I cilësuar si një nga librat klasikë të Amerikës moderne, Autobiografia e Malkolm X vjen në shqip në një botim nga Shtëpia Botuese Logos A. I quajtur fillimisht Malcolm Little, më vonë Malkolm X, dhe më vonë El-Hajj Malik El-Shabazz, aktivisti i të drejtave të zezakëve në Amerikën e viteve 1960 rrëfen me fjalët e tij jetën e tij që nga fëmijëria e hershme, e trazuar kjo nga vrasja e të atit në sfond të së cilës qëndronin motivet racore, e duke vazhduar më tutje nëpër botën e nëndheshme të trafikantëve të Nju Jorkut, e deri te zbulimi i Kombit të Islamit, e më në fund në rrugëtimin e tij drejt Islamit të vërtetë.
Libri rrëfen historinë e një njeriu me vullnet të fortë, i mbushur me zemërim, me artikulim të qartë dhe me talentin e pashok për të shprehur idetë e tij nëpërmjet ndezjes së diskutimeve. I shkruar ashtu sicc i është treguar gazetarit dhe shkrimtarit afro-amerikan Alex Haley, libri cilësohet si një gur themeli në luftën për të drejtat civile dhe të afro-amerikanëve në Shtetet e Bashkuara.
Autobiografia e Malkolm X ka frymëzuar dhjetëra e dhjetëra afro-amerikanë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut si dhe aktivistë muslimanë në mbarë botën, dhe libri akoma vijon të botohet në anglisht dhe në shumë gjuhë të ndryshme. Më poshtë po botojmë një fragment, për t’ju dhënë një aromë të librit.
Me sandalet në dorë, po ndiqja Mutauafin. Pastaj pashë Qabenë, një shtëpi e stërmadhe guri të zi në mes të Xhamisë së Madhe. Rreth saj po rrotulloheshin mijëra e mijëra pelegrinë që luteshin, të të dyja gjinive dhe të çdo përmase, forme dhe race nga mbarë bota. E dija lutjen që duhej shqiptuar kur sytë e pelegrinit perceptojnë për herë të parë Qabenë. E përkthyer, ajo është: “O Zot, Ti je paqe, dhe paqja buron prej Teje. E pra, përshëndetna, o Zot, me paqe.” Me të hyrë në xhami, haxhiu duhet të bëjë përpjekje që të shkojë e të puthë Qabenë, nëse është e mundur, por nëse turmat e pengojnë atë që të afrohet aq shumë, ai e prek atë, dhe nëse turmat e pengojnë edhe nga kjo, atëherë ai ngre dorën dhe thërret: “Tekbir!” (“Allahu është më i madhi) Unë nuk arrita të afrohesha aq shumë. Thërrita “Tekbir!”
Ndjesia që më pushtoi atje në Shtëpinë e Zotit ishte mpirja. Mutauafiim më priu udhën në mesin e turmës që lutej e këndonte, e që silleshin rrotull shtatë herë përreth Qabesë. Disa ishin të kërrusur dhe të fishkur nga mosha. Ishte një pamje që të stampohej në tru. Më zunë sytë pelegrinë ta pamundur që barteshin nga të tjerët. Fytyrat ishin të ngazëllyera në besimin e tyre. Në fund të shtatë rrethrrotullimeve, unë fala dy rekate, duke bërë sexhde e duke ulur ballin në tokë. Në sexhden e parë, unë thashë vargun kuranor “Thuaj: Ai është Zoti, Një dhe i Vetëm”, në sexhden e dytë: “Thuaj: O ju jobesimtarë, unë nuk e  adhuroj atë që ju adhuroni…”
Teksa bëja sexhden, Mutauafi mbante larg haxhilerët që të mos më shkelnin pa dashur me këmbë.
Pastaj, unë dhe Mutauafi pimë ujë nga pusi i Zem Zemit. Mandej ne vrapuam ndërmjet dy kodrave, nga Safa për në Merua, ku Haxherja u end mbi po të njëjtën tokë duke kërkuar për ujë për foshnjën e saj Ismail.
