Në këtë vështrim nuk do të shkruajmë për përfundimin e vitit shkollor 2013 / 14 (ndonëse na takon ta bëjmë këtë), nuk do të shkruajmë për aktivitetet që u organizuan sa i përket testimit ekstern të të arriturave të nxënësve në arsimin fillor tetë-nëntëvjeçar si dhe në atë të mesëm gjimnazor, profesional dhe artistik. Nuk do të shkruajmë as për veprimtaritë që u organizuan lidhur me dokumentin didaktik, siç është Matura shtetërore, një dokument që u paragjykua dhe u keqinterpretua në kuadër të debateve të paarsyeshme dhe të pajustifikueshme, sidomos nga njerëz të cilët, lëre që nuk e njohin fare këtë dokument, por sot e kësaj dite bëjnë përpjekje ta manipulojnë politikisht dhe së fundi edhe ta rrënojnë dhe ta bëjnë hi e pluhur. Nuk do të shkruajmë as për rezultatet (e shkëlqyeshme) të mësuesve sidomos të normalistëve që, fatkeqësisht, janë rralluar dhe mbase mund t’i numërosh në gishta, nuk do të llafosim as për gjymtimet që edhe kësaj radhe mëtuan t’i konceptojnë si vlera, nuk do të shkruajmë as për magjistraturat a doktoratat (jo) meritore për faktin se kjo nuk është në kompetencat tona. Përkundrazi, do të shkruajmë për disa mësues patriotë dhe atdhetarë të cilët, në mbrëmjen e 31 dhjetorit të motit 1951, me një vendim të gjykatësit hetues do të përfundojnë në hapësirat e burgut të Tetovës, kurse më vonë do të transferohen në Gjykatën e Rrethit të Gostivarit, ku edhe do të akuzohen a ngarkohen me faj për veprimtari armi-qësore.
Do të shkruajmë për kampionët e ndërgjegjes së Tetovës, për nacionalistët e ndershëm…, për disa shërbëtorë, dishepuj a atdhetarë që nuk arritën ta përfundojnë vitin shkollor sepse ishin në kërkim të lirisë së vonuar të atdheut, do të shkruajmë për gjeneratën e atdhetarëve gjegjësisht mësuesve të viteve pesëdhjetë të shekullit të kaluar, për ata që ndërtuan monumentet e arsimit shqip në Tetovë dhe rreth saj…, për lavdet e tyre, për ecejaket e tyre të fundit drejt panteonit të dijes dhe dritës…, do të shkruajmë për Sadudin Abdulla Gjurën (1926-1960) nga Shipkovica, i cili nuk përfundoi vitin shkollor sepse në motin 1952 “në emër të popullit jugosllav”, do të dënohet me 14 vjet burg të rëndë, për Vehbi Ahmet Lushin (1925-1999) nga Tetova, edhe ky nuk përfundoi vitin shkollor, pasi që u dënua me 9 vjet heqje lirie, për Gani Selman Lumën (1915-1989), që po kështu do të dënohet me 10 vjet burg të rëndë, edhe ky patriot tetovar nuk e përfundoi vitin shkollor, po një gjë të tillë nuk arriti ta bëjë edhe arsimtari i gjuhës dhe letërsisë shqipe, Salajdin Efraim Huseini (1930-2007), i cili bashkë me Nijazi Fandën (1923-1979), me Sali Lisin (1923-1969), me Ismail Saidin (1925-1989), me Muhedin Hadrin, me Sheref Kazazin (1921-2000), me Xhemali Beqirin (1929-1987) si dhe me mësuesin Sabri Ramizi (1931) do të vuajnë dënimin në repartin Petrova Rupa të Goli Otokut famëkeq.
Shumë kohë më parë bashkëveprimtarët do të thonë se ditën kur u lexua aktakuza të “pandehurit” hiç fare nuk ishin të preokupuar me dënimet, as me meseletë a vakitë me të cilat ishin “ballafaquar”, sepse e gjithë kjo për ata kishte qenë një ndodhi e zakonshme e dalë nga jeta e përditshme politike, mbase këto ndodhi nuk u “hynin në punë”, jo pse nuk ishin pjesë e kureshtjes së tyre, por pse nuk kishin kohë për të humbur për gjëra periferike…, thonë se gjatë hetuesisë të gjithë të “…pandehurit në fjalë, ishin të padefinuar, të paqartë, mosbesues dhe së fundi, njerëz me sjellje (skajshëm) prej indeferenti”! Ata do të karakterizohen edhe me faktin se ishin superiorë sidomos në aspekt të inteligjencës. Gjithë këtë superioritet të tyre asnjëherë nuk e vunë në “funksion të mendjemadhësisë provincialiste”…, këta shërbëtorë a dishepuj besnikë të popullit do të përjashtonin a do të refuzonin në vijimësi çdo bashkëpunim me hetuesin, me bashkëpunëtorët e UDBA-s, në veçanti me shqiptarët a kalorësit e vonuar të kauzës apo edhe me “kodoshët me koqe të vyshkura”! I gjithë ky “refuzim a përjashtim i tyre për bashkëpunim” kishte kosto të lartë.
Sot nuk mund të shkruash ndryshe për njerëzit që i përmendëm më lart, aq më pak “nëse një herë e ke thënë të vërtetën për retrospektivën patriotike të tyre”, gjithë kësaj nuk ka nevojë t’i shtosh a t’i heqësh as një pikë a presje. E gjithë kjo histori e tyre nuk mund të paragjykohet, nuk mund të thuash se historia e tyre është e ngatërruar, e papëlqyeshme apo edhe tragjike. Tekefundit, ajo mbetet e ndritur pavarësisht se disa kapituj të saj gjatë kohë e heshtën të vërtetën ndaj njerëzve që ishin pjesë e kësaj historie, një kapitull që vetvetiu rrezikohej të “përmbytej dhe më pastaj të njehsohej me harresën tonë kolektive”! Të gjithë ata që do të bëjnë përpjekje ta njohin a ta “studiojnë” nga afër këtë histori të atdhetarëve gjegjësisht të mësuesve (të cilët asnjëherë nuk e përfunduan vitin shkollor), që në fillim detyrohen të “heqin dorë” nga paragjykimi dhe nga faktet e sajuara po edhe të shtrembëruara nga ish-historianë të njëmendjesisë. Gjithsecili që do shkruajë për këta njerëz duhet pasur parasysh se historia e tyre është aristokrate…, duhet pasur parasysh se do të shkruajë për mësuesit patriotë më të përfolur, të thekur, rebelë, bohemë, disidentë dhe mbase njerëz me emër e mbiemër më të lakuar.
Është një urtësi popullore që përdoret në krahinën e Mirditës që tregon se kur nuk të ka lezet fjala në kuvend, është e njëllojtë sikur ke vdekur edhe vetë. Unë kam dëgjuar se fjala e atdhetarëve gjegjësisht e mësuesve të Petrova Rupës së Goli Otokut, lëre që ka pasur lezet, por edhe peshë. Për ta përfunduar këtë shkrim, për “një vit shkollor të papërfunduar nga ana e atdhetarëve” më duhet t’i referohem një mendimi filozofik të dijetarit Pjetër Mëshkalla, ku, pos të tjerash, thuhet: “Nuk më ka shty me Ju shkrue Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegjja, e vërteta dhe e mira”.
Categories