Tashme e gjithë dija e antikitetit ndodhej në duart e myslimanëve. Mundi dhe shpenzimet e bëra nga udhëheqësit myslimanë për ta përvetësuar këtë dije, kishte dhënë frytet e tij. Qëllimi i vënë ishte realizuar plotësisht. Në një farë mënyre ëndrra ishte bërë realitet. Megjithëse mund të duket sikur gjithçka po shkon drejt përfundimit, e vërteta qëndron ndryshe. Në realitet puna që ishte kryer, ishte ekuivalent vetëm me gjysmën e asaj që duhej bërë. Që nga përvetësimi i dijeve të qytetërimeve të mëparshme deri tek krijimi dhe zhvillimi i një shkence vetjake, e cila duhej të ishte e ndryshme dhe më e zhvilluar nga ato që i kishin paraprirë, kishte akoma shumë rrugë për të kryer. Koha i vinte udhëheqësit e shtetit Islam përballë disa kërkesave dhe ata nuk mund t`i shpërfillnin ato. Problemi i parë, që kërkonte zgjidhje, kishte të bënte me gjetjen e metodave efikase për t`i dhënë mundësi një numri sa më të madh njerëzish, që të studionin dhe të shfrytëzonin në mënyrë sa më të mirë të gjithë materialin e disponueshëm. Në pamje të parë ky problem dukej i parëndësishëm, mirëpo nuk ishte i tillë. Dija që myslimanët e ringjallën me aq mund, kishte humbur vetëm për faktin, se vetëm një numër i vogël personash mund t`i përdornin ato dije dhe me vdekjen ose emigrimin e tyre humbiste edhe bagazhi shkencor, që këta mbartnin me vete. Rilindja evropiane filloi pikërisht atëherë, kur dija filozofike dhe shkencore doli nga muret e errëta dhe të ftohta të manastireve, për t’iu bërë e njohur masave të gjera të popullsisë. Pra mos gjetja e një zgjidhjeje ose neglizhenca ndaj këtij problemi mund të shumëzonte me zero, në qoftë se mund të shprehemi kështu, të gjithë mundin e harxhuar deri në ato çaste.
Për të evituar këtë, njerëzit e dijshëm të asaj kohe filluan të mendonin për mënyrat më efikase që mund të gjendeshin, për t`i dhënë zgjidhje këtij problemi.
Atëherë, për t`i ardhur në ndihmë çdokujt që dëshironte të studionte autorët e antikitetit, në çdo qoshe të shtetit Islam u hapën medrese, universitete, biblioteka, sallone letrare etj, si dhe u vunë në dispozicion nga njerëzit e pasur të asaj kohe shuma të mëdha parash, për ta bërë sa më të lehtë udhëtimin dhe blerjen e librave nga ana e atyre, të cilët nuk kishin të ardhura të mjaftueshme për ta bërë këtë punë. Organizimi dhe struktura e tyre ishte e një niveli të lartë dhe shumë e përparuar për kohën. Për këtë arsye dëshiroj të ndalem pak në trajtimin e historikut dhe zhvillimit të këtyre institucioneve.
Vendi në të cilin mësoheshin të gjitha dijet shkencore fillimisht ka qenë xhamia. Ndryshe nga ajo që ndodh sot në ato kohë, xhamia nuk ishte vetëm një vend në të cilin adhurohej Zoti, por ajo ishte një vend, ku merrej dije shkencore dhe fetare, gjykoheshin shkelësit e ligjit, merreshin vendime politike etj.( Fethije En-Nebravi, “Tarihun-Nuzum ve’l-Hadrati’l-Isalmije”, Kajro, 1981,f.167)
Ky fenomen e ka origjinën e tij që me ardhjen e profetit Islam, Muhamedit (a.s) dhe në konceptin që la ai, në lidhje me strukturën dhe institucionin e xhamisë. Në ato kohë xhamia ishte qendra e gjithë jetës shoqërore dhe pikërisht rreth saj ndërtoheshin edhe shtëpitë e banuara.(Historia e Arsimit Islam, Tiranë 2001, f 19)
Më vonë me kalimin e kohës dija shkencore filloi të shkëputej nga territori i xhamisë dhe u transferua në një farë mënyre në institucione të ngritura posaçërisht për këtë punë. Këto institucione quheshin medrese, që nënkupton vendin, në të cilin nxënësi lexon, mëson dhe nxë dije. Në këtë institucion jepej mësim që nga niveli i ulët deri në nivelin e lartë. (Ibn Kethir, “El-Bidaje ue Nihaje” vëll.XII,f 135 ).