Tri herë të ndryshme, mbas asaj, unë vizitova Xhaminë e Madhe dhe kreva rrethrrotullim e Qabesë. Të nesërmen ne u nisëm mbas lindjes së diellit drejt Malit Arafat, dhe ne ishim me mijëra dhe po këndonim njëzëri: “Lebejke! Lebejke!” dhe “Allahu Ekber!” Meka është e rrethuar nga malet me pamje më të zhveshur që unë mund të kem parë në jetën time. Ato duket sikur janë bërë prej skorejeve të një furrnalte metalurgjike. Sipër tyre nuk ka as edhe një lloj bimësie. Mbasi mbërritëm në mesditë, ne u lutëm dhe përmendëm Zotin që nga mesdita deri në perëndim të diellit dhe lutjet e veçanta të asrit(pasdites, ikindisë) dhe magribit (akshamit, perëndimit) u kryen.
Në fund, ne ngritëm duart në lutje dhe falënderim, duke përsëritur fjalët e Allahut: “Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut. Ai nuk ka ortak. Atij i takojnë fuqia dhe lavdi. E mira buron prej Tij dhe Ai ka pushtet mbi çdo gjë.”
Qëndrimi në Malin Arafat u dha fund riteve thelbësore e të qenët haxhi në Mekë. Ai që nuk i kryente këto nuk do të mund ta konsideronte veten haxhi.
Periudha e Ihramit kishte marrë fund. Ne kryem gjuajtjen tradicionale të shtatë gurëve kundër djallit. Disa i prenë flokët dhe mjekrat e tyre. Unë vendosa që të lija mjekër. Pyesja veten se çfarë do të thoshte bashkëshortja ime Beti dhe vajzat tona të vogla kur të më shihnin me mjekër, kur të kthehesha në Nju Jork. Nju Jorku dukej një milion kilometra larg. S’më kishte zënë syri asnjë gazetë që mund ta lexoja që kur u largova nga Nju Jorku. Nuk kam asnjë ide se çfarë po ndodhte atje. Një klub pushkatarësh zezakë që kishte qenë në ekzistencë prej më se dymbëdhjetë vitesh në Harlem ishte “zbuluar” nga policia. Po trumbetohej se unë isha “mbas gjithë kësaj”. Kombi i Islamit i Elajxhah Muhamedit hapi një proces gjyqësor kundër meje për të na detyruar mua dhe familjen time që të lironim shtëpinë ku ne jetonim në Long Ajlënd.
Mediat më të mëdha të shtypit dhe ato radiofonike e televizive në Amerikë kishin përfaqësuesit e tyre në Kajro që kishin dalë gjithkund në gjueti, duke u përpjekur që të gjenin vendndodhjen time, e për të më investuar në lidhje me shpërthimin që unë kinse kisha shkaktuar në Nju Jork – ndërkohë që unë nuk dija asgjë për ndonjërën nga këto gjëra.
Unë dija vetëm atë që kisha lënë në Amerikë dhe se si ajo binte në kontrast me atë që unë kisha gjetur në botën muslimane. Rreth njëzet e dy muslimanë sa ishim e që kishim mbaruar haxhin po rrinim në një tendë të stërmadhe në Malin Arafat. Si musliman nga Amerika, unë isha qendra e vëmendjes. Ata më pyetën se çfarë më kishte lënë më tepër mbresa nga Haxhi. Njëri prej atyre që fliste anglisht më pyeti, dhe ata të gjithë ua përkthyen përgjigjet e mia të tjerëve. Përgjigjja ime ndaj asaj pyetjeje nuk ishte ajo që ata prisnin, por ajo e bëri të qartë argumentimin tim.
U thashë: “Vëllazëria! Njerëzit e të gjitha racave e ngjyrave, nga mbarë bota që vinin së bashku si një! Kjo më ka vërtetuar mua fuqinë e Zotit Një.”
Mund të qenë paksa e pavend, por kjo më dha mua një mundësi, dhe unë e përdora atë, për t’u mbajtur atyre një predikim të vogël mbi racizmin e Amerikës dhe të këqijat e tij.
