Shtetet e Bashkuara të Amerikës parashikojnë rritje të tensioneve paraelektorale në Shqipëri deri në trazira dhe turbullira politike. Pavarësisht ultimatumeve të pafundme në adresë të Sali Berishës për të pranuar qetësisht vullnetin e qytetarëve shqiptarë dhe një rotacion paqësor politik, ambasada amerikane në Tiranë paralajmëron kaos dhe trazira në ditët në vijim. Teksa na ndajnë edhe pak ditë nga zgjedhjet e 23 Qershorit, incidente të rënda kanë karakterizuar deri më tani fushatën elektorale. Plumbat, zjarrvënie, tritol shtëpive të kandidatëve dhe kërcënimet me armë, janë edhe panoramë e kësaj fushate elektorale, e cila sa vjen e tensionohet. Ndërkaq, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka lëshuar një paralajmërim për qytetarët e këtij vendi, që jetojnë ose punojnë në Shqipëri. Ambasada amerikane ka paralajmëruar qytetarët e saj të kenë në kujdes në ditët në vijim nga grumbullimi i njerëzve dhe demonstratat. “Qytetarëve amerikanë, që udhëtojnë ose jetojnë në Shqipëri, u kujtojmë se fushata për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit ka nisur. Tubimet publike do të shtohen gjatë kësaj periudhe si pjesë normale e një procesi demokratik. Qytetarët amerikanë duhet të qëndrojnë vigjilentë dhe të interesohen se çfarë ndodh rreth tyre, të sigurohen mbi sigurinë e tyre, të evitojnë mbledhjet publike, të cilat lidhen me zgjedhjet dhe të evitojnë demonstratat që bëhen në Tiranë ose në qytete të tjera të vendit”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane. Sa i takon, masave që duhet të marrin qytetarët amerikanë, këshillat e ambasadës amerikane pothuajse janë standarde. “Ju duhet ta shmangni tubimin nëse është e mundshme. Demonstratat në një qytet kanë potencial për të çuar në shtesë të personave në tubim ose përhapjen e demonstratave të tjera në të gjithë vendin. Jini vigjilent në vendbanimin tuaj dhe u kushtoni vëmendje raporteve të medias lokale në lidhje me të gjitha tubimet publike ose demonstrata të mundshme. Qytetarët e SHBA-së nxiten të ushtrojnë kujdes të fortë nëse ndodhen në afërsi të tubimit”, këshillon ambasada amerikane.
Angazhimi i amerikanëve
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si asnjëherë më parë, janë angazhuar dhe kanë marrë deri diku përsipër të mbrojnë zgjedhjet e 23 Qershorit. Nisur edhe nga trazirat e 21 Janarit dhe precedenti në zgjedhjet e 8 Majit 2011, Uashingtoni ka vendosur të vëzhgojë nga afër zgjedhjet e 23 Qershorit dhe të mbajë nën kontroll Sali Berishën. Ndërkaq, zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, kanë paralajmëruar Sali Berishën në zyrën e tij se nëse prek zgjedhjet e 23 Qershorit, do të hyjë në luftë me SHBA.
Arvizu thirrje për pjesëmarrje në votime
Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, u ka bërë thirrje shqiptarëve për të marrë pjesë masivisht në votime në zgjedhjet e 23 Qershorit. Kohë më parë, Arvizu ka deklaruar se amerikanët mbështesin rotacionin në parim. “Periudha e zgjedhjeve këtu në Shqipëri. Është një moment emocionues. Pse duhet të votoni? Që të bëheni pjesë e demokracisë,” shkruan Arvizu. Ambasada amerikane është përfshirë në një fushatë ku u bën thirrje njerëzve që të dalin të votojnë për një të ardhme më të mirë. Adriatik Doçi /agjencia e lajmeve SOT/
Categories