Categories
Lajme

Arbër Tasimi, psikologu shqiptar në majat e shkencës botërore

Abër Tasimi është një ndër studiuesit e rinj me një karierë të shkëlqyer në psikologjinë e zhvillimit, duke hyrë në elitën botërore të kësaj fushe. Ai është shqiptar me banim në SHBA, ku dhe po kryen doktoraturën në Departamentin e Psikologjisë në Yale University. Është vetëm 23 vjeç dhe kariera e tij duket mjaft premtuese. Që tani, ai është vlerësuar për studimet e tij në fushën e zhvillimit moral dhe konjicionit social tek fëmijët. Revista shkencoreSmithsonian, i ka kushtuar një vëmendje të veçantë, në një artikull të Abigail Tucker që tregon për prurjet më të reja në kërkimet mbi moralitetin e fëmijëve. Ai punon si kërkues shkencor në Qendrën e Konjicionit Foshnjor në Universitetin Yale, ku studion prirjet morale të fëmijëve – si e kuptojnë të vegjlit të drejtën nga e gabuara, para se gjuha dhe kultura të ushtrojnë ndikimin e tyre. “Para së gjithash dhe pikësëpari, ç’jemi ne në thelb?” pyet ai. Eksperimentet e tij bazohen në punën e Jean Piaget-së, Noam Chomsky-t, në vetë tezën e tij në Universitetin e Pensilvanisë.
Qendra e Konjicionit Foshnjor në Universitetin Yale është veçanërisht e interesuar në kërkimet në fushën e funksioneve si dhe kryesisht në gjykimin etik dhe në atë kërimin nëse bebet janë të afta të bëjnë gjykime të tilla. Artikulli i sipërpërmendur tregon se vitet e fundit janë kryer një sërë studimesh që na lënë të kuptojmë se se fëmijët kanë aftësi të kenë një bazë thelbësore për koncepte më abstrakte të së drejtës dhe të gabuarës. Sipas këtyre studimeve një fëmijë vjen në botë i pajisur me prirje gjerësisht pro-sociale dhe duket se është i predispozuar të kujdeset për të tjerët. Studimet na japin përfundimin se fëmijët e dinë se ç’është e drejtë, ata janë veçanërisht barazitarë dhe ndihmojnë natyrshëm të tjerët, që janë në nevojë, edhe në kurriz të humbjes personale.
Këto studime vijnë konform konceptit të fitras në Islam, sipas të cilit fëmijët lindin të pastër moralisht dhe konceptualisht, duke mbrojtur parime të drejta në thelb, teksa deformimi vjen më vonë, si pasojë e ndikimit të mjedisit social. Ky konceptim, është i kundërt me pikëpamjen aristoteliane që thotë se nejriu lind tabula rasa një fletë e bardhë që mbushet nga përvoja njerëzore. Këtij konceptimi, që ka kaluar në forma të ndryshme tek një grup i madh filozofësh, i përgjigjet koncepti sokratik i të vërtetës së lindur tek njeriu, e paraqitur tek Platoni si prejardhje e shpirtit nga bota e ideve, ndërsa në botën muslimane si fitra (natyrshmëria e të bëesuarit, me të cilën lind njeriu). Arbër Tasimi, është duke studiuar pikërisht sjelljen morale tek fëmijët dhe është një ndër studiuesit më premtues në këtë fushë aktualisht.
Tucker tregon disa detaje interesante nga jeta e Tasimit:
Ora ishte rreth 9:45 e darkës dhe Tasimi bashkë me një shok po ecnin drejt shtepisë, pas një darke në Buffalo Wild Wings. Nja njëqind metra nga apartamenti i tij kaluan ndanë një grupi çunash me xhinse dhe kapuça. Ndërkohë që Tasimit veçse i kishin rënë në sy, kur papritur njëri prej tyre i lëshon një grusht pas koke.
S’kishte kohë për të vrapuar. Adoleshentët, duke e injoruar krejt shokun e tij, pa thënë asnjë fjalë e rrethuan Tasimin, i cili u kruspullos në trotuarin prej tullash. “Ishin shtatë çuna kundër një doktoranti,” kujton ai. “Fillova të numëroj grushat: një, dy, tre, katër, pesë, gjashtë, shtatë. Diku aty te shtata ia behu edhe një thikë.” Tehu i çau xhupin, dhe për pak sa s’i preku mishin.
Më në fund agresorët u larguan, duke e lënë Tasimin mes lotësh, shtrirë në trotuar e me një krah të thyer. Më vonë policia tha se me shumë gjasa ai ishte viktima e rastit e një rituali iniciimi të një bande gangsterësh. Pasi kirurgët i vëndosën një shufër metali në krah, Tasimi u kthye në shtëpi dhe u shëndërrua në një krijesë të ngjashme me fëmijët, jetët sociale të të cilëve studion. Nuk mund të bënte dush vetëm. E ëma e lante dhe i lidhte këpucët. E motra i priste mishin në copa të vogla.
Pranverë. Një mbasdite të bukur kur temperatura rrihte tek të 20-tat, Tasimi, që s’i ishin shëruar ende plagët e mavijosura, u zgjua me kurajon për të dalë jashtë vetëm, për herë të parë që pas incidentit. Doli një xhiro në një rrugicë afër shtëpisë. U përpoq të mos i vinte re dy adoleshentët, që me ç’dukej. “Boll mendove më të keqen ” i thoshte vazhdmisht vetes, deri sa dy djemtë e ndaluan dhe i kërkuan kufjet.