Arrija ta dalloja ndikimin e këtij predikimi mbi ata. Ata ishin bërë të vetëdijshëm se angështia e zezakut në Amerika ishte “e keqe”, por ata nuk kishin qenë të vetëdijshëm se ajo ishte çnjerëzore, se ajo ishte një tredhje psikologjike. Këta njerëz nga çdo vend tjetër i botës mbetën të tronditur. Si muslimanë, ata kishin një dhembshuri mjaft të madhe për të gjithë njerëzit e pafat si dhe një ndjeshmëri të lartë për të vërtetën dhe drejtësinë. Dhe në gjithçka që unë u thosha atyre, për sa kohë që ne folëm, ata u bënë të vetëdijshëm për metrin që po përdorja për të matur gjithçka: se për mua, e keqja më shpërthyese dhe më fatale mbi faqen e dheut është racizmi, paaftësia e krijesave të Zotit për të jetuar si Një, sidomos në botën perëndimore.
***
 
Kam reflektuar qysh nga ajo kohë se letra që unë më në fund u ula të shkruaja kishte marrë trajtë vetvetiu në mendjen time.
Verbëria ndaj ngjyrës e shoqërisë fetare muslimane dhe verbëria ndaj ngjyrës e shoqërisë njerëzore të botës muslimane: këto dy influenca kishin bërë çdo ditë e më tepër një impakt të madh dhe një përpjekje gjithnjë e më të madhe për të më bindur kundër mënyrës sime të mëparshme të të menduarit. Letra e parë ishte sigurisht për gruan time, Betin. Nuk kisha asnjë çast mëdyshjeje se Beti, mbas habisë fillestare, do të ndryshonte të menduarit e saj për t’iu bashkuar të menduarit tim. Dija me mijëra garanci se besimi i Betit tek unë ishte i plotë. E dija se ajo do të shihte atë që kisha parë unë… se në tokën e Muhamedit dhe në tokën e Abrahamit, unë kisha qenë i bekuar nga Allahu me një kuptimësi të re në fenë e vërtetë të Islamit, me një kuptimësi më të mirë të të gjithë dilemës racore të Amerikës.
Mbas letrës për bashkëshorten time, unë shkrova një letër të dytë thelbësisht të njëjtë për time motër Elën. Dhe unë e dija se ku do të pozicionohej Ela. Ajo vetë kishte kursyer para për të bërë pelegrinazhin për në Mekë.
Unë i shkrova dr. Shauarbit, besimi i të cilit në sinqeritetin tim kishte bërë të mundur që unë të merrja një pasaportë për në Mekë.
Përgjatë gjithë natës, unë kopjova letra të ngjashme të gjata për të tjerë që ishin shumë të afërt me mua. Ndër ta ishte dhe i biri i Elajxhah Muhamedit, Uollas Muhamed, i cili më kishte shprehur bindjen e tij se i vetmi shpëtim i mundshëm për Kombin e Islamit do të ishte që organizata të pranonte dhe të projektonte një kuptimësi më të mirë rreth Islamit tradicional.
Dhe unë i shkrova asistentëve të mi besnikë në të sapokrijuarën Xhamia Muslimane Inc. Në Harlem, me një shënim bashkangjitur, ku i kërkoja që letra ime të dyfishohej dhe t’i shpërndahej shtypit.
E dija se kur letra ime do të bëhej publike atje në Amerikë, shumë njerëz do të shtangeshin… të dashur, miq dhe armiq, pa dallim. Dhe jo më pak do të shtangeshin ata miliona njerëz që unë nuk i njihja dhe të cilët kishin krijuar gjatë dymbëdhjetë viteve të mia me Elajxhah Muhamedin një imazh “urrejtjeje” për Malkolm X.
Edhe unë vetë madje kisha ngelur i habitur. Por kishte pasur precedentë në jetën time për këtë letër. E gjithë jeta ime kishte qenë një kronologji ndryshimesh.
