Një superoperacion i FNSH-së dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka vënë në pranga 7 persona të cilët akuzohen për terrorizëm.
Operacioni është zhvilluar në 4 qytete të vendit, si në Tiranë, Elbasan, Pogradec dhe Librazhd ndërsa mes të arrestuarve ndodhen edhe 2 imamë.
Kështu janë arrestuar imami i xhamisë tek Unaza e Re në Tiranë Genc Balla dhe imami në Xhaminë e Mëzezit Bujar Hysa.
Gjithashtu të arrestuar janë edhe besimtarët Edmond Balla, Verdi Morava, Fadil Myslimani, Zeqir Imeri e Almir Daci ndërsa 5 persona të tjerë janë shpallur në kërkim.
Mësohet se arrestimi i 7 personave është bërë pas përgjimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Gjatë operacionit janë sekuestruar edhe armë, fishekë dhe lëndë eksplozive të cilët dyshohen se do të përdoreshin në konfliktin e Sirisë.
Gjithashtu dyshohet se të arrestuarit janë përfshirë në një aktivitet terrorist që i predikonin besimtarëve myslimanë të shkonin për të luftuar në Siri. Shtatë të arrestuarit, të dyshuar për terrorizëm mendohet se kanë dërguar mbi 70 persona për luftime në Siri
Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi hetimin ndaj 7 personave të dyshuar, pas vrasjes së dy shqiptarëve në luftën e Sirisë.
Ndërkohë pritet që në orët në vijim Prokuroria e Krimeve të Rënda të japë më shumë detaje për operacionin./ Ora News
 

Arrestimet për terrorizëm, reagojnë besimtarët: Akuzat janë false, po goditet Islami

 
Pas arrestimit të 7 personave për terrorizëm, ku mes tyre edhe dy imamë kanë reaguar besimtarët myslimanë të cilët i kanë cilësuar akuzat e ngritura nga policia si false.
Njëri prej besimtarëve ka deklaruar se akuzuat e ngritura ndaj 7 të arrestuarve tregojnë luftën e krijuar ndaj besimtarëve myslimanë.
“Policët e maskuar dhe të armatosur hynë në xhami dhe dhunuan institucionet fetare. Pasi përfunduan kontrollin e xhamisë ata më treguan një letër ku kishin një mandat gjyqësor. Ata kërkonin për armë dhe tritol.  Ajo që po ndodh sot kërkon të njollosë islamin dhe fenë islame. Me akuzat false të terrorizmit kërkohet të goditet islami. Janë njerëz që urdhërohen për të mirë dhe ndalojnë nga e keqja në këtë shoqëri ku e keqja është bërë normale. Po luftohen ata njerëz që janë larguar nga droga, prostitucioni dhe që janë pa probleme.  Shteti ka sajuar gjithçka por e vërteta një ditë do të dalë. Kjo është një luftë ndaj besimtarëve të islamit. Ne kërkojmë të lirohen vëllezërit tanë” ka theksuar ai.
Besimtari ka treguar më tej se janë penguar nga policia të falen në xhami. “Jemi penguar të falim Namazin dhe kemi filmime që tregojnë që besimtarët janë falur në rrugë sepse janë penguar. Kjo sepse kishte mandat nga gjykata të pengohen besimtarët të futen në xhami” është shprehur besimtari.
Ndërkohë gjatë një operacioni të ndërmarrë nga FNSH-ja dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda në 4 qytete të vendit janë arrestuar 7 persona të cilët dyshohen se rekrutonin njerëz për të dërguar në konfliktin e Sirisë. /Ora News