Në një intervistë që ia dha gazetës spanjolle El-Mundo, Alija Izetbegoviq në pyetjen se ç’i lë në amanet popullit të vet, u përgjigj: “Besimin në Zotin dhe besimin në vetvete!” Tërë pesha dhe barra, por edhe korrektësia e jetës së tij mund të ndihet në fjalinë e shkurtër, me të cilën e ka përmbyllur autobiografinë e tij Kujtimet:“Sikur të më ofrohej që edhe njëherë të jetojë, do ta refuzoja. Por, nëse do të duhej sërish të lindesha, do ta zgjedhja jetën time.”
Shkruan: Nexhat Ibrahimi
Para disa kohe ishte përvjetori i 86-të i lindjes ndërsa sot është 10-të vjetori i vdekjes së Alija Izetbegoviqit (u lind më 8 gusht 1925, kurse vdiq më 19 tetor 2003), intelektualit të njohur boshnjak, rebelit të fuqishëm nga vitet e dyzeta të shekullit XX, liderit të Bosnjës në dy dekadat e fundit të fundshekullit XX.
Mbase shteti i tij do të organizojë ndonjë tribunë në shenjë kujtimi, mbase ndonjë shkrim kurtuazie në ndonjë gazetë a revistë, mbase ndonjë lajm i shkurtër radio-televiziv e të ngjashme. Në vendet tona nuk bëhet gjë, pos ndonjë përkujtim rasti në ndonjë gazetë apo ndonjë përkujtim në rrjetet sociale si Facebook etj. Dikush do të thotë, kjo është e mjaftueshme. Në fund të fundit, ai ishte boshnjak.
Mirëpo, nëse gjerat nuk i shikojmë me syrin nacionalist por të vlerave të mirëfillta, do të duhej të shtrohej pyetja sa jemi në rrugën e tij, sa jemi larg në zbatimin e porosive dhe idealeve të tij? Në Bosnjë shumë individë dhe grupe pretendojnë se janë në rrugën e tij, kurse te ne pretendojnë se janë të denjë ta lexojnë dhe të kënaqin kureshtjen intelektuale me mendimet e tij meastrale fetare-metafizike, etike-filozofike, socio-politike.
Duke e marrë parasysh se për lexuesit shqiptarë interesimi kryesor do të jetë Alija Izetbegoviqi intelektual, filozof, humanist, luftëtar për lirinë e fesë, i mendimit të lirë, i lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave dhe më pak Alija Izetbegoviqi kryetar partie apo kryetar shteti, edhe angazhimi ynë do të jetë në këtë aspekt, në aspektin intelektual.
Islami zinte vend me rëndësi në jetën e Alija Izetbegoviqit. Qysh si i ri u rreshtua në anën e popullit të tij dhe vlerave të përhershme. Si adoleshent hyri në lëvizjen e njohur antikomuniste të quajtur Mlladi Muslimani. Si aktivist që vepronte nga pozicionet islame, në vitin 1946 u arrestua dhe dënua me 3 vjet burg. Si reflektim i këtij qëndrimi ai ishte kritik rreth raportit tonë me Islamin. Për ta përshkruar këtë gjendje, ai pati thënë:
“Islami është më i miri, kjo është e vërtetë, por ne nuk jemi më të mirët. Këto janë dy çështje që shpesh i ndërrojmë. Në Islam gjithnjë kam kërkuar për vlerat e tij universale që i bashkojnë njerëzit e nuk i ndajnë, ashtu si thotë Kur’ani, se të gjithë kemi burimin nga një njeri dhe një femër dhe se jemi të ndarë në fise e popuj, jo që t’i bëjmë dëm njeri-tjetrit por të njihemi mes veti. Prandaj besoj dhe do të besoj se duke i shërbyer Islamit dhe muslimanëve, njëkohësisht do t’i shërbejë të gjithë popujve të vullnetit të mirë.”
Me një rast tjetër pati thënë:
“Përse popujt lutja e të cilëve është pastrimi dhe e lidhur me kontrollimin e përhershëm të kohës nuk janë shembull i pastërtisë dhe saktësisë? Përse popujt që heqin dorë nga ushqimi dhe pijet një muaj në vit nuk janë shembull i disiplinës?” Përse edhe pas 14 shekujve këto praktika ndonjëherë të egra dhe rigoroze, pastërtia, saktësia dhe disiplina nuk janë bërë natyra e tyre apo madje opsesion.”
Këto dhe mendime të ngjashme e shtynë intelektualin e madh boshnjak akad. Enes Kariq që të pohojë se përkundër faktit se Alija Izetbegoviq në rini ishte pjesëtar i lëvizjes “Mlladi Muslimani”, se në kujtimet e tij rinore ai u përket atyre, me mendimet dhe veprimtarinë e mëvonshme ai i përket një Islami liberal, një Islami të hapur, çfarë do ta gjejmë te kokat e mëdha të shekullit XX, si te Muhammed Ikballi, Fazlur Rahmani, Muhammed Asadi e të tjerë, e që i përkasin një trendi që disa e kanë quajtur si “teologji dhe filozofi islame të çlirimit”, e shkruar në gjuhën arabe, angleze gjermane, urdu etj.
Për boshnjakët dhe dilemat e tyre nga të rreshtohen, ai nuk veproi si intelektualët tanë, por pati thënë si vijon:
“Ne jemi muslimanë evropianë. Ky është fati ynë. Ne duam të bëhemi edhe muslimanë edhe evropianë. Unë personalisht ndihem më së miri kur them se jam musliman evropian, sepse këtë jam. Kur shkoj në Lindje gjithnjë diçka më pengon dhe kur shkoj në Perëndim sërish diçka më pengon. Më së miri ndihem këtu, në Bosnjë.”
