Funksionarët shtetërorë, drejtorët, diplomatët, profesionistët dhe shkencëtarët kanë rroga më të larta, por vetëm 1,4 e të punësuarve në vend marrin rrogë më të lartë se 40 mijë denarë. Portalb ju sjell studimin e ri të statistikës kushtuar tregut të punës që tregon se 22 për qind e të punësuarve kanë profoesione elementare, e mu në këtë kategori rrogat janë më të ulëta. Fuqia e lirë punëtore është njëri nga argumentet e qeverisë me të cilat ajo e promovon Maqedoninë para investitorëve të huaj si destinacion atraktiv për investime.
Mbi 100.000 të punësuar me rrogë më të vogël se 200 euro…
Vetëm 1,4 nga numri i përgjithshëm i të punësuarve kanë marrë rrogë më të lartë se 40 mijë denarë. Mbi 10% e të punësuarve kanë marrë rrogë prej pesë deri në tetë mijë denarë. Këtë e tregon hulumtimi më i ri i Entit për statistika, ku bëhet analizë e tregut të fuqisë punëtore në vend. Përqindja më e madhe ose pothuajse 18% marrin rrogë prej 12.000 deri në 16.000 mijë denarë. Ja si duket përqindja e të punësuarve sipas lartësisë së rrogës:
- deri në 8.000 denarë 10,3%
- deri në10.000 denarë13,2%
- deri në12.000 denarë16,1%
- deri në16.000 denarë17,0%
- prej 20.000 deri në 25.000 denarë 23,8%
- deri në dhe më shumë se 40.000 denarë 3,4%
Analiza e numrave tregon se numri më i madh të punësuarve, ose më shumë se 109 mijë persona, vitin e kaluar kanë jetuar me rrogë prej 162 deri në 200 euro. Rrogat e ulëta, gjegjësisht fuqia e lirë punëtore, sipas qeverisë është njëri nga argumentet kryesore me të cilat Maqedonia promovohet para investitorëve të huaj. Ata që do të hapin fabrika në zonat pa doganë janë të liruar nga TVSH-ja, por edhe nga taksat në emër të rrogës. Kështu, investitorët në periudhë prej 10 vitesh janë të liruar nga tatimi në fitim, por edhe nga tatimi personal për të punësuarit.
“Njëri nga argumentet kryesore të qeverisë për tërheqjen e investimeve të huaja është fuqia e lirë punëtore. Qeveria lavdërohet se Maqedonia sipas fitimit mujor të të punësuarve udhëheq në rajon dhe në Evropë. Ne jemi dëshmitarë se në një pjesë të reparteve që i hapin investitorët e huaj, veçanërisht në zonat e lira ekonomike, jepen rroga edhe prej 200 eurosh në muaj. Dhe me këto rroga unë do të thoja se këta punëtorë janë gjysmë të punësuar. Flasim për rroga që jepen në zonat e lira ekonomike ku investitorët gëzojnë benificione të mëdha në krahasim me firmat vendore, gjegjësisht atje shteti i subvencinon kontributet për rrogë, e poashtu ka edhe një sërë lehtësimesh tatimore”– sqaron njëri nga ish-ministrat për financa, Xhevdet Hajredini.
Nëse rrogat analizohen sipas profesionit, atëherë më mirë të paguar janë funksionarët, drejtorët, profesionistët dhe shkencëtarët. Kështu, nga numri i përgjithshëm ose 35 mijë anëtarë të organeve ligjshënëse, funksionarë, drejtorë, diplomatë, pothuajse 10.700 prej tyre marrin rrogë mujore prej 20 mijë denarësh deri në më shumë se 40 mijë denarë. Shumën e njëjtë e fitojnë edhe më shumë se gjysma e shkencëtarëve dhe profesionistëve, gjegjësisht pothuajse 50 mijë persona. Nga ana tjetër, numri më i madh i të punësuarve me profesione elementare, punëtorët në makina, teknikët, marrin rroga më të ulëta se 16.000 denarë.
Para do kohësh, pasi në opinion u hap debati për çmimin e punës, në kompanitë e huaja, ku jepen subvencione për rrogat, qeveria refuzoi ta komentojë gjendjen me arsyetimin se bëhet fjalë për firma private.
“Maqedonia tepër reklamohet si vend me fuqi të lirë punëtore. Ajo që është me rëndësi është se investitorët në zonat e lira ekonomike, gjatë një periudhe të caktuar kohore nuk paguajnë kontribute dhe taksa të tjera për rrogat e të punësuarve, që do të thotë se shteti në këtë mënyrë jo vetëm që nuk mund të presë të ardhura, por ka edhe harxhime për t’i mbuluar këto shpenzime. Në vend që të promovojë modele të këtilla të beneficioneve, politika e qeverisë duhet të jenë në drejtim të përkrahjes së bashkimeve sindikale, të cilat do të angazhohen jo për çfarëdo rroge, por për rrogë më lartë” – vlerësoi para do kohësh profesori Zdravko Savevski për “Portalb”-in.
Administrata edhe më tej mbete puna më e dëshiruar. Hulumtimi i statistikës tregon se pothuajse 11 për qind e të punësuarve janë nëpunës shtetërorë, funksionarë dhe nëpunës administrativë. Kështu, mbi 35 mijë njerëz janë anëtarë të organeve ekzekutive legjislative, funksionarë shtetërorë, udhëheqës, diplomatë dhe drejtorë. Ja se në cilët sektorë dhe profesione ka më së shumti të punësuar:
- Profesionet elementare 22,1%
- Punëtorë në sektorin e shërbimeve dhe tregti 15,0%
- Profesionistë dhe shkencëtarë 13,5%
- Joindustri 11,9%
- Drejtorë, funksionarë, diplomatë 5,2%
- Nëpunës 5,7%
Atë që e potencojnë ekspertët është dallimi i madh ndërmjet rrogave më të ulëta dhe më të larta. Kështu, në hulumtimin “Pasuria dhe varfëria në Maqedoni” shkruan:
“Ajo që rroga më e lartë neto është 245 herë më e lartë se se rroga mesatare neto, faktikisht do të thotë se ai që merr rrogë mesatare duhet të punojë 245 muaj ose pothuajse 20 vjet e 5 muaj që të fitojë vetëm një rrogë të menaxherit më të paguar në vitin 2011. Krahasimi me rrogën minimale është edhe më frapant. Rroga minimale prej 8.050 denarësh, që është paraparë në shumë sektorë për vitin 2012, është 631 herë më e ulët se sa rroga më e lartë e vitit 2011. Me fjalë të tjera, punëtori që merr rrogë minimale duhet të punojë 631 muaj ose pothuajse 52 vjet e 7 muaj që të fitojë vetëm një rrogë të menaxherit më të paguar në vitin 2011”, konstatojnë përpiluesit e hulumtimit.
Sipas magazinës “Forbs”, rrogat në vend janë për 50% më të ulëta se sa ato në vendet e tjera të Evropës Lindore. /Portalb