Shoqata e Botuesve Shqiptarë në Maqedoni realizoi sot edhe një konferencë shtypi, në të cilën u diskutua mbi raportin e SHBSH-së me Ministrinë e Kulturës, gjegjësisht për veprimtarinë botuese në kuadër të Programit vjetor për realizimin e interesit nacional në Kulturë për vitin 2014.
Me këtë rast, Shoqata e Bottuesve Shqiptarë përsëriti edhe njëherë kërkesat e botuesve shqiptarë deri te Ministria e Kulturës dhe Komisioni për Veprimtari Botuese, edhe atë si vijon:
1. Ministria e Kulturës dhe Komisioni për Veprimtari Botuese, me përpikëri t’i përmbahen rregullores për Konkurs nga pika 1 deri në 7, duke respektuar Formularin për Aplikim, që nënkupton se të drejtë konkurrimi kanë vetëm botuesit.
2. Meqë Ministria e Kulturës si kusht elementar për Aplikim kërkon Dokumentin për Veprimtari të Regjistruar (DVR), kërkojmë që të diskualifikohen dhe të mos shqyrtohet asnjë aplikues që nuk e ka paraqitur këtë dokument. Po ashtu, kërkojmë dëshmi statistikore për numrin e aplikuesve dhe numrin e atyre që nuk i kanë plotësuar kushtet.
3. Të mos kenë të drejtë konkurrimi institucionet e ndryshme kulturore dhe jokulturore, madje as autorët si persona fizik,  sepse konkurrimi i tyre është i jashtëligjshëm.
4. Ministria e Kulturës, në kuadër të Komisionit për Veprimtari Botuese të pranojë një anëtar nga botuesit e SHBSH-së, në cilësinë e vëzhguesit të procesit të vlerësimit të projekteve.
5. Nga Ministria e Kulturës kërkojmë që, krahas shpalljes së rezultateve të projekteve të pranuara për vitin 2014, të bëjë publike edhe shumat e mjeteve materiale me të cilat përkrahet secili projekt.
6. Përparësi në mbështetjen financiare të Ministrisë të kenë projektet e botuesve që si veprimtari  kryesore kanë botimin, dhe të cilët tanimë janë etabluar si shtëpi botuese në Republikën e Maqedonisë.
7. Të eliminohen ndërhyrjet politike dhe partiake në programin e veprimtarisë botuese, sepse këto ndërhyrje iniciojnë procese gjyqësore.
Shoqata e Botuesve Shqiptarë
Qamil Rufati, Kryetar