Një nga vendimet e para që do t’i marrë qeveria duhet të jetë rebalanci i buxhetit, gjegjësisht riformatimi i arkës buxhetore. Këtë e pret komuniteti afarsit duke pasur parasysh faktin se të dhënat tregojnë se zgjedhjet presidenciale dhe ato të parakohshme parlamentare vetëm për tre muaj arritën të shkrijnë pothuajse 70% nga deficiti i planifikuar buxhetore për gjithë vitin ekonomik. Ministri për financa, Zoran Stavreski thotë se tash për tash nuk ka nevojë dhe arsye për rebalanc të buxhetit. Megjithatë, ekonomistët gjithnjë e më me zë dyshojnë se projektimet aktuale për rritjen e ekonomisë do të realizohen. Paqartësia politike në pako me ciklet e shpeshta zgjedhore dërgon porosi të keqe edhe investitorët e vendit edhe për ata të huajt – thonë biznesmenët. Sa politika do t’i shkaktojë dëm ekonomisë?
Zgjedhjet e shkrinë buxhetin – a do të ketë rebalans?
Sipas biznesmenëve nuk ka dilemë, paqartësia politike në vend është hyrje edhe në paqartësi dhe paqëndrueshmëri ekonomike. Sipas afaristit dhe drejtorit ekzekutiv të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Arben Halili, pas zgjedhjeve, pason një abstinencë investuese edhe në investimet vendore edhe në ato të huajat.
“Definitivisht gjendja e këtillë politike, për shkak të zgjedhjeve të shpeshta, e tani edhe për shkak të paqartësisë se si dhe kur do të formohet shumica e re parlamentare dhe qeveria e re, pa dyshim ndikon mbi ekonominë. Konsideroj se nga gjendja e këtillë nuk pëson politika, por pikërisht ekonomia. Nga veprimet e politikanëve varen lëvizjet e përgjithshme ekonomike, e kjo ndikon mbi vendimet e tyre për planifikim dhe zhvillim të kompanive.” – thotë Halili dhe shton:
“Në një gjendje të këtillë të jostabilitetit politik firmat do të përmbaheshin nga veprimet zhvilluese, gjegjësisht investuese. Kjo nuk vlen vetëm për biznesmenët e vendit, por edhe për ata të huajt. Mu zgjedhjet e shpeshta dërgojnë porosi se një vend është politikisht i papjekur, prandaj ne tani do të ballafaqohemi me një gjendje në të cilën do të ketë shumë paralajmërime për investimet të huaja, ndërsa realizimi i tyre do të jetë i ngadalshëm. Edhe ato që do të vijnë do të jenë rezultat i ndonjë marrëveshjeje paraprake, para së gjithash për shkak të beneficioneve tatimore dhe kushteve të volitshme që ofrohen”.
Paqartësia e përgjithshme politike do t’i vë në pikëpyetje parametrat kryesore ekonomike, rritjen ekonomike në pako me realizimin e buxhetit, konsiderojnë ekonomistët. Për këtë vit, qeveria parashikoi rritje të PBB-së prej 3,2%, ndërsa sipas Bankës Popullore ajo do të jetë 3,7%. Аkademiku Abdylmenaf Bexheti dyshon se këto projektime do të realizohen.
“Kjo do të jetë shumë e vështirë, do të duhet të identifikohet ndonjë potencial tjetër, e bile edhe të ndërmerren masa të tjera që të realizohet përqindja e rritjes së PBB-së që është projektuar për këtë vit. Ndoshta do të ketë nevojë për më tepër masa ekspanzive, gjegjësisht huazime më të mëdha nga jashtë, siç ishte eurokambiali. Ekonomitë e vogla, veçanërisht kjo e jona, në praktikë u tregua si shumë e ndjeshme ndaj të ashtuquajturit jostabilitet politik dhe kjo pasqyrohet në disa dimensione, para së gjithash për tërheqjen e investimeve të huaja, ndërmarrjen e veprimeve investuese nga investuesit e brendshëm. Mendoj se kjo gjendje edhe më tepër do ta vështirësojë ambientin afarist për veprime të reja investuese dhe për cikle të reja, veçanërisht kur gjendja makroekonomike, para së gjithash në politikat fiskale, është mjaft e ndjeshme në këtë periudhë kur i angazhuam, gjegjësisht i harxhuam pothuajse të gjitha potencialet që ishin paraparë për këtë vit fiskal.” – thotë profesori Bexheti.
