Ministri i Financave Besim Beqaj, nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me zëvendëspresidentin e Fondit për Zhvillim të Mbretërisë Saudite, Mohammed A. Al-Jenaidel për zgjerimin e rrugës magjistrale Prishtinë – Mitrovicë.
Beqaj tha se është i inkurajuar nga bashkëpunimi me Arabinë Saudite, pasi me këtë projekt po shënohet edhe fillimi i marrëdhënieve konkrete duke e nënshkruar marrëveshjen, siç e quajtën, të rëndësishëm për vendin.
“Unë si ministër pata rastin të takoj përfaqësuesit e Fondit për Zhvillim të Mbretërisë Saudite dhe të diskutojmë për projekte. Ky është projekti i parë që pason me shumë projekte tjera për zhvillim të cilat janë në fushën e shëndetësisë dhe fusha tjera. Pra sot e kemi hapur një derë të re të bashkëpunimit dhe do të jemi të hapur që bashkëpunimi ynë të vazhdoj edhe me institucionet financiare ndërkombëtare qofshin nga vendet e perëndimit qoftë edhe nga vendet e lindjes që së bashku të zhvillojmë një ekonomi për Republikën e Kosovës”, tha Beqaj.
Kurse, zv/presidenti Al-Jenaidel, tha se projekti që po e financon institucioni që ai e përfaqëson, ka një rëndësi të veçantë për komunikacionin rrugor në Kosovë, duke e quajtur këtë magjistrale si arterien kryesore të trafikut në vend.
“Jam i kënaqur që vizita ime e parë në Kosovë, shënon fillimin e bashkëpunimit duke u bashkuar ju në këtë ngjarje të rëndësishme për të nënshkruar marrëveshjen e parë për bashkëpunim për të rregulluar rrugën magjistrale Prishtinë-Mitrovicë. Ky projekt i rëndësishëm synon lidhjen e kryeqytetit të Kosovës me qytetin e Vushtrrisë dhe Mitrovicës dhe ndërtimit dhe rehabilitimit të rrugës së dytë kryesore dhe shndërrimin nga një rrugë njëkahëshe në secilën anë në një rrugë dykahëshe me shpejtësi të lartë”, tha ai.
Ndërkohë, projekti i cili pritet të kushtojë rreth 60 milion dollarë të financuara nga Fondi për Zhvillim i Arabisë Saudite, pritet të filloj në vitin 2014 dhe të përfundoj pas 3 ose 4 vjetësh. /Kosovapress/
Categories