Categories
Lajme

Armët kimike, qytetarët protestojnë në të gjithë vendin, Rama: Përgjigjem sot

Ndërsa pritet që qeveria shqiptare të bëjë publik vendimin e saj nëse ka pranuar apo jo të marrë përsipër shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në vendin tonë, protesta e qytetarëve ka arritur kulmin mëngjesin e sotëm, në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit.
Protestuesve që kanë qëndruar në Bulevardin para Kryeministrisë gjatë gjithë natës, iu bashkuan në mëngjes grupe qytetarësh, studentësh, nxënësish dhe aktivistë të mbrojtjes së mjedisit, të cilët po protestojnë kundër shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë në territorin shqiptar. Shumica e qytetarëve u organizuan përmes rrjeteve sociale, si “Facebook” e “Twitter”.
Mësohet se të gjitha gjimnazet e Tiranës nuk po zhvillojnë mësim gjatë ditës së sotme, pasi nxënësit kanë dalë në sheshe për të protestuar. Nxënësit e gjimnazeve të Tiranës thonë se po u bëhet presion të kthehen në shkollë, pasi kanë lënë orët e mësimit pa leje për t’ju drejtuar protestës.
Organizatorët e protestës thonë se sot në sheshin kryesor para kryeministrisë pritet të mblidhen rreth 40 mijë persona.
“Jemi këtu për të pritur një jo. Në Shqipëri nuk duhet të futet asnjë gram sarin apo helme të tjera.”- deklaroi një ndër organizatorët e protestës.
Si asnjëherë më parë, manifestimet e protestës kanë gjetur mbështetje jo të vogël popullore në qytetet kryesore të vendit. Protestat kanë rinisur në Elbasan, Korçë, Durrës, Sarandë, Lezhë, Shkoder, Gjirokastër dhe Berat.

Kryeministri Rama pritet zyrtarizojë sot në orën 17:00 qëndrimin e tij zyrtar në lidhje me çështjen e shkatërrimit të armëve kimike
Me një fjali të shkurtër në rrjetin social “Facebook”, kryeministri Edi Rama shkruan se “sot ne 17.00 do të mbaj publikisht qëndrimin tim mbi cështjen e armëve kimike”.
rama
Burime pranë qeverisë i thanë një ditë më parë “Zërit të Amerikës” se gjasat janë që Shqipëria të mund të tërhiqet nga bisedimet për çështjet e armëve kimike. Ambasadori amerikan në Tiranë Aleksandër Arvizu në një intervistë televizive tha se një përgjigje negative nga ana e Shqipërisë do të ishte zhgënjyese për Shtetet e Bashkuara.
 
Ndërkohë Kombet e Bashkuara dhe Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike pritet të publikojnë sot planin për shkatërrimin e arsenalit kimik të Sirisë, kryeministri Edi Rama parashikohet që të shpjegojë pozicionin përfundimtar të Shqipërisë në këtë operacion.
Për këtë çështje opozita vetëm dje u pozicionua qartë duke u shprehur kundër e duke propozuar organizimin e një referendumi. 
(BalkanWeb)

Exit mobile version