Nga ana tjetër, sipas të dhënave, tashmë janë harxhuar 70% e deficitit buxhetor – gjendje kjo e cila sipas ekonomistëve dhe biznesmenëve e hap çështjen e rebalancit të buxhetit.
“Nuk pres të realizohen treguesit e planifikuar për këtë vit për një arsye të thjeshtë, e ajo është se në disa muajt e parë të këtij viti janë harxhuar 70% të deficitit të planifikuar për gjithë vitin. Parashtrohet pyetja se si do të “kalohen” nëntë muajt e ardhshëm. Nëse gjendemi në një gjendje jostabile politike, e me këtë edhe në gjendje jostabile ekonomike, me para të harxhuara që më parë, kam frikë se nuk kemi plan rezerv. Sipas meje, njëri nga vendimet e para të qeverisë së ardhshme do të jetë pikërisht rebalanci i buxhetit. Para qeverisë së ardhshme ka dy opcione, në qoftë se dëshiron ta mbajë nivelin aktual të deficitit buxhetor, do të duhet ta shtrëngojë rripin për shpenzime deri në fund të këtij viti, që vështirë se mund të realizohet. Dhe skenari i dytë është të thellohet deficiti buxhetor që nënkupton marrjen e huave të reja. Çështje tjetër është se për çka u harxhua ai deficit buxhetor, e personalisht mendoj se ishte në funksion të zgjedhjeve” – thotë biznesmeni Halili.
Pa marrë parasysh se a do të kemi qeveri teknike ose jo, rebalanci i buxhetit do të jetë i domosdoshëm, konsideron edhe profesori Bexheti.
“Nuk dua të spekuloj, por në qoftë se formohet qeveri teknike, para së gjithash do të na duhet rebalanc i buxhetit. Po edhe sikur të mos ndodhë kjo, rebalanci i buxhetit do të jetë i domosdoshëm. Për një të katërtën e vitit ne harxhuam tre të katërtat e deficitit buxhetor. Nga ana tjetër, pas zgjedhjeve ka mundësi të ketë zvogëlim të të hyrave në buxhet për shkak se ato janë sforcuar gjatë fushatës parazgjedhore. Dëshiroj të përkujtoj se ka hyrë në fuqi Ligji për disiplinë financiare ndërsa ndërmarrjet kanë jolikuiditet të madh.” – thotë akademik Bexheti.
Për dallim nga pritjet dhe vlerësimet e ekonomistëve dhe një pjese të komunitetit afarist, ministri për financa, Stavreski thotë se nuk ka nevojë nga riformatimi i buxhetit.
“Tani për tani aspekti i të hyrave dhe i shpenzimeve të buxhetit janë në kuadër të asaj që është planikfikuar dhe pritjet e mija janë se edhe në muajt e ardhshëm do të mbetet kështu, për shkak se me përfundimin e zgjedhjeve mund t’i kryejmë obligimet, ndërsa për sektorin privat gjëja më e mirë është kur janë të parashikueshme politikat në aspekt afatgjatë” – deklaroi ministri Stavreski.
Sa dhe si do të pasqyrohet gjendja politike mbi atë ekonomike, do të analizohet në periudhën e ardhshme. Banka Popullore paralajmëroi edhe revidim të projektimeve aktuale ekonomike në muajin maj, kur do të merren parasysh edhe rreziqet dhe ndikimet e krizës ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, por a do t’i marrë parasysh guvernatori Dimitar Bogov edhe rreziqet e brendshmet mbetet të shihet.
Portalb
EDITOR
11 years ago
previous article
Qendra e Kavajës me Xhami të re (VIDEO)
you might also like
FRI REALIZOI TAKIMIN E PARË ME BURSISTËT
1 week ago
17 NËNTORI, DITA NDËRKOMBËTARE E STUDENTËVE
1 week ago