Një mbrëmje e gjitha për t’u shijuar. E tillë rezultoi edhe këtë vit ndeshja e All Star Game ku basketbolli amerikan nxjerr në vitrinë gjithë hijeshinë e një loje që përtej Atlantikut dhuron gjithë hijeshinë e vërtetë të saj. Kyrie Irving me 31 pikë ishte qershia mbi tortë e mbrëmjes ku Divizioni i Lindjes triumfoi ndaj Perëndimit me rezultatin final 163-155. Takimi i luajtur në New Orleans vendosi përballë yjet më të mirë të kampionatit, të cilët nuk u kursyen në magjitë e tyre, duke ofruar një tjetër reklamë falas të basketbollit amerikan që është edhe toka e premtuar për të gjithë profesionistët e këtij sporti. Pikën e parë të takimit e shënoi lojtari i Miami Heat, LeBron James, por Blake Griffin iu kundërpërgjigj me një kosh personal. Gjithsesi, në gjirin e lindjes talenti ishte me bollëk sepse Stephen Curry ndihmoi skuadrën e tij, ndërsa nga ana tjetër, i përhershmi Tony Parker shënoi një dy pikësh me peshe duke e mbyllur periodën e parë me rezultatin 44-42 për Perëndimin.
Personazhi i radhës ishte Kevin Durant që zgjeroi diferencën në 72-60 me një tre pikës, ndërsa Carmelo Anthony iu kundërpërgjigj me një tjetër perlë për tre. Në skenë doli sërish James, i cili ndezi motorin turbo duke regjistruar disa pikë rresht pasi e mbylli mbrëmjen me 22 pikë, 7 ribaunde dhe po kaq asiste. Në fund të periodës së dytë ishte perëndimi që vazhdoi të ruante kryesimin me rezultatin led 89-76, por në fillim të periodës së tretë, John Wall i Washington Wizards shkurtoi diferencën në126-125. Ky ishte edhe momenti më i mirë për mbrojtësin e Cleveland Cavaliers, Kyrie Irving që mori në dorë frenat e skuadrës lindore, ndërsa Curry shënoi pikën e kthesës me një 3 pikësh që i lejoi skuadrës së tij të merrte avantazhin. Ishte Carmelo Anthony ai që vendosi pikat mbi “I” duke realizuar një tjetër 3-pikësh që ishte edhe i teti personal për të, një rekord më vete ky. Ky ishte suksesi i tretë rresht në All Star Game për Divizionin e Lindjes, ndërsa Irving me 31 pikë dhe 14 asiste u zgjodh lojtari më i mirë i takimit.