Categories
Lajme FRI

Analistët: Shqipëria po dorëzohet para kohe

Menjëherë pas konfirmimit të kundërshtarëve për eliminatorët e evropianit 2016, taborit kuqezi, përkatësisht trajnerit të saj Gianni de Biassit, sikur iu prenë këmbën dhe thuajse i humbi të gjitha gjasat për një kualifikim të mundshëm.
Kjo ka bërë që njohësit e futbollit ta vlerësojnë kombëtaret shqiptare si të dobët në aspektin psikik dhe se me këtë qasje ata nuk mund të arrijnë asgjë.
Arbnor Morina e Gani Sejdiu nuk e pëlqejnë këtë qasje të kombëtares dhe ata sugjerojnë që të punohet në ndryshimin e mentalitetit të saj. “Grupi në të cilin do të garojë Shqipëria është shumë i fortë, por assesi nuk duhet të themi se është i pakalueshëm”, ka thënë Morina, sipas të cilit nëse kombëtarja punon shumë në aspektin psikik gjithçka është e mundshme.
“Unë besoj se këtë herë trajneri do të orientohet në ata futbollistë që kanë paraqitje konstante në skuadrat e tyre e assesi të mbështetemi në futbollistët që në klubet e tyre kanë minutazhë të vogël. Një përparësi në këtë rast është se përballja me kombëtare të forta të jep motiv të madh dhe lojtarët gjithmonë luajnë më mirë kur e kanë një kundërshtar të fortë, por për të kërkuar rezultatet duhet një kompaktësi sidomos nga ana psikologjike”, vlerësoi Morina.
Duhet pranuar se Shqipëria edhe në këto eliminatore nuk do të hyjë me shumë ndryshime. FSHF-ja, pavarësisht dështimit në eliminatorët e kampionatit botëror vendosi t’ia vazhdojë kontratën teknikut italian dhe kjo na bën skeptik se mund ta shohim një Shqipëri ndryshe.
“Armando Duka përveç që i vazhdoi kontratën De Biasit ai së paku është dashur t’i angazhojë 4-5 trajnerë shqiptarë rreth tij, të cilët do të përgatiteshin që në një të ardhme të afërt të udhëheqin kombëtaren edhe të grupmoshave por edhe këtë të parën”, tha Morina, duke folur më pas edhe për kundërshtarët e Shqipërisë në këtë grup.
“Danimarka është një përfaqësuese me lojtarë që luajnë nëpër ekipe të njohura evropiane. Edhe Serbia gjithashtu, madje kjo e fundit pas dështimit në kualifikimet për botëror do të mundohet me çdo kusht të kërkojë evropianin.
Ata janë të vetëdijshëm për humbjen e milionave për moskualifikim dhe përveç kësaj kanë një fond tejet të madh të lojtarëve. Edhe Armenia që po vlerësohet si kundërshtar i lehtë, ka lojtarë që luajnë nëpër Bundesligë e kampionate tjera, kështu që as këtu nuk do të jetë lehtë”, përfundoi Arbnor Morina.
Të njëjtin mendim ka edhe trajneri Gani Sejdiu, sipas tij, kjo qasje e trajnerit nuk i takon një profesionalizmi.
“Është keq kur qysh në start trajneri del me deklarata pesimiste dhe ai mundohet qysh tash ta justifikojë dështimin. Kështu nuk bën, kombëtarja duhet të ketë qasje pozitive dhe të hyjë me mentalitet fitues e assesi inferior. Ne e dimë cilësinë e kundërshtarëve, por nëse ne dorëzohemi që në start është shumë keq”, tha Sejdiu.
“Një tjetër gjë që duhet të ndryshohet është eksperimenti me ekip. Në eliminatoret e kaluar kemi parë shumë eksperimente, kjo nuk të jep siguri. Trajneri qysh tash duhet të përcaktohet për krijimin e një grupi me të cilët do të mbështetet e jo të ndryshojë skuadrën në çdo lojë. Unë them se është grup i vështirë por jo edhe i pakalueshëm vetëm se duhet besim në sukses”, përfundoi Gani Sejdiu.

Exit mobile version