Intelektualët shqiptarë, pjesa më e madhe, këtë që Alija e quan “fat”, e quajnë aksident, fatkeqësi, katastrofë, mjerim etj., dhe me tërë gojën nuk i shohin mangësitë brenda tyre por tek osmanlinjtë, duke i pastruar nga “faji” edhe serbët, edhe bullgarët mesjetarë, edhe bizantinët, edhe romakët.
Është interesant që edhe në çastet e vuajtjeve të skajshme, ai gjen shpirt dhe zemër që për popujt e tjerë, e me këtë rast e ka fjalën sidomos për serbët, të thotë:
“Nuk mendoj se ekzistojnë popuj të këqij. Ekzistojnë popujt të cilët janë udhëhequr keq.”
Ai ishte me të gjithë i njerëzishëm, sidomos me ushtarët. Para tyre nuk sillej me arrogancë, çfarë do ta gjejmë te të tjerët, por do ta gjejmë si një nga ata. Me rastin e vizitës së një brigade gjatë kohës së luftës, një luftëtar iu drejtua Izetbegoviqit me një pyetje:
“A do të ketë drejtësi kur të vijë paqja?!
Izetbegoviqi u përgjigj:
“Nuk do të ketë drejtësi,nuk do të ketë. Padrejtësi do të ketë në të gjitha anët dhe do të duhet të luftoni kundër saj, sikur që tash po luftoni kundër çetnikëve.”
Me luftëtarët e tij sillej miqësisht dhe vëllazërisht. Me një rast tha:
“Zakonisht kërkojnë t’u flas diçka, kurse unë më me qejf do të bisedoja me ta …nuk e di si më shohin ata mua, por supozoj se më përjetojnë si njeri të zakonshëm dhe të afërm, e jo si një komandant, dhe do të doja të ishte ashtu; komandantë ka sa të dëshirosh, duke filluar nga dhjetari e më sipër. Unë, vjedhurazi, shikoj si janë të veshur e mbathur, si duken, të ushqyer apo jo.”
Dy vjet pas Marrëveshjes së Dejtonit në vitin 1995, Alija Izetbegoviqi lidhur me paqen tha:
“Dhe na pretë, nëse do Zoti, paqja. Jo menjëherë, por së shpejti. Përgatituni mirë për këtë paqe. Pejgamberi jonë, kur u kthye nga një luftë e vështirë, ka thënë se po kthehet nga një betejë e vogël në një betejë të madhe, ka menduar për atë në paqe. Dhe njëmend, ajo që na pretë kur të përmbyllet lufta nuk do të jetë aspak e lehtë. Druaj se shpesh do të mendojmë në ditët kur ishte vetëm luftë. Kur është i sëmurë njeriu ka vetëm një dëshirë – të shërohet, kurse kur shërohet – atëherë shfaqen njëqind dëshira dhe nganjëherë bëhet më pak i lumtur se sa kur ishte në shtrat. Ngjashëm është edhe me popullin i cili lufton dhe i cili është në gjendjen në të cilën jemi ne. Ai mendon: kur të pushojnë këto granata dhe të vij paqja, atëherë çdo gjë do të jetë e lehtë, atëherë para tij është rruga e sheshtë. Dijeni, na presin probleme të mëdha: industria e rrënuar, papunësia, uria… tash po na ushqen bota. Të gjithë, pak a shumë, po marrin barabartë. Ndërkaq, ajo që do të vijë, janë parabarazitë e mëdha – do të keni pasanikë të mëdhenj, profiterë lufte të cilët do ta eksploatojnë atë pjesë të zakonshme të popullit i cili nuk do të ketë punë. Pra, ju që do të duhet ta udhëhiqni popullin në paqe, përgatituni mirë për këtë! Mos jetoni në iluzione, as mos mbillni iluzione se do të jetë lehtë. Do të jetë mjaft rëndë!”
Paqja, sipas Alija Izetbegoviqit lidhet ngushtë me lirinë, kurse liria perceptohet si dhuratë e Krijuesit. Liria e njeriut, liria e njerëzisë sipas Izetbegoviqit përkufizohet si Islam, prandaj njeriu njeriut duhet t’i dhurojë liri, së paku nuk duhet t’i rrëgjojë dhe kufizojë lirinë.
Në një intervistë që ia dha gazetës spanjolle El-Mundo, Alija Izetbegoviq në pyetjen se ç’i lë në amanet popullit të vet, u përgjigj:
“Besimin në Zotin dhe besimin në vetvete!”
Tërë pesha dhe barra, por edhe korrektësia e jetës së tij mund të ndihet në fjalinë e shkurtër, me të cilën e ka përmbyllur autobiografinë e tij Kujtimet:
“Sikur të më ofrohej që edhe njëherë të jetojë, do ta refuzoja. Por, nëse do të duhej sërish të lindesha, do ta zgjedhja jetën time.”
Ky ishte në dy-tre rreshta Alija Izetbegoviqi: i thjeshtë, i zakonshëm dhe i afërm me të dobëtin dhe me të përvuajturin, por si shkëmb i fortë me armikun, i thellë me intelektualin, largpamës me të ardhmen. Atë nuk e lakmuan dekoratat dhe shpërblimet nga të tjerët. I mbeti besnik jetës së dikurshme, i tillë çfarë ishte pa qenë kryetar, i tillë çfarë ishte pa pranuar dekorata e mirënjohje.
EDITOR
11 years ago
previous article
“Yjet e Bajramit” gëzuan fëmijët
next article
Thënie të çmuara të Dijetarëve I
you might also like
KUVENDI RAPORTUES XVII
11 months ago
HALIL AVDULLI LIGJËROI NË SHKUP
11 months ago
“SIGURONI KIBLËN E JETËS”
1 year ago