Vjedhja nuk ishte e dhunshme, por e theu Tasimin shpirtërisht. Tani e gjithë bota i dukej kërcënuese. Kur më në fund iu kthye studimeve mbi moralitetin tek Qendra e Konjicionit Foshnjor, ai e parkonte makinën në rrugë, duke paguar të holla në parkometër çdo pak orë, për të shmangur ndonjë parking ai e parkoi makinën në rrugë, duke futur monedha çdo gjysëm ore në parkometër në vend që ta parkonte në ndonjë parking të dyshimtë.
“Kurrë nuk kam qenë kaq poshtë emocionalisht në gjithë jetën time,” më tha kur u takuam për herë të parë në laboratorin e fëmijëve, disa javë pas krimit të dytë. “Nuk mund ta shmangësh pyetjen: A jemi një specie e dështuar?”
Ndonjëherë, Tasimi më tha, “vetëm puna kërkimore që po bëj më jep shpresë.”[…]
Djali i dy restauruesve shqiptarë, Tasimi ka qejf të thotë se prindërit e tij “do të preferonin që unë të bëja fëmijë e jo t’i studioja ata.” Miqtë e tij i hedhin romuze duke i thënë që ai po shkon në Yale për t’u bërë aktor në teatër kukullash. Megjithëse është pa diskutim jo e modës që në fushën e zhvillimit të fëmijëve të pranosh se kënaqesh në praninë e tyre, Tasimi duket ashiqare që i gëzohet pranisë së tyre. Vetëm disa ditë pasi ishte kthyer në punë, shpesh me një çehre ku lexohej qartazi dhimbja, kur hynte në laborator një buzëqeshje i rrëzëllente në fytyrë. Kur njëri prej subjekteve të tij po i frynte një akulloreje me manaferra, ai më përpëriti: “Më e bukura dhe njëkohësisht më e keqja e kësaj pune është se të vjen për të qeshur, po nuk qesh dot.”
Ai kishte nevojë për 16 subjekte 12 – 13 muajsh  për të përfunduar studimin përgatitor, dhe ndodhi që unë e kisha një të tillë, e kështu e solla në laborator.
Eksperimenti quhej “Crackerz.” Vajza ime u ul në prehrin e t’atit; sytë e tij ishin të mbyllur, në mënyrë që të mos ndikonte në vendimet e saj. Unë po e ndiqja prapa skene në praninë e tre të rriturve; njëri që ngrinte dhe ulte perden e teatrit të vogël dhe tërhiqte vëmendjen e bebes me tingujt e një lodre plastike, një tjetër i cili ndiqte fokusin e bebes, duke i rënë një zileje kur subjekti humbiste fokusin, dhe Tasimi, që luante me kukullat, dhe që ia doli mbanë të bënte personazhet e kukullave të kërcenin bukur, pavarësisht shufrës së hekurit në parakrahun e tij. I gjithë produksioni të jepte ndjesinë e një teatri black-box avangard: qëllimisht primitiv, e ndërkaq tejet profesional.
Në fillim dy lepuj prej pellushi, njëri me bluzë jeshile dhe tjetri me bluzë portokalli, u shfaqën në skenë me pjatat plot biskota. “Mmm, sa të mira!” ia bënin lepujt. Ra perdja. Kjo ishte e barazvlefshmja e një soneti hyrës në një pjesë teatrale të Shekspirit, një lloj mekanizmi që na jep një kornizë referuese për atë që do të pasojë.
Perdja u ngrit përsëri. Një qengj pellushi u shfaq në skenë, duke u përpjekur të hapë një kuti plastike plot lodra brenda. Lepurushi portokalli erdhi vrik nga mbrapa dhe ia mbylli kapakun. Vajza ime u tërhoq mbrapa menjëherë pas kësaj, megjithëse ishte e vështirë të gjykoje nëse ishte zhurma e kapakut që mbyllej, apo sjellja e keqe e lepurit shkaku pse ajo reagoi ashtu. Ajo mrroli vetullat. Pastaj u mërzit. Një zile ra kur ajo hodhi shikimin tjetërkund për dy sekonda, dhe perdja ra sërish. Pastaj u ngrit edhe njëherë: Në skenë doli lepurushi jeshil. Në vend që të prishte planet e qengjit, ai e ndihmoi atë për të hapur kapakun e kutisë së lodrave. Vajza vështroi ngultazi, përplasi gishtat e saj të shëndoshë mbi tavolinë për një çast, pastaj hodhi vështrimin tutje. Perdja ra.
Ky skenar u përsërit gjashtë herë, në mënyrë që bebja ta kuptonte atë që shihte, por lepurushi jeshil në të gjitha rastet ishte i sjellshëm dhe ai portokalli i vrazhdë. Kur përfundoi shfaqja menaxheri i laboratorit iu afrua bebes me dy kukullat. Secila prej tyre i ofronte fëmijës një biskotë. Sapo matesha për t’iu thënë eksperimentuesve që vajza ime s’kish parë kurrë biskota të tilla dhe ishte nazelije në të ngrënë, kur ajo menjëherë mori biskotën nga lepurushi i mirë, mu siç kishin bërë të gjithë fëmijët e tjerë para saj. Pata një ndjesi të beftë krenarie prej prindi. Nuk isha e vetme në gëzim.
“Ajo zgjodhi lepurushin e mirë!” tha Tasimi. “Më në fund, ajo zgjodhi lepurushin e sjellshëm.”  /e-zani/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version