Ja se çfarë shkrova… nga zemra ime:
“Nuk kam dëshmuar kurrë një mikpritje kaq të sinqertë dhe shpirt pushtues të vëllazërisë së vërtetë siç praktikohet nga njerëzit e të gjitha ngjyrave dhe racave këtu në këtë Tokë të Shenjtë të Lashtë, shtëpia e Abrahamit, Muhamedit dhe e të gjithë Profetëve të tjerë të Shkrimeve të Shenjta. Gjatës së kaluar, unë kam ngelur krejtësisht pa fjalë dhe gojëhapur nga hirshmëria që unë shoh se ekspozohet rreth e rrotull meje nga njerëzit e të gjitha ngjyrave.
Jam begatuar me të vizituarit e Qytetit të Shenjtë të Mekës. Kam bërë shtatë rrethrrotullimet përreth Qabesë, i udhëhequr nga njëMutauaf i ri i quajtur Muhamed. Kam pirë ujë nga pusi i Zem Zemit. Kam vrapuar shtatë herë ndërmjet kodrave të Safasë dhe Meruasë. Jam lutur në qytetin e lashtë të Minasë dhe jam lutur në malin Arafat.
Kishte dhjetëra mijëra pelegrinë nga mbarë bota. Ata ishin nga të gjitha ngjyrat, që nga biondët me sy blu e deri tek afrikanët me lëkurë të zezë. Por ne të gjithë po merrnim pjesë në njëjtin ritual, e po shfaqnim një shpirt uniteti dhe vëllazërie që përvojat e mia në Amerikë më kishin shpënë deri aty sa të besoja se ato nuk mund të ekzistonin kurrë ndërmjet të bardhëve dhe jo të bardhëve.
Amerika ka nevojë që të kuptojë Islamin, sepse Islami është e vetmja fe që shuan nga shoqëria problemin racor. Përgjatë gjithë udhëtimeve të mia në botën muslimane, unë kam takuar, kam biseduar dhe madje kam ngrënë me njerëz të cilët në Amerikë do të ishin konsideruar “të bardhë”… por sjellja prej “të bardhi” ishte hequr nga mendjet e tyre falë fesë së Islamit. Unë nuk kam parë kurrë vëllazëritë sinqertë dhe të vërtetë të ushtruar nga të gjitha ngjyrat së bashku, pavarësisht nga ngjyra e secilit.
Ju ndoshta do të tronditeni që këto fjalë po i dëgjoni nga unë. Por në këtë pelegrinazh, ajo që unë kam parë e përjetuar, më ka shtrënguar të riarranzhoj shumë prej modeleve të mia të mendimit që kam pasur deri më sot dhe të flak tutje disa prej konkluzioneve të mia të mëparshme. Kjo nuk ishte aq shumë e vështirë për mua. Pavarësisht nga bindjet e mia të ngulitura, unë gjithnjë kam qenë një njeri që përpiqet të ballafaqojë faktet dhe të pranojë realitetin e jetës teksa përvoja e re dhe dija e re e shpalos atë. Kam mbajtur gjithnjë një mendje të hapur, e cila është e domosdoshme për fleksibilitetin që duhet të ecë krah për krah me çdo formë të kërkimit inteligjent për të vërtetën.
Gjatë dymbëdhjetë ditëve të fundit këtu në botën muslimane, unë kam ngrënë nga e njëjta pjatë, kam pirë nga e njëjta gotë dhe kam fjetur në të njëjtin shtrat (apo në të njëjtën sixhade) – ndërkohë i jam lutur të njëjtit Zot – me muslimanë të tjerë si unë, sytë e të cilëve ishin më të kaltrit e të kaltërve, flokët e të cilëve ishin më biondët e biondëve dhe lëkura e të cilëve ishte më e bardha e më të bardhave. Dhe në fjalët dhe veprat dhe aktet e muslimanëve “të bardhë”, unë kam ndier të njëjtin sinqeritet që ndieja në gjirin e muslimanëve zezakë afrikanë nga Nigeria, Sudani dhe Gana.
Ne ishim vërtet të gjithë njësoj (vëllezër) – për shkak se besimi në Zotin Një e kishte hequr “të bardhën” nga mendjet e tyre, “të bardhën” nga sjellja  e tyre dhe “të bardhën” nga qëndrimi i tyre.
