Një hulumtim i kryer nga Pew Research Center gjen se vetëm një pakicë e myslimanëve në Ballkan mbështet idenë për të bërë sheriatin ligj të vendit. Një pakicë e konsiderueshme mendon që dhuna kundër civilëve justifikohet ndonjëherë, përfshirë edhe Kosovën, ku 11 për qind e të anketuarve llogarisin bombat vetëvrasëse si alternativë.
Sipas studimit të publikuar më 30 prill, vetëm 18 për qind e myslimanëve në Europën Juglindore do të mbështesnin vendosjen e ligjit të sheriatit, transmeton Gazeta Jeta në Kosovë.
Studimi, i cili përfshiu më tepër se 38 mijë intervista ballë-për-ballë në mbi 80 gjuhë, gjen se edhe myslimanët e Ballkanit që përkrahin imponimin e ligjit të sheriatit e shohin atë si të detyrueshëm vetëm për ta dhe jo besimet e tjera.
Sipas anketës, 64 për qind e myslimanëve në Europën Juglindore të cilët do të preferonin ligjin e sheriatit thonë se ky ligj nuk duhet t’u imponohet të tjerëve.
Rreth 41 për qind e të anketuarve mendojnë se gjykatësit fetarë duhet të jenë mbikëqyrës të familjes dhe pronës, 36 për qind mbështesin dënimet e rënda për kriminelë, ndërsa 11 për qind favorizojnë ekzekutimin e atyre që lënë besimin mysliman.
Sheriati, ose ligji islamik, ofron udhëzime morale dhe ligjore për pothuajse të gjitha aspektet e jetës, nga martesa dhe divorci, trashëgimitë, deri tek dënimet penale.
Ndërsa, sistemi i ligjeve islamike për përdorimin praktik dhe interpretimin e parimeve të sheriatit është i njohur si fikh.
Studiuesit e islamit dhe juristët vazhdojnë të debatojnë për kufirin mes sheriatit dhe fikhut, si dhe aspekte të tjera të ligjit islamik.
Pavarësisht nëse e mbështesin sheriatin si ligj zyrtar në vend, myslimanët në mbarë botën pranojnë se për të qenë me moral, një person duhet të besojë në Zot.
Në Europën Jugore dhe Lindore, ku traditat sekulare priren të jenë të forta, 61 për qind janë dakord se të qenët me moral dhe vlera të mira varet nga besimi në Perëndinë.
Vetëm në Shqipëri dhe Kazakhstan, nga 38 vende ku është kryer hulumtimi, më pak se gjysma e myslimanëve e kanë lidhur moralin me besimin në Zot.
Qëndrimet e myslimanëve të Ballkanit për të drejtat e grave janë të përziera.
Ndonëse 88 për qind e ballkanasve deklarojnë se një grua duhet të jetë në gjendje të vendos vetë nëse do të veshë shami apo jo, 44 për qind thonë se një grua duhet gjithmonë t’i bindet burrit të saj.
58 për qind e myslimanëve në Ballkan zgjedhin sistem demokratik të qeverisjes, ndërsa vetëm 22 për qind e duan një lider fetar të angazhuar në politikë.
Myslimanët në mbarë botën kundërshtojnë fuqishëm dhunën në emër të Islamit.
Të pyetur në mënyrë specifike për bombardimet vetëvrasëse, një pjesë shumë e madhe në shumicën e vendeve, përfshirë Ballkanin, thonë se aktet e tilla janë rrallë ose kurrë të justifikueshme si mjet për të mbrojtur Islamin nga armiqtë e tij.
Megjithatë, ekzistojnë disa vende në të cilat një pakicë e konsiderueshme mendon që dhuna kundër civilëve justifikohet ndonjëherë, përfshirë edhe Kosovën, ku 11 për qind e të anketuarve llogarisin bombat vetëvrasëse si alternativë./Gazeta Jeta/
Categories