Categories
Lajme FRI

Askush nuk i trajnon maturantët e Shkupit

Disa nga komunat e Maqedonisë kanë marrë iniciativë që të hapin kurse falas për t’i ushtruar maturantët për provimin e maturës shtetërore.
Fatkeqësisht Qyteti i Shkupit, ende nuk ka asgjë konkrete sa i përket këtij kursi, i cili në njëfarë mënyre do të ndihmojë  maturantët që të kenë sukses më të madh dhe rezultate më të larta.
Nga sektori për arsim në Qytetin e Shkupit, Abdulla Azemi bën të ditur për Portalb, se kjo çështje është biseduar po ende nuk është trajtuar.
“Gjithçka varret nga prefekti i Qytetit të Shkupit. Ne e kemi biseduar këtë gjë, mirëpo ende nuk është trajtuar. Nga ana tjetër kolegët nga arsimi i mesëm janë të pajtimin që kurse duhet të ketë dhe do të jetë edhe një ndihmë e madhe për nxënësit, pasi që varet edhe suksesi i tyre dhe arsimimi i mëtutjeshëm”, tha Azemi.
Ndryshe nga Shkupi, në Tetovë dhe Ohër  veç se kanë filluar të zhvillohen kurse në të cilat trajnohen maturantët.
“Kemi organizuar kurse të cilat ende vazhdojnë të zhvillohen, po ashtu edhe profesorët janë angazhuar në seminare, me qëllim që në fund të kemi rezultate më të mira”, tha Ahmet Qazimi nga sektori për arsim në komunën e Tetovës.
Po ashtu edhe nga komuna e Gostivarit bëjnë të ditur se kjo çështje është trajtuar dhe që së shpejti do të implementohet.
“Ka pas rekomandime dhe është shqyrtuar kjo çështje dhe së shpejti pritet edhe të realizohet”, tha Kasam Selimi, nga sektori për informim në komunën e Gostivarit.
Maturantët edhe sivjet do t’i nënshtrohen provimeve të maturës shtetërore, suksesi i të cilëve do të ndikojë në regjistrimin e tyre në arsimin e lartë.

Exit mobile version