Categories
Opinione

Ata nuk e duan integrimin!

Janë të gatshëm për të ta rikujtuar dhjetë herë atë premtim entuziazmues, si për të të treguar se i gjithë angazhimi i tyre është për ty, ti që endesh në rrugët e vendit tënd për të pritur ndryshimin tej. Së paku, rruga ku kalon çdo ditë të mos jetë e mbytur në pluhur dhe në baltë. Ata sërish do të të thonë se rruga është e asfaltuar dhe se për të janë dhënë miliona.
E gjithë beteja është për të krijuar bindje, për të krijuar forma realitetesh që ndryshojnë mendje. Ata do të të flasin prapë për integrimin, edhe pse në thelb, ata janë kundër kësaj ideje, ose e thënë më lehtë, synojnë ta shtyjnë vazhdimisht procesin. Kjo ju intereson, sepse në kaos, dmth kur mungon rregulli, fusha është e hapur për të korrur të tërë grurin. Korbat sulen për të marrë ç’të mundin dhe sigurisht, zogjtë tremben shpejt, teksa marrin thërrimet. Atyre kjo ju intereson, që sa më pak thërrime të merren dhe sa më shumë bindje dhe krijime realitetesh të krijohen për të mjegulluar mendje, se gjoja fushat me grurë janë plot edhe për këtë mot.
Kjo është panorama që e dëgjuam edhe vjet dhe sivjet. Në të njëjtat figura të vjetra, po shohim portrete të rinj, të ngjyrosur dhe të lustruar si të dalë prej vaskës së kristalit, për të na sjellë rigjenerimin dhe hovim e madh të integrimit. Këtë nuk e besojnë as vet dhe as që ju intereson ta besojnë, por ndryshe siç edhe thuhet, sinqeriteti dhe besnikëria, janë vlera që rrojnë në tempujt e kultit, dhe jo në politikë. Po të donin, tre kushtet e integrimit kishin kaluar po me kaq lehtësi. Por, asnjërës palë nuk i intereson, sepse miratimi i të paktën ligjit për statusin e nëpunëse të shtetit, do t’i sillte një barrierë partive për të mos i prekur punonjësit e administratës kur të vinin në pushtet. Kjo do të thotë detyrimisht pamundësi për t’i angazhuar ata në fushata elektorale dhe as nuk do të jepeshin “letër porositë” fletërrufe, ku vendi i punës është i lidhur me numrin e votave që sjell. Kjo do t’i vinte fre punësimeve pa kriter të “administratës së vogël” të qeverisë shqiptare e fryrë me numër të madh punonjësish për të kënaqur orekset e të gjithë të “papunëve” që nuk kanë ditur kurrë se ç’është puna.
Partia Lëvizja e Integrimit të Grabitësve nuk do të vendoste më drejtorë pa kurrfarë kualifikimi, thjesht dhe vetëm se janë strateg të grabitjes së fondeve publike, dhe as njerëzit e administratës nuk do të angazhoheshin kaq shumë në vjedhjen e votave, pasi kjo është e lidhur direkt me vendin e tyre të punës. Në këtë aneks të korruptuarish të botës, është pak e vështirë të duash integrimin, pasi kjo do të thotë t’i mbyllësh gojën ujkut për të rrjepur të gjalla delet në fushë.
Bile, ata që flasin më shumë për integrimin në diskursin publik, janë ata që e urrejnë më shumë atë. As kjo nuk bën më përshtypje dhe ne do të dëgjojmë të njëjtën melodi edhe këtë periudhë zgjedhjesh me koka të marrash dallash, që nuk na bëjnë më përshtypje. Prapë për integrimin do të flasin, pa e ditur se vetë ata nuk janë integruar brenda popullit të tyre, më së paku, për t’u solidarizuar me ta. Tek e fundit, synimi i pushtetit, është vetë pushteti, dhe të synosh pushtetin do të thotë të synosh paranë. Jo më kot, ata qëndrojnë kaq gjatë në pushtet, dhe jo më kot janë të gatshëm të jenë gjer në fund të jetës në krye të partive, gjithnjë nëse rrugës nuk hasin komplote.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version