Nga kjo arrij të kuptoj se ndoshta nëse amerikanët e bardhë do të mund të pranonin Njëshmërinë e Zotit, atëherë ndoshta ata mund të pranojnë në realitet edhe Njëshmërinë e Njeriut, dhe do të reshtin së maturi, dhe së penguari dhe së lënduari të tjerët në termat e “diferencave” në ngjyrë.
Me racizmin që e ka pllakosur Amerikën si një kancer i pakurueshëm, e ashtuquajtura zemra e bardhë “e krishterë” amerikane duhet të jetë më receptive ndaj një zgjidhjeje të vërtetuar tashmë ndaj një problemi kaq shkatërrimtar. Ndoshta ajo mund të jetë ende në kohë për të shpëtuar Amerikën nga katastrofa e pritshme: i njëjti shkatërrim që u soll mbi kryet e Gjermanisë nga racizmi që përfundimisht shkatërroi edhe vetë gjermanët.
Çdo orë që kaloj këtu në Tokën e Shenjtë më jep mundësinë të kem kuptimësi më të mëdha në atë që po ndodh në Amerikë ndërmjet zezakëve dhe të bardhëve. Zezaku amerikan nuk mund të fajësohet kurrë për armiqësitë e tij racore, ai në fakt thjesht reagon ndaj katërqind viteve të racizmit të ndërgjegjshëm të amerikanëve të bardhë. Por teksa racizmi e shpie Amerikën në udhën e vetëvrasjes, unë besoj, nga eksperiencat që kam pasur me ata, se të bardhët e brezit më të ri, në kolegje dhe universitete, kanë për të parë atë që pritet të ndodhë nga çasti në çast dhe shumë prej tyre do t’i kthehen shtegut shpirtëror të së vërtetës: e vetmja mënyrë që i ka ngelur Amerikës  për të mënjanuar katastrofën ku pashmangshmërisht racizmi mund ta shpjerë.
Nuk kam qenë kurrë kaq fort i nderuar. Nuk më kanë bërë kurrë që të ndihem më i përulur dhe më i padenjë. Kush do t’u besonte bekimeve që mund të jenë grumbulluar pirg mbi një zezak amerikan? Pak net më parë, një njeri i cili në Amerikë do të quhej një njeri “i bardhë”, një diplomat i Kombeve të Bashkuara, një ambasador, një shoqërues i mbretërve, më dha suitën e tij të hotelit, shtratin e tij. Në sajë të këtij njeriu, Shkëlqesia e Tij Princi Fajzal, i cili sundon këtë Tokë të Shenjtë, u bë i ndërgjegjshëm për praninë time këtu në Xheda. Të nesërmen tjetër, i biri i Princit Fajzal, personalisht më informoi se me dëshirën dhe urdhrin e babait të tij të nderuar, unë do të isha një Mysafir i Shtetit.
Vetë Zëvendës Shefi i Protokollit më shpuri përpara Gjykatës së Haxhit. Vetë shenjtëria e tij Shejh Muhamed Harkoni dha miratimin që unë të vizitoja Mekën. Shenjtëria e tij më dha dy libra mbi Islamin, me vulën dhe autografin e tij personal, dhe më tha se ai ishte lutur që unë të bëhesha një predikues i suksesshëm i Islamit në Amerikë. Një makinë, një shofer dhe një udhërrëfyes ishin vendosur në dispozicionin tim, duke më bërë të mundur që unë të udhëtoja nëpër këtë Tokë të Shenjtë pothuajse sipas qejfit. Qeveria më ofron oda me ajër të kondicionuar dhe shërbëtorë në çdo qytet që unë vizitoj. As që nuk do ta kisha menduar kurrë se një ditë do të ëndërroja që të merrja nderime të tilla: nderime që në Amerikë do t’i blatoheshin një mbreti, e jo një zezaku.
Lavdërimi i takon Allahut, Zotit të Botëve.
Sinqerisht
Haxhi Malik Shabazi
“(Malkolm X)”