Kjo është historia e ndërtimit të medresesë ose universitetit të parë. Brenda një kohe të shkurtër numri i këtyre institucioneve u rrit me përmasa të pabesueshme. Pothuajse çdo provincë e shtetit Islam kishte nga një medrese ndërsa në qytetet e mëdha numri i tyre nuk numërohej. Në kohën e Nizamulmulkut, medrese të quajtura “nizamije” u hapën edhe në qytete të tjera si Isfahan, Reji, Nishaburi, Mervi, Belhu, Herati, Basra, Mosuli, dhe Amuli. Këto institucione financoheshin nga shteti, ose vetëfinancoheshin, duke përdorur prona të lëna vakëf nga individë të pasur të shtetit Islam. Medresetë ishin të ndara në departamente, ku secili departament ishte i specializuar në një fushë të caktuar të shkencës. Ndër të tjera ka ekzistuar edhe departamenti i mjekësisë, i cili quhej Daru’tib. Në këtë departament kryheshin mësimdhënia e lëndëve mjekësore, po ashtu edhe veprimtaritë kuruese. Në këto medrese dhanë mësim dijetarët më të mirë të kohës, duke bërë që këto medrese të trasmetojnë në mënyrë sa më të saktë dijen shkencore dhe fetare tek masa e gjerë e popullit. Midis shumë medreseve të famshme, dy prej tyre u shquan për cilësinë e mësimeve dhe famën e profesorëve të tyre. Këto ishin universiteti i Ez’herit i cili fillimisht ka qenë një xhami e ndërtuar nga Xhevher es-Sixhili në vitin (970 e.s) dhe që nga viti (988 e.s) e këtej u shndërrua në qendër të dijes të kërkimeve shkencore, dhe universiteti (ose medreseja) njohur me emrin “Munstensirije” kjo ka qenë një institucion me shume rëndësi për botën islame, dhe pikërisht duke imituar këtë universitet, perëndimorët themeluan universitetin e Parisit. Pjesëmarrja në këto shkolla ka qenë falas dhe kjo ka bërë, që një pjesë e mirë e popullsisë të shkollohej në to.
Paralel me hapjen e medreseve të para në tërë botën Islame, filluan të lulëzonin dyqanet e librave, sallonet letrare dhe bibliotekat e mëdha . Roli i tyre ka qenë i një rëndësie thelbësore për zhvillimin e shkencës islame në përgjithësi dhe asaj mjekësore në veçanti, duke qenë se libri ishte nga mjetet kryesore të asaj kohe, që bënte të mundur njohjen me arritjet shkencore të fushës, për të cilën t`i studioje, fakti që ekzistonin vende të caktuara, ku t`i mund të konsultoheshe me to pavarësisht nga prejardhja, gjendja financiare apo religjioni të cilës ti i përkisje. Ky ishte një faktor i rëndësishëm për zhvillimin sa më të shpejtë të dijeve shkencore. Mjet efikas për marrjen e dijes ishte edhe hapja e librarive në zona të ndryshme të kalifatit Islam.
Fillimisht këto dyqane u hapën për qëllime tregtie, por më pas, për shkak të interesit të madh që u tregua ndaj tyre nga intelektualët e ndryshëm të vendit, dalëngadalë këto dyqane u shndërruan në qendra të mbledhjeve dhe të diskutimeve letrare dhe shkencore.
Diskutimet e ndryshme të zhvilluara nga dijetarët myslimanë në lidhje me tema apo libra të caktuar ishin një rast shumë i mirë për të pasuruar bagazhin individual. Me kalimin e kohës, librashitësit i lejuan studentët apo persona e tjerë që nuk kishin të ardhura të mjaftueshme për të blerë libra, që t`i shfrytëzonin ato, duke i lexuar në dyqan. Një tjetër element, i cili flet mbi rëndësinë që zinin këto dyqane në jetën intelektuale të vendit, është edhe fakti që librashitësit, të cilët shërbenin në këto dyqane, nuk ishin tregtarë të rëndomtë, por përkundrazi në të shumtën e rasteve ato ishin dashamirës të letërsisë dhe dijes. Ata e ushtronin këtë profesion për të tërhequr sa më shumë njerëz të ditur në dyqanet e tyre, në mënyrë që gjithsecili të përfitonte nga dija e njëri tjetrit.
(Historia e Arsimit Islam, Tiranë 2001, f 24).
Fama e dijetarëve të cilët ligjëronin në universitetet Islame, u përhap në të gjithë vendet myslimane si edhe jo myslimane. Kërkesat e ngritura nga individë të ndryshëm, të cilët dëshironin të kishin mundësi për të ndjekur mësimet e këtyre dijetarëve të mëdhenj, sa vinin e shtoheshin. Shumë nga ato, të cilët dëshironin ta bënin këtë gjë, nuk i kishin mundësitë materiale për të kryer një udhëtim të tillë, i cili kërkonte shumë kohë dhe shpenzime. Duke parë rolin e rëndësishëm që luanin këto udhëtime në zgjerimin e horizontit dhe të kapaciteteve shkencore të studentëve myslimanë, udhëheqësit e asaj kohe filluan të mendonin për zgjidhjet e mundshme, të cilat duhet ta bënin sa më të lehtë kryerjen e këtyre udhëtimeve. Brenda një kohe të shkurtër u vunë në shërbim të këtij qëllimi struktura të tëra, të cilat ofronin shërbime të ndryshme në dobi të personave të cilat i ndërmerrnin këto udhëtime. Në vakëfet që liheshin nga individë të ndryshëm të shtetit Islam, specifikohej edhe pjesa e cila duhej të vihej në shërbim të studentëve të huaj, të cilët kishin nevojë për ndihmë. Një nga udhëtarët më të famshëm të shekullit XII, i cili quhej Ibën Xhubejr në ditarin e udhëtimeve të tij përshkruan mënyrën se si trajtoheshin të huajt në Damask. Ai thotë:Ibën Xhubejri i nxit të gjithë ato bashkatdhetarë të tij, për të cilët që të përfitojnë nga ky rast dhe të nisen për në Orient (Mahmud Fahrat, “Evoluzione della pedagogia arabo-musulmana, f 59)
Ibën Xhubejri ka përshkruar edhe vakëfet, që kanë qenë dhënë për t`i ardhur në ndihmë këtyre studentëve dhe mënyrën se si ato funksiononin. Ai flet në lidhje me këtë:
(Po aty,f 59,60)
Këto kanë qenë disa nga mënyrat, me të cilat i vihej në ndihmë studentëve, të cilët kishin nevojë për të. Disa qendra të tjera i ofronin studentëve vendin e Imamit të xhamisë, ose qëndrimin falas në ndonjë shkollë të caktuar të qytetit, ndërsa disa të tjera i lejonin që të mbanin mësime në xhami në shkëmbim të një shume të caktuar parash, me të cilat siguronin jetesën dhe zhvillimin normal të studimeve.
Ky lehtësim që i bëhej studentëve, të cilët nuk mund të siguronin të ardhurat e mjaftueshme për të përballuar studimet jashtë vendit të tyre, ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e Intelektualëve të ardhshëm. Një tjetër metodë për ta përhapur dijen shkencore dhe për ta zhvilluar atë, ka qenë edhe krijimi i “Salloneve Letrare” në të cilat mblidheshin dijetarët nga të gjitha fushat që nga teologët, letrarët, dhe deri tek mjekët. Në këto sallone letrare diskutohej për çështje teorike ose praktike në lidhje me shkenca të ndryshme . Këto sallone letrare u ndërtuan nën ndikimin e traditave të huaja, dhe në këto sallone merrnin pjesë vetëm persona të zgjedhur nga shtresa të ndryshme të shoqërisë.
(Historia e Arsimit Islam, Tiranë 2001, f. 26)
Këto sallone morën një zhvillim të madh sidomos në kohën e Kalifit Harun el-Rashid, për të cilin Isalmologu i famshëm Jackues Risler ka thënë: (Alija Izetbegoviq, “Pse myslimanët janë të prapambetur” f, 11-12)
Këto sallone letrare ishin një rast i volitshëm për shkencëtarë të fushave të ndryshme, që të takoheshin me kolegët e tyre nga e gjithë bota dhe të shkëmbenin idetë dhe mendimet, në lidhje me çështje të caktuara nga fusha që ata i përkisnin. Në një farë mënyre këto sallone letrare kanë luajtur të njëjtin rol, që kanë sot konferencat e ndryshme ndërkombëtare, në lidhje me çështjet shkencore. Aq sa është e rëndësishme për shkencën sot zhvillimi i këtyre konferencave, aq ka qenë i rëndësishëm edhe për kohën e atëhershme krijimi i këtyre tubimeve, ku flitej dhe diskutohej për çështje të ndryshme shkencore. Institucionet, të cilat kanë luajtur një rol vendimtar në përhapjen e dijes në një numër sa më të madh njerëzish, ka qenë edhe bibliotekat. Mbas përkthimit të dorëshkrimeve të vjetra, myslimanët menduan që këto përkthime t`i mblidhnin nëpër biblioteka të posaçme në mënyrë që gjetja e tyre si edhe punimi me to nga ana e të interesuarve të ishte sa më i lehte. Sapo iu krijua mundësia, myslimanët ndërtuan biblioteka të mëdha, në të cilat nuk ruheshin vetëm librat, por në to mbaheshin edhe kurse në nivel universitar në disiplinat më të njohura të asaj kohe. Krijimi i bibliotekave gjigande me një numër të stërmadh librash u bë me kalimin e kohës një veçori karakteristike e qytetërimit Islam. Vetëm në shekullin e tetëmbëdhjetë u shfaqën bibliotekat në perëndim, të cilat mund të krahasoheshin me ato që bota Islame i kishte prej shekujsh.” (Alija Izetbegoviq, “Pse myslimanët janë të prapambetur” f, 13).
Në atë kohë vetëm në Bagdad numëroheshin 100 biblioteka. Në një burim historik tregohet, që në momentin kur funksionarët e shtetit u futën në shtëpinë e një këpucari i cili kishte vdekur dhe nuk kishte lënë pasardhës pas tij, panë që ai posedonte një bibliotekë prej 2 mijë librash. Kjo flet qartë për rëndësinë, që i kushtohej dijes në atë kohë. Biblioteka në Nadif, e cila ishte një qytezë e vogël afër Irakut numëronte rreth 40 mijë vëllime; biblioteka e princit kurd nga Hameja Ebu el-Fidas numëronte 70 mijë të tilla; Rasulid el-Muaxhida në Arabinë jugore 100 mijë; në Marag 400 mijë; ndërsa biblioteka më e famshme dhe më e kompletuar ka qenë ajo e Azizit në Kajro, e cila numëronte një milion e 600 mijë vëllime. Këto biblioteka kaq të pasura përbënin për studiuesit një parajsë të vërtetë, në të cilën mund të gjeje të gjithë dijen e botës antike dhe arritjet më të fundit të asaj kohe dhe e gjithë kjo bëhej pa dalë jashtë qytetit në të cilin kishe lindur. Për ta pasur më të qartë idenë sesi funksiononin dhe se nga se përbëheshin këto biblioteka, do të trajtojmë në vijim strukturën e bibliotekës së Bagdadit e cila ishte themeluar nga Kalifi El-Memun.
Në këtë bibliotekë gjendeshin libra, që përfshinin të gjitha fushat e shkencës që ekzistonin deri atëherë. Ajo ishte e hapur për të gjithë pa dallim race apo religjioni. Në të mund të konsultoje, përktheje, apo kopjoje të gjitha tekstet e mundshme. Për ta bërë sa më të lehtë këtë proces, në bibliotekë ishin punësuar disa ekspertë, të cilët i ndihmonin ato që kishin nevojë për të kuptuar sa më mirë disa pjesë të veçanta, të cilat kërkonin një dije më të madhe për t`i shpjeguar ato. Se sa i rëndësishëm ishte ky institut, këtë e tregon edhe fakti, që funksionarët e këtij institucioni nuk ishin njerëz, të cilët kishin një kulturë mesatare, por përkundrazi ata ishin shkencëtarë, poetë, filozofë etj Kjo bibliotekë ishte edhe një institut i lartë në kuptimin e vërtetë të fjalës. Në të përveç faktit që jepnin mësim profesorë filozofie, matematike, mjekësie etj, gjendej edhe një observator astronomik, i cili drejtohej nga astronomët më të famshëm të asaj kohe si Jahja ibën Mansur, Kalid el- Marvazi dhe Abaz el- Gavhari.(Mahmud Fahrat, I Musulmani e La Scienza Romë 2001 f. 41)
Fama e këtij institucioni vazhdoi për shumë kohë dhe gjatë ekzistencës së tij nxori nga gjiri i tij mendimtarë, filozofë, dhe shkencëtarë të kalibrit të lartë, të cilët morën pjesë aktive në formimin e kulturës dhe shkencës Islame. Aq pjellore ka qenë periudha e asaj kohe, saqë shkencëtari i famshëm Ibën Nadim publikoi në shekullin e XII një bibliografi me titujt e të gjithë librave të filozofisë, matematikës, fizikës, kimisë, dhe mjekësisë, të cilët ishin publikuar në arabisht deri në atë kohë. Atij iu deshën dhjetë vëllime për të shkruar të gjithë emrat e librave në gjuhën arabe, që ishin publikuar gjerë atëherë. Ky fakt jep një panoramë të qartë të vlimit të dijes dhe të një atmosfere pozitive kundrejt çdo gjëje e cila kishte të bënte me intelektin. Në lidhje më këtë që sapo thamë, Zigrid Hunke thotë në librin e saj: (Zigrid Hunke, “Dielli arab shkëlqen mbi Perëndimin”f 375).
Këto masa, që u ndërmorën nga udhëheqësit myslimanë, për ta bërë dijen shkencore të arritshme për çdokënd që dëshironte ta bënte këtë gjë, bëri që dija e marrë nga qytetërimet e kaluara, të mos humbiste dhe njëkohësisht bëri të mundur, që të hidheshin bazat e para për formimin e shkencës islame me të gjitha karakteristikat dhe veçoritë që e dallojnë atë nga të tjerat.
/ardhmeriaonline.com/