Categories
Lajme FRI

As një “i” nga islami radikal

Mbushen një vit nga arrestimet spektakolare të Ministrisë së Punëve për rastin “Monstra”, ku u vranë pesë maqedonas në afërsi të liqenit të Smilkovcit. Një vit më vonë, nga mbi njëzet të arrestuarit gjatë këtij aksioni, në qeli kanë mbetur vetëm katër ta dyshuar, kurse në ndërkohë edhe dy të dyshuar të tjerë për implikim në këtë rast u arrestuan muaj më parë në Prishtinë. Me rastin e arrestimit, ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska, tha se të arrestuarit janë pjesëtarë të një grupi ithtarë të islamit radikal, por në ndërkohë gjatë seancave dhe dëshimev gjyqësore nuk u dëgjua as një “i” e vetme nga islami radikal apo islamistët.
Fiks një vit pas arrestimeve, asnjë nga institucionet përkatëse më nuk e përmendi islamin radikal dhe nuk u qartësua as motivi i vrasjes së pesëfishtë, ndërsa nuk u gjetën as armët me të cilët mbrëmjen e 12 prillit të vitit të kaluar u masakruan pesë maqedonasit.
Në pritje të vazhdimit të gjykimit që zhvillohet në Maqedoni me mungesë të dy të akuzuarve të parë, Halil Demiri dhe Afrim Ismailoviqi, sipas paralajmërimeve të avokatëve të të akuzuarve, ata do të ulen në bankën e të akuzuarve në Prishtinë. Atje Demiri dhe Ismailoviq do të përgjigjen për armëmbajtje pa leje, dhe kjo sipas avokatëve do të thotë se ekstradimi i tyre në Maqedoni nuk mund të realizohet për një periudhë më të shpejtë. “Gjatë javës së ardhshme mund të fillojë procesi gjyqësor për armatimin që është gjetur gjatë arrestimit të tyre në Prishtinë. Pa dashur të futem në rrjedhën e këtij procesi, mund të them se ekstradimi i Halil Demirit dhe Afrim Ismailoviqit nuk mund të bëhet para vjeshtës”, thotë Naser Raufi, avokati i pjesës më të madhe të të akuzuarve në rastin “Monstra”.Ndërkohë, familjarët e të akuzuarve shprehen se i kanë humbur shpresat për gjykim të drejtë, ndërsa theksojnë se për një vit jetojnë me ankth, duke qenë të bindur se politika ka futur gishtat në rastin “Monstra”.
“Ndihemi keq. Jetojmë me ankth. Ne nuk kërkojmë ndihmë nga askush, duam vetëm të fitojë drejtësia. Gjithashtu, jemi të interesuar që Halili dhe Afrimi të vijnë në Maqedoni dhe të shohim çfarë do të bëhet”, thotë Qezmedin Demiri, vëllai i Halil Demirit, të akuzuarit të parë për vrasjen e pesëfishtë. Ndryshe, vrasja te liqeni i Smilkovcit ndodhi mbrëmjen e 12 prillit, kurse Ministria e Brendshme me rreth 800 punonjës policorë dhe me asistencën e Drejtorisë së kundërzbulimit dhe Byrosë së sigurisë publike ndërmori operacionin e koduar “Monstra”, që kishte për qëllim arrestimin dhe dënimin e vrasësve të Kire Triçkovskit, Aleksandar Naqevskit, Filip Sllavkovskit dhe Cvetanço Acevskit, të moshës 18-20 vjet dhe të 45-vjeçarit Borçe Stefanovski. (koha)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version