re të jetë doktor në lëminë e shkencave politike në Universitetin e Karolinës së Veriut në Çhapel Hill ku ishte edhe ligjërues. Por si filloi historia e djaloshit tetovar i cili tashmë është pjesë e stafeve akademike të shumë universiteteve dhe shkollave me renome. “Shkollën e mesme e kam kryer në gjimnazin e Tetovës, ndërsa falë një burse të plotë prej 250 mijë dollarëve shkollimin universitar e vazhdova në Bates College në Maine të SHBA-ve ku kam studiuar Ekonominë, shkencat politike dhe gjuhën gjermane. Në maj të këtij viti arrita të mbroj temën e doktoraturës në shkencat Politike në Universitetin e Karolinës së Veriut në Chapel Hill, pas pesë viteve shkollim dhe ligjërimi në këtë universitet ku poashtu kam bursë të plotë prej 300 mijë dollarëve. Para dy vitesh isha ligjërues i Integrimeve Evropiane në Universitetin e Bernit në Zvicër për një semestër. Ndër temat kryesore që studioj janë integrimet evropiane, mendimi publik për Bashkimin Evropian, partitë politike dhe besueshmëria që qytetarët shprehin për institucionet demokratike në Evropë, thotë mes tjerash Ceka. Ai krahas gjuhës angleze, flet rrjedhshëm gjuhën gjermane dhe gjuhën spanjolle, ndërsa tash është duke mësuar gjuhën italiane. Krahas angazhimit të tij ai poshtu është duke shkruar një libër me dy profesorë të njohur nga Evropa Gary Marks nga Britania e Madhe dhe Liesbet Hooghe nga Belgjika për organizatat ndërkombëtare që do të publikohet vitin e ardhshëm nga Oxford University Press.“Puna ime e fundit është përqëndruar edhe në efektet e krizës ekonomike që filloi në vitin 2008 si dhe për të përhapur mbështetje për Bashkimin Evropian dhe idenë e integrimeve evropiane. Gjatë katër viteve të fundit unë kam qenë i përfshirë në një projekt me bashkë autor të librit të titulluar” Qeveria ndërkombëtare” që analizon autoritetin e organizatave ndërkombëtare. Në mënyrë të veçantë, ky libër, i cili aktualisht është në kontratë me Oxford University Press, tenton të jep sqarime mbi autoritetin dhe ndryshimin e 72 organizatave ndërkombëtare nga viti 1950 e deri në vitin 2012” shprehet ai. Por cilët janë objektivat e Besir Cekës për në të ardhmen.Dëshira e tij është që në të ardhmen të ndihmojë gjeneratat e reja që kanë vullnet për të vijuar studimet jashtë shtetit.“Dua të jem aktiv në debatet mbarë Evropiane lidhur me zhvillimet demokratike dhe besueshmerinë në institucionet politike në rajon.Të jap mësim në universitetet shiptare për një semestër ose një vit.Të jem i dobishëm për familjen time dhe shoqërinë dhe të ndihmoj të rinjët që duan ti ndjekin hapat e mia”, thotë Besir Ceka.
Në Tetovë ai ka familjen e cila mburret me të arriturat e Besir Cekës. Vëllau i tij, Jetmiri, thotë se Besiri gjithnjë ka pasur një zell të madh për të mësuar dhe për të arritur sa më shumë në jetë dhe në karrierë. “Për ne si familje është kënaqësi që dëgjojmë çdo ditë lajme të mira për sukseset e Besirit. Por suksesi dhe arritja e tij nuk është krenari vetëm për ne si familje por për tërë shqiptarët sepse edhe dëshira e tij është që një ditë tërë atë diturinë ta transmetojë edhe tek gjeneratat e reja këtu në vendlindje” thotë Jetmir Ceka . Të rrallë janë njerëzit të cilët në moshë shumë të re i përkushtohen ngritjes akademike sidomos në shtetet ku arsimi zhvillohet në bazë të meritave dhe njohurive. I tillë është edhe Besir Ceka, i cili për çdo vit shënon suksese në karrierën e tij akademike edhe atë larg vendlindjes së tij Tetovës e cila mburret për dy universitetet që ka.
Urim Hasipi
Gazeta Koha

Exit mobile version