… dhe s’kam tjetër fjalë, pos “më fal!”
Pra, më fal që nuk t’i kam thënë disa fjalë,
Që kërkohen shpesh e dalin rrallë!
Më fal që mundem të shkruaj e s’di të flas!
(Më fal nëse bërtas me shkas!)
Më fal nëse bërtas pa shkas,
Se falja duhet mu kur paarsyeja has!
Më fal që nuk jam sadist!
Më fal se bleva unë dhimbjen tënde!
Më fal për rutinat, që ndoshta nuk i ke ëndje!
Më fal që nuk jam i njëjti jashtë poezisë!
Më fal që nuk e di se sa do të qaj në Ditën e Zisë!
Më fal që nuk jam populist!
Më fal që nuk shërbehem me të zakonshmet e botës së njerëzve!
Më fal që përdoroj të pazakontat e botës sime!
Më fal që kam botë…
Në mos të tjerat, këtë falma!
Kujto tërheqjen e dashurisë dhe dashurinë e tërheqjes!
Thonë te e vërteta arrihet jo përmes shtimit, po përmes heqjes!
Më fal që “nuk mbaj thikë”!
Që pas shpimit, shërimit tënd t’i vë unë pikë.
Më fal që nuk jam “Don Zhuan” modern!
Më fal që në dashje jam primitiv…
Më fal se dua si donin meshkujt në shekujt kur s’kishte eksploziv!
Më fal se nuk dua me amplituda!
Më fal se nuk dua përmes teknikës!
Duarja ime dua të shkojë te kush dhe si të dua…
Dhe jo te kush dhe si të dojë teknika!
… dhe çfarë të them tjetër fjalë, pos “më fal!”?
F(a)lm(ë) që (nuk) më kuptove në gjithë këto fjalë!
Më falshin edhe meshkujt që po tregoj se fitojnë emra
në bazë të asaj se kush më shumë ka vrarë femra!
Tani sikur është mësuar bota me meshkujt-maço,
Që kush nuk është i tillë e quajnë palaço!
Pra, prapë po kërkoj falje që kam botë të huaj!
Mjafton që lexuesi gjinor i këtyre vargjeve nga unë të mos vuajë!
Arsim Jonuzi
15 gusht 